Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-i burgosuri politik Sami Repishti thotë se shoqëria shqiptare po tregon një dobësi morale me heshtjen që ka mbajtur ndaj çështjes së ish të burgosurve të komunizmit. Zoti Repishti ka vuajtur 10 vjet në kampet e punës në Shqipëri dhe tani jeton në Nju Xhersi.


“Greva e urisë, sikurse e dini, është forma më ekstreme e protestës. Në qoftë se sot ish-të persekutuarit protestojnë, kjo tregon se ekstremi i zhgënjimit të tyre nga pushteti në fuqi është i plotë. Pushteti nuk dëgjon sepse nuk kupton heshtjen e rëndë të krimit që bëhet ndaj ish të burgosurve, ish- të persekutuarëve. Presidenti bëri një deklaratë jo dinjitoze duke thënë se “duhet një dialog, por unë nuk mund të përfshihem.” Kush mund të përfshihet në qoftë se Presidenti nuk mund të përfshihet? “Akuzat publike më kanë distancuar,” thotë ai. Por si mund të mos e quash këtë një aksion politik kur atyre u mohohen të drejtat më elementare? Kryeministri hesht sepse nuk ka çfarë të thotë, përveç sharjeve. Kryetarja e parlamentit ka reaguar si Ponc Pilati, “unë nuk kam gjë për të thënë,” thotë. Dhe ajo vjen nga një familje e persekutuar. Ndërkaq, viktimat e grevës së urisë tentojnë vdekjen në formën më të vështirë, me anë të vetëdjegies”, ka thënë Repishti.


Më tej ai e ka konsideruar si të turpshme deklaratën e ministrisë së Financave. “Si mund të justifikohet qeveria se ka mbajtur premtimin e saj, ndërkohë që nuk u ka dhënë atyre shtatë këste të tjerë, por u ka dhënë vetëm një? Kjo është një manovër e padrejtë. Çështja e buxhetit është diçka që është rregulluar më përpara dhe nuk është diçka që e ka gjetur qeverinë të papërgatitur. Ose qeveria ka konsumuar paratë e ish të burgosurve për probleme të tjera, ose qeveria është krejtësisht e papërgjegjshme dhe nuk dëshiron t’i paguajë ata”.


Në fund Repishti, i ka këshilluar ish-bashkëvuajtësit e tij të mos sakrifikojnë jetën. “Ish të- burgosurit, kolegët e mij që janë sot në grevë urie, duhet të dëgjojnë këshillën e ambasadorit amerikan Arvizu. Mos u sakrifikoni. Mos e sakrifikoni jetën. Jeta është gjëja më e shenjtë. Unë jam dhe pak fetar: jeta është dhuratë e Zotit, nuk ka të drejtë të ta marrë njeriu, sepse vetëm Zoti e ka dhënë dhe ai e merr. Prandaj, demonstroni në mënyrat më të forta të mundshme, por pa sakrifikuar jetën sepse është një sakrificë tepër e madhe dhe nuk justifikohet me çështjen e kërkesave që bëni ju sot”, ka thënë ai. (Marrë me shkurtime nga VOA)


11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)