Kryeministri shoqërohet nga Kempbell, lobojnë pro Shqipërisë. Flet dhe në Oksford
FATJONA MEJDINI
Kryeministri Edi Rama po e shfrytëzon vizitën e tij në Londër me ftesë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të lobuar në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në qershor. Nisur nga fakti se Britania e Madhe ishte nga pesë vendet të cilat kanë refuzuar marrjen e statusit kandidat, Rama mësohet se ka zhvilluar vizita dhe takime në Dhomën e Lordëve dhe me përfaqësues të Parlamentit britanik. Është interesant fakti se kreu i qeverisë, Edi Rama, ka qenë i shoqëruar në këto takime që janë zhvilluar paraditen e djeshme nga ish-këshilltari i tij për fushatën e zgjedhjeve të qershorit të shkuar, Alester Kempbell (Alastair Campbell), i cili duket se vijon t’i japë ndihmën e tij. Kryeministri Rama ka mbajtur një fjalë përpara një auditori studentësh të Universitetit të Oksfordit, kushtuar zhvillimeve në Ballkan dhe perspektivës së këtij rajoni në Bashkimin Europian. Sipas Ramës, Europa është një destinacion i brendshëm i Shqipërisë dhe se qeveria është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat që duhen për ta arritur atë.
Lobimi për statusin

Kisha – Kryeministri Rama zhvilloi paraditen e djeshme në Londër dhe një vizitë në kishën “Westminster Abbey”, e cila është një nga më të rëndësishmet në Britaninë e Madhe.
Kryeministri Rama i ka kushtuar një rëndësi të madhe takimeve politike në Londër në kuadër të kërkesës së Shqipërisë për të marrë në muajin qershor, statusin e vendit kandidat. Lajmin e bëri të ditur në rrjetin social Twitter ish-këshilltari i Ramës për zgjedhjet e qershorit të shkuar, Alester Kempbell. Ai tregoi se ishte me Kryeministrin e Shqipërisë duke zhvilluar takime në Dhomën e Lordëve, ku gjatë bisedave ishte dhënë mbështetje për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. “Me Edi Ramën në ambientet Attlee të Dhomës së Lordëve. Përfaqësuesit e Parlamentit, laburistët, konservatorët dhe përfaqësuesit e tjerë po mbështesin deri tani rastin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, thekon Kempbell në statusin e tij në rrjetin social. Fakti që Britania e Madhe është një nga vendet me peshë të madhe brenda Bashkimit Europian dhe po kështu ishte refuzuese e dhënies së statusit të Shqipërisë dhjetorin që kaloi, e bën të rëndësishëm këtë lobim nga ana e Kryeministrit Rama.
Fjala në Oksford
Kryeministri Edi Rama mbajti dhe një fjalë për aspiratat e Shqipërisë për të qenë sa më pranë Europës në një nga auditorët e Universitetit të Oksfordit. “Europa nuk është një destinacion jashtë nesh. Europa duhet të jetë dhe Europa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Europa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë”, theksoi Rama përpara studentëve. Ai theksoi se qeveria shqiptare është duke marrë të gjitha hapat e kërkuara, në mënyrë që të bëhet e mundur marrja e statusit të vendit kandidat. “Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend”, theksoi Rama përpara studentëve. Ai theksoi se jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani Perëndimor e kishte vendin në Europë.
[callout]Komisioneri
Fyle: Bashkimi Europian po i kushton rëndësi ekonomisë në Ballkanin
Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, pjesëmarrës në konferencën e zhvilluar nga BERZH në Londër, ku merrnin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit theksoi se tashmë një moment i artë për këtë rajon për të tërhequr investime. Ai prezantoi në Londër në mënyrë zyrtare dhe qasjen e re të komisionit për qeverisje mbi baza ekonomike, konkurrueshmërie dhe rritje ekonomike për rajonin e Ballkanit. Kjo qasje e re ekonomike ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit që presin integrim, do të thotë ndërtimi i një kuptueshmërie të re mes liderëve të këtyre vendeve dhe investitorëve potencialë, me fokus, reformat ekonomike. “Ne duam të vazhdojmë t’ju mbështesim jo për të arritur sfidën e krijimit të punëve, duke rritur konkurrueshmërinë dhe duke nxitur rritjen ekonomike. Gjatë pesë viteve të shkuara, ne brenda Bashkimit Europian kishim të njëjtat kriza. Përpjekjet tona për të mposhtur krizën kanë nisur të japin rezultat. Ne kemi eksperiencën dhe ne duam që dhe ju të përfitoni nga eksperienca jonë”, theksoi Fyle, përpara liderëve të vendeve të Ballkanit. Komisioneri për Zgjerim theksoi se papunësia në rajonin e Ballkanit ishte tepër e lartë dhe të rinjtë ishin ata që prekeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë, ai i ftoi drejtuesit e qeverive të Ballkanit të ndërmerrnin reforma financiare për sektorin privat dhe atë shtetëror në mënyrë, duke mbështetur dhe qasjen e re ekonomike të KE-së. [/callout]