Kanë kaluar 9 muaj nga regjistrimi dhe ende nuk ka të dhëna
Fatjona Mejdini
Instituti i Statistikave, ndonëse kanë kaluar rreth nëntë muaj nga realizimi i censusit të popullsisë dhe banesave, ende nuk ka bërë publike të dhënat e marra për etninë dhe fenë e shqiptarëve. Ndonëse në tetorin e vitit të kaluar, kur ky proces filloi dhe kur autoritetet shqiptare vendosën t’i përfshijnë këto pyetje “delikate” në formular, rezultati i tyre po vijon të vonojë. Instituti i Statistikave, jo vetëm që nuk ka nxjerrë të dhënat për këto pyetje, por nuk ka bërë publike shifrën sesa për qind e shqiptarëve u janë përgjigjur ose kanë refuzuar këto dy pyetje. Komunikimi i parë dhe i fundit i Institutit të Statistikave për të dhënat e cenusit ka qenë në fundin e dhjetorit, ku u bënë publike shifrat e numrit total të popullsisë dhe banesave në vend. Përveç fesë dhe etnisë, INSTAT është vonuar të publikojë dhe shumë të dhëna të tjera që lidhen me faktorët socialë dhe ekonomikë të shqiptarëve, nisur nga deklarimet e tyre në fund të vitit 2011. Në deklaratat pas zhvillimit të censusit, INSTAT bëri të ditur se rezultatet për dy formularët e kontenstuar do të publikoheshin në fillimin e verës, duke përmendur qershorin, por ende nuk ka asnjë datë.
Feja dhe etnia
Në fund të vitit 2011, Shqipëria u përfshi nga zhurma në lidhje me nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave nga ana e INSTAT pas 10 viteve. Askush në vend nuk diskutonte nevojën për një regjistrim total të shqiptarëve dhe të huajve të cilët jetonin në Shqipëri, por problematike situata u bë në momentin kur autoritetet shqiptare kërkuan që në pyetësor të përfshiheshin pyetjet për etninë dhe fenë. Kjo nismë u kundërshtua mjaft ashpër nga shoqëria civile dhe Aleanca Kuq e Zi, nisur nga qëndrimet se vende fqinje si Greqia do të mundoheshin të rrisnin në mënyrë artificiale numrin e minoriteteve të tyre në Greqi. Kundërshti ndaj kësaj nisme shfaqi dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e cila pas kundërshtive, arriti të miratojë në Parlament amendime për ligjin e censusit, sipas të cilave të gjithë ata qytetarë të cilët gënjenin në lidhje me etninë, gjobiteshin me një shumë prej 100.000 lekë. Por pavarësisht këtyre debateve të shumta, nëntë muaj pas procesit të regjistrimit, ku shqiptarëve iu kërkua të deklaronin fenë dhe etninë, ende nuk ka asnjë tregues të publikuar nga INSTAT në lidhje me shifrat e marra dhe për më tepër në lidhje me numrin e qytetarëve që kanë refuzuar t’i përgjigjen një pyetjeje të tillë. Nga Instituti i Statistikave ende nuk ka asnjë datë të përcaktuar në lidhje me nxjerrjen e këtyre të dhënave.
Faktet
INSTAT, përveç të dhënave për fenë dhe etninë në formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave ka marrë dhe shumë të dhëna sociale dhe ekonomike nga qytetarët të cilët kanë plotësuar formularët përgjatë muajit tetor. Të dhënat e rëndësishme të marra janë ato që lidhen me statusin e tyre social dhe ekonomik dhe që deri tani nuk janë përpunuar për t’u servirur si statistika. Në fund të muajit dhjetor, INSTAT publikoi vetëm të dhënat bazë të dala nga censusi. Ndër të dhënat që u konsideruan si rezultate paraprake theksohej fakti se numri i popullsisë që jetonte në Shqipëri kishte shënuar një rënie jo të vogël në dhjetëvjeçarin e fundit. Sipas të dhënave të marra rezultonte se popullsia e Shqipërisë për vitin 2011 ishte 2.851.741 banorë duke shënuar një rënie prej 7.7 për qind krahasuar me vitin 2001. Për sa u përket banesave, censusi nxori të dhëna sipas të cilave numri i tyre kishte arritur në 1 milion e 75 mijë ose 37 për qind më shumë se në vitin 2001.
Detaje
Gjobat – PDIU ishte iniciatore e dy amendimeve ligjore që parashikojnë gjoba për të gjithë ata të cilët deklarojnë të dhëna të rreme për etninë
Refuzimi – INSTAT jo vetëm që nuk ka bërë ende publike të dhënat për etninë dhe fenë, por nuk ka nxjerrë shifra në lidhje me numrin e popullsisë që ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve
Selektimi – Sipas INSTAT, censusit kanë refuzuar t’i përgjigjen në total 29.300 vetë ose 1.04 për qind e banorëve. Por nuk ka të dhëna në lidhje me refuzimin mbi pyetje të caktuara.
Popullsia – “Mbi bazёn e tё dhёnave tё paraqitura nga Censusi i Popullsisё dhe Banesave 2011, nё Shqipёri rezulton se popullsia e Republikës sё Shqipёrisё ka njё pёrbёrje prej 2,831,741 banorë”
Nёse do tё krahasonim kёtё numër tё popullsisë me Censusin e vitit 2001, do tё shohim se popullsia nё atё vit pёrbёhej nga 3,069,275 banorë, nga kjo del se, numri i popullsisё nё Shqipёri nё vitin 2011 ёshtё zvogëluar me 7.7%”
Banesat – “Tё dhёnat tregojnë se, numri i banesave nё Shqipёri, nё vitin 2011, ёshtë 1,075,881, numër ky një rritje prej 37.0% nё krahasim me vitin 2001 ku numri i banesave ishte 785,515.
Numri i ndёrtesave ёshtё 686,405, një rritje prej 34% nё vitin 2011, nё krahasim me vitin 2001, kur ky numёr rezulton tё ishte 512,387.
