Operacioni
Mijëra vetë në radhë për regjistrime. Dita e parë e tatimorëve nis me seminare
Efekti – Një pjesë u paraqitën për regjistrim në QKR, të tjerët për të riaktivizuar kasat fiskale që nuk kishin në funksion.
Situata
Regjistrimet – Radhët në QKR kanë filluar qysh para dy muajsh, me paralajmërimin nga qeveria të operacionit. Në gusht janë regjistruar 4.800 biznese, ose 6.8 herë më shumë se gushti i vitit të kaluar.
Platforma – Përdorimi i platformës online do të ndihmonte shumë, pasi do të kursente kohën dhe eliminonte radhët. Ky shërbim ofrohet nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit e-albania.
Përgatitja – Tatimorët e kanë shfrytëzuar 1 shtatorin për trajnim dhe për ndarjen e detyrave në grupe, ku marrin pjesë edhe doganat, Inspektorati i Punës, dega e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.
Efekti psikologjik i operacionit kundër informalitetit i ka kaluar parashikimet për ndërgjegjësimin e biznesit. Por, tashmë kundër tyre është koha. Nën trysninë e fillimit të aksionit të tatimorëve, dje në ditën e parë, tregtarët e paregjistruar kanë mësyrë zyrat e QKR-së në Tiranë dhe në rrethe, për të formalizuar biznesin e tyre, por edhe për të çregjistruar aktivitetin.
Qepenat e mbyllur
Rezultati i kontrollit në Tiranë për ditën e parë, të paktën për kasat fiskale, duhet të jetë surprizë edhe për vetë tatimorët. Ata që nuk kishin kasë i mbyllën dyqanet, ndërsa të rregulltit vazhduan punën normalisht. Por, këta i kishin vënë në “prizë” pajisjet fiskale, që më parë ishin jashtë funksionit. Me sistemin informatik që kanë vendosur, tatimorët nuk e kanë të vështirë të “përgjojnë” se cili subjekt e mban në punë kasën dhe çfarë xhiroje bën, por problem janë ata që nuk janë regjistruar. Thuajse në çdo rrugë të kryeqytetit të ofrohej pamja e një numri të madh të lokaleve tregtare dhe shërbimesh që e prisnin operacionin me qepena të mbyllur. Një pjesë kishin shkuar për regjistrim në QKR, një pjesë tjetër për të riaktivizuar kasat fiskale që nuk kishin aktive, ndërsa kishte prej tyre që i jepnin me qira aktivitetet. Kjo ishte më evidente në “Tregun çam”, ku ishte thuajse gjysma e dyqaneve të veshjeve të mbyllura. Ndryshimi i madh kishte të bënte me kuponin tatimor, i cili ditën e djeshme u jepej klientëve thuajse në çdo blerje.
Kërkohet shtyrje e afatit
Ndryshe nga qëndrimi i biznesit të madh, i cili i përfaqësuar me dhomat e tregtisë dhe shoqatat është shprehur këto ditë publikisht pro këtij operacioni, biznesi i vogël, që ndihet më i kërcënuari është lutur për shtyrje të afatit të regjistrimeve. Kjo kërkesë u bë nga sallat e QKR-së në Tiranë dhe në rrethe, ku dyndja e njerëzve që duan të kryejnë veprime është e madhe. Sipërmarrësit kërkojnë nga autoritetet shtyrjen e afatit të regjistrimit për t’u dhënë kohë aplikuesve të përfundojnë procedurat dhe fillimin e operacionit në një kohë të mëvonshme. Gjithashtu, është i nevojshëm shtimi i sporteleve të shërbimit. Ata që duan të regjistrohen dhe të vendosin kasën fiskale janë me mijëra. Në Vlorë dhe në Durrës, sipas të dhënave nga QKR, shumica e bizneseve që kryejnë regjistrime dhe çregjistrime janë sezonale.
Shtimi i regjistrimeve
Sipas drejtores së QKR-së, Vasilika Vjero, në dy muajt e fundit regjistrimet janë rritur me disa herë. “Vetëm në këtë periudhë janë regjistruar mbi 6.800 biznese, ose 3.7 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Ndërsa vetëm në gusht janë regjistruar 4.800 biznese, ose 6.8 herë më shumë se gushti i vitit të kaluar”, deklaroi Vjero për “Top Channel”. Por, përveç regjistrimeve të reja, Vjero thotë se është vënë re edhe një fenomen tjetër, ai i rihapjes së shumë bizneseve që kishin deklaruar pezullim të aktivitetit.
“Vërejmë se për muajin gusht, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje tre herë më të madhe. Kemi fenomenin e riaktivizimit, që do të thotë se shumë biznese, ndonëse kishin deklaruar falimentimin e aktivitetit, në terren kanë qenë duke e ushtruar atë”, thotë Vjero.
Sporteli elektronik
Për të shmangur vonesat në marrjen e shërbimit, përfaqësuesit e QKR-së në Durrës dhe në Tiranë i orientojnë subjektet që të përdorin edhe sportelin elektronik, ku veprimet janë të thjeshta e mund të kryhen si nga individët, tregtarët ambulatorë dhe bizneset. Sipas stafit të QKR, përdorimi i platformës online do të ndihmonte shumë, pasi do të kursente kohën dhe eliminonte radhët e gjata. Ky shërbim ofrohet nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit e-albania. Individi që do të kryejë aplikimin si regjistrim fillestar për person fizik, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike, ndërsa shërbimi ofrohet pa pagesë. Për të dhënë ndihmë për shërbimin online, QKR ka ngritur një sportel të dedikuar këtij procesi pranë zyrave qendrore në Tiranë. Por, nga ana tjetër, në rrethe raportohet ngadalësi e internetit dhe shpeshherë bllokim i rrjetit të QKR-së për orë të tëra.
Përgatitja
Gjithsesi, tatimorët e kanë shfrytëzuar 1 shtatorin për trajnim dhe për ndarjen e detyrave në grupe, ku marrin pjesë edhe doganat, Inspektorati i Punës, Dega e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit etj. Dita e djeshme e tatimorëve në Fier nuk u përqendrua në terren, por në zhvillimin e trajnimit nga qendra në lidhje me aksionin kundër informalitetit. Po kështu ka ndodhur edhe në Korçë dhe thuajse në të gjitha qarqet, ku eksponentët e Tatimeve dhe të Ministrisë së Financave kanë zbritur në bazë dhe kanë zhvilluar seminare trajnuese me stafet lokale.
Z.A