Janakaqi


Pengimi në kufirin grek i gazetarit të “Top Channel”, Marin Mema dhe shpallja e tij si person i padëshiruar në Greqi, ka sjellë reagime edhe në Parlamentin e vendit fqinj. Deputetja e së majtës radikale, Maria Janakaqi, ka kërkuar interpelancë lidhur me sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe procedurën e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit për shpalljen e Marin Memës person “non grata” në Greqi. Në kërkesën për interpelancë, deputetja shkruan se pavarësisht se nuk është dakord me temën e reportazheve të gazetarit të “Top Channel” dhe qëndrimit të medias ku ai punon për një sërë temash, kërkon të dijë procedurat e shpalljes së gazetarit si “i padëshiruar”. “Vendimi për shpalljen si person i padëshiruar në Greqi për gazetarin Marin Mema ka sjellë reagime të ashpra të qeverisë shqiptare, të opinionit vendas atje, në Greqi, si dhe në qarqet mediatike europiane”, shkruan deputetja Janakaqi. Sipas saj, pakënaqësia e palës shqiptare u shpreh nëpërmjet thirrjes së të ngarkuarit me punë në ambasadën greke në Tiranë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare. “Reagime ka dhe në opinionin publik, shoqërinë civile dhe shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Europë. Ky vendim shkel konventat ndërkombëtare të lëvizjes së lirë, krijon klimë negative në marrëdhëniet dypalëshe dhe prek rëndë të drejtën e fjalës së lirë dhe mendimin e personit”, nënvizon deputetja. Reagime pritet të kenë edhe grupimet e tjera politike dhe shoqatat mediatike vendase, ndërsa lajmi për pengimin e gazetarit u publikua ndonëse pa komente, pothuaj në të gjitha mediat vendase.


 


“Reagime ka dhe në opinionin publik, shoqërinë civile dhe shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Europë”