Reagon Kryeministria ndaj shkrimit: Firma e mohon të ketë përmendur kryeparlamentarin


Ilir Meta ne KuvendAkuza e firmës – “Brenda transfertave (përfituesve) të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin … politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish-kryeministër i proceduar për korrupsion, si dhe një zyrtar i ERE-s”, shkruan Clifford Chance


Një shkrim i bërë nga BIRN, rrjeti ballkanik i gazetarëve të investigimit, bën të ditur se avokatët që përfaqësojnë OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendojnë se kanë prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj.


Shkrimi


Clifford-Chance_Ilir-Meta-1 Clifford-Chance_Ilir-Meta-2Ish-kryeministri dhe kreu aktual i Parlamentit, Ilir Meta, akuzohet se ka marrë ryshfet nga “Debt International Advisory” (DIA), një kompani mbledhjeje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur, pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance, pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj, është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ-it, në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek. Skema erdhi në jetë, pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009 dhe duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë, si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE. Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010-n nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE-s për uljen e çmimit, me të cilin KESH-i ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarjes. Arbitrariteti i vendimit të marrë nga ERE vlerësohet t’i ketë kushtuar furnitorit publik të energjisë elektrike, dhjetëra miliona euro në humbje, të cilat janë mbuluar nga buxheti i shtetit. I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi, Meta nuk i komentoi akuzat që janë artikuluar nga Clifford Chance në gjyqin e Arbitrazhit. Kryeministri Edi Rama gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qeveria kishte informacion për akuzat e pretenduara kundër kreut të Parlamentit. Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance, në Gjykatën e Arbitrazhit më 30 qershor 2015, DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati njëvjeçare nga nëntori 2010 deri në tetor 2011. Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA-s për mbledhjen e borxhit. “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin … politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish-kryeministër i proceduar për korrupsion … si dhe një zyrtar i ERE-s”, shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë. Ilir Meta është i vetmi ish-kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një videoje nga emisioni “Fiks Fare”, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. Akuza kundër tij u hodh poshtë në janar të vitit 2012 nga Gjykata e Lartë. Emri i Ilir Metës është lakuar si i lidhur me aferën e CEZ-it edhe nga ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ-it, Jozef Hejsek. BIRN ka lexuar një kopje të dëshmisë së tij, dhënë për çështjen e arbitrazhit, ku Hejsek thotë se Meta, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka negociuar që çekët e CEZ-it të punonin me Ismailajn, duke e prezantuar biznesmenin si njeriun që kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Clifford Chance shkruan që hetimi i Prokurorisë shqiptare për Ismailajn vazhdon dhe se “skema e tij mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri”. Megjithatë, studioja ligjore që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar shprehet se edhe pse tashmë nën arrest, “Ismailaj ka akoma shumë miq brenda qeverisë shqiptare”.


Reagimi i Kryeministrisë


Për shkrimin e botuar nga BIRN ka reaguar dhe Kryeministria, e cila bën të ditur se kjo agjenci i është drejtuar më 27 gusht ka kërkuar një koment nga Kryeministri për akuzat e ngritura ndaj kryeparlamentarit Meta. Për të verifikuar pretendimin, sipas sqarimit, zyra e Kryeministrisë i është drejtuar zyrës së Avokatisë së Shtetit, e cila është në kontakt me studion ligjore “Clifford Chance”. “Përfaqësuesi i studios ligjore, z. Tim Schreiber ka kthyer këtë përgjigje: Ndryshe nga ajo që disa gazetarë duket se pretendojnë, OSHHE në deklarimet e çështjes në Arbitrazh kundër DIA Ltd. nuk ka përmendur emrin e zotit Ilir Meta si përfitues i transfertave bankare apo ndonjë praktikë tjetër korruptive që lidhet me marrëveshjen për mbledhjen e borxheve mes OSHEE dhe DIA Ltd.”, thuhet në reagimin e mbrëmshëm të Kryeministrisë.