Thesari” dhe “Dajti”. U zhvilluan vetëm 3 seanca gjyqësore. Dje, gjyqtari Artan Gjermeni, gjatë 75 minutave, dëgjoi pretencën e prokurorisë (5 vite burg), mbrojtjen e të pandehurit (pafajësi) dhe konkludoi se “fakti nuk përbën vepër penale”


Sokol Çobo


Ardian FullaniProcesi gjyqësor ndaj Ardian Fullanit ka shënuar një “rekord” në sistemin e drejtësisë. Gjyqi ka zgjatur vetëm në tri seanca gjyqësore, ku në të parën janë lexuar kërkesat paraprake dhe është lexuar kërkesa për gjykim. Seanca e dytë u shty për shkak të mungesës së prokurorit dhe në të tretën, u lexuan konkluzionet e prokurorisë, mbrojtja e të pandehurit dhe në fund u dha pafajësi. I gjithë ky proces gjyqësor, në të tria seancat, ka zgjatur vetëm 110 minuta, megjithëse mund të shqyrtoheshin një mori provash apo të dëgjoheshin edhe dëshmitarë, pasi çështja ishte shumë e ndjeshme dhe kishte të bënte me vjedhjen e Thesarit të Shtetit dhe abuzimet për blerjen e ish-hotel Dajtit, ku u xhiruan 30 milionë euro.


 


Gjyqi 110 minuta


Seanca e parë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani u zhvillua më datën 29 shtator. Ajo filloi në orën 12:00 dhe përfundoi në orën 12:25. Në këtë seancë u lexuan disa kërkesa paraprake, kryesisht të mbrojtjes, e cila pranoi gjykimin e shkurtuar, por jo faktet penale. Avokatët thanë se pranojnë vetëm aktet e dosjes, ndërsa për akuzën e shpërdorimit të detyrës thanë se nuk ekziston. Prokuroria ishte dakord me këtë kërkesë, duke i hapur rrugën përfundimit të këtij procesi në kohë rekord, në një kohë që kishte shpërthyer çështja CEZ-DIA. Seanca e dytë u la pas një jave, pikërisht më datën 6 tetor. Para një jave, gjyqi filloi në orën 12:30 dhe përfundoi fiks pas 5 minutash. Gjyqtari Artan Gjermeni lexoi një kërkesë të prokurorit Ndini Tavani, i cili i kishte kërkuar Kolegjit Penal shtyrjen për shkak se ishte angazhuar në një çështje hetimore, ku i duhej të bënte disa veprime. Megjithatë, mungesa e akuzës solli diskutimet se gjithçka ishte paravendosur. Akuza qendrore, me anën e një komunikimi zyrtar me median, për çështjen ndaj ish-kreut të INUK-ut, deklaronte gjyqtari Artan Gjermeni që firmosi pafajësinë e Zyhdi Dajtit ka edhe çështjen ndaj Fullanit. Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë, ku paralajmërohej pafajësia e ish-guvernatorit. Në seancën e dytë, mbrojtja synonte të mbyllte procesin, pasi në vend ende ziente çështje CEZ-DIA, apo edhe afrimi i ndeshjes mes kombëtares së Shqipërisë dhe Serbisë, në Elbasan Arena, ku fokusi i shqiptarëve ishte pikërisht ndaj këtyre dy çështjeve. Akuza vendosi të gjejë një justifikim dhe të shtyjë për një javë çështjen.


Seanca e fundit u zhvillua dje. Sërish e njëjta atmosferë në vend, ku sytë e të gjithëve ishin nga kualifikimi i kombëtares së futbollit në Francë 2016. Kthimi i futbollistëve nga Armenia u cilësua si festë zyrtare, ku pati takime në Kryeministri e Presidencë, ndërsa në të njëjtën orë, u zhvillua edhe gjyqi ndaj Fullanit, në Gjykatën e Tiranës, në godinën pranë paraburgimit 313. Seanca e djeshme filloi në orën 12:00, ku gjyqtari Artan Gjermeni hapi shqyrtimin gjyqësor. Më pas, i dha fjalën prokurorit të çështjes, Ndini Tavani, për të lexuar konkluzionet paraprake. Përfaqësuesi i organit të akuzës “numëroi” shkeljet për vjedhjen e Thesarit, apo edhe për transaksionet për blerjen e ish-hotel Dajtit. Në fund, Tavani kërkoi për ish-guvernatorin dënimin me 5 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i shkonte në tre vite e katër muaj burg. Normalisht, pritej që gjykata të shtynte seancën, për t’i lënë kohë mbrojtësve për të përgatitur kundërshtimet, por avokati Maks Haxhia i bëri me dije gjykatës se i ka gati konkluzionet. Ai lexoi me radhë “gabimet” e prokurorisë, si për vjedhjen e Thesarit ashtu edhe për Dajtin, ndërsa konkludoi se klienti i tij ishte i pafajshëm. Pasi dëgjoi këto konkluzione, gjyqtari Gjermeni u kërkoi të pranishmëve se Kolegji Penal tërhiqej për vendim, teksa të pranishmit në sallë ngelën të çuditur nga ngutja e gjykatës për të dhënë vendimin. Pas disa minutash, gjyqtari futet në Sallë, dhe me një vendim në duar, lexon diapozitivin. “Pasi pamë e shqyrtuam procesin, Ardian Fullani shpallet i pafajshëm, t’i hiqet masa e detyrimit me paraqitje, shpenzimet procedurale i ngarkohen prokurorisë”, tha Gjermeni, ndërsa nga salla nuk pati asnjë reagim.


Seanca e djeshme zgjati 75 minuta, më shumë se dy të parat, por në të u lexuan pretenca e prokurorisë, konkluzionet e mbrojtjes dhe vendimi përfundimtar. Duket se drejtësia ka “funksionuar” në dhënien e një vendimi të shpejtë gjyqësor, megjithëse ngutja e gjykatës për të përfunduar këtë çështje është e diskutueshme. Sipas një vëzhgimi të thjeshtë, në Gjykatën e Tiranës, një çështje përfundon mesatarisht për 353 ditë, ndërsa për Fullanin u dha drejtësi vetëm për 71 ditë. Kujtojmë se kohëzgjatja fillon nga momenti i regjistrimit të çështjes në gjykatë dhe jo kur fillon seanca e parë.


 


Dosja e prokurorisë


Prokuroria filloi hetimet për këtë çështje në datën 21 korrik 2014. Banka e Shqipërisë kallëzoi Ardian Bitrajn, pasi kishte përvetësuar ndër vite shuma të mëdha parash. Nga viti 2005 deri në vitin 2011, Bitraj ishte përgjegjës tek arka për veprim. Në vitin 2011 mori detyrën së bashku me vlerat monetare. Ai pranoi se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës. Më pas, është kryer një proces inventarizimi për vlerat materiale e monetare ku u konstatua se diferenca është 713 milionë lekë. Sipas akuzës, thesari u transferua në Linzë në janar 2013. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma tranzit që në organizmin e vjetër quhej “Rondo”. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma tranzit, organizimi i punës në këto tri arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore si udhëzime apo rregullore por ka vazhduar me rregulloret e vjetra. Akuza thotë se, vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë përbëhej nga shtatë anëtarë, duke mos qenë i plotësuar me zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë dhe një anëtar. Siç rezulton nga aktet, pozicioni i zëvendësguvernatorit të dytë prej disa vitesh është vakant si rezultat i mospropozimit të tij nga guvernatori, i cili është dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës. Prokuroria, në aktakuzë, thotë se ky funksion është vakant, duke sjellë një vakancë në ushtrimin e përgjegjësive. Mungesa e Guvernatorit të dytë ka cenuar sistemin e kontrollit pranë Bankës së Shqipërisë, përpos kësaj kjo përbën cenim të autoritetit të Kuvendit që ka përcaktuar drejtimin e Bankës nga tre Administratorë.


Ndër shkeljet e Fullanit, sipas prokurorisë, ishte se ai nuk ka propozuar zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Shkelja e dytë ishte se nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë. Akuza konstatoi se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Departamenti i Emisionit deri në muajin mars të vitit 2014 ka funksionuar jo me rregullore të veçantë, por me një urdhër të vjetër. Ky urdhër nuk përcaktonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë, nga ana e treshes për veprim dhe asaj të arkës stok. Shkelja e tretë ishte se, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Fakt është provuar nga këqyrjet e dokumentuara në ambientet e Departamentit të Emisionit, procesverbali i pamjeve filmike si dhe tabela fotografike, pyetjet e të arrestuarve, etj. Pra, thuhej në dosje, Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Shkelja e katërt ishte se në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, personi nën hetim është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit të procedimit penal nuk e ka ushtruar. Shkelja e pestë dhe e fundit, sipas akuzës, ishte shkelja e rregullores mbi inventarizimin e vlerave materiale në Bankën e Shqipërisë. Në të thuhet se nuk mund të përzgjidhen si anëtarë të komisionit punonjësit, të cilët kanë marrë pjesë në komisionin paraardhës të ngritur për inventarizimin e vlerave të njëjta. Mësohet se në dy komisione konstatohet caktimi i I.D për vitet 2012 dhe 2013 si anëtar komisioni për inventarizimin e arkës për veprim.


 


Abuzimi


Banka e Shqipërisë bleu “Dajtin” si hotel


Në aktakuzë prokuroria thotë se Këshilli i Ministrave, më datë 12 maj 2010, ka nxjerrë vendimin nr. 345, për shitjen e pronës shtetërore ish–hotel ‘Dajti’, Bankës së Shqipërisë për shumën 30.000.000 euro. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, më datë 16 qershor 2010, ka miratuar vendimin për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme në vlerën 4.148.400.000 lekë ose në kundërvlerën 30.000.000 euro. Akuza tha se personi nën hetim, Ardian Fullani, rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se, me gjithë procedurën e ndjekur, prokurim i drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e Komisionit të Prokurimit, të gjitha këto veprime kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë më datë 16 qershor 2010, datojnë ditë më vonë se Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-hotel ‘Dajtit’, pikërisht Bankës së Shqipërisë dhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme. Organi procedues konstaton dhe se vlerësimi i ish- hotel ‘Dajtit’, së pari është kryer nga ekspertë të kontaktuar dhe caktuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, duke mos u kryer asnjë vlerësim nga blerësi Banka e Shqipërisë, përfaqësuar nga personi nën hetim dhe se ky vlerësim është bërë me metodën e fitimit, duke përllogaritur vlerën e pasurisë si një hotel, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi si hotel.