“Rasti i vetëm i emërimit jashtë marinës, pas Luftës Nacional Çlirimtare”
Detaje
Shkollimi: Oficerët e marinës kanë shkollim specifik të ndryshëm nga ajo e ushtarakëve të tjerë dhe deri kohët e fundit janë arsimuar në Shkollën e Marinës në Vlorë
Rasti: Në historinë moderne të Flotës Shqiptare, emërimi i një specialisti të këmbësorisë në krye të Flotës është i papredencentë. Rasti i parë ka ndodhur pas luftës
Përplasjet: Kreu i Flotës Detare u bë një objekt përplasjeje midis ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kur ishte ende në detyrë
Problemi: Imami emëroi për komandant të Flotës Detare, Kapitenin e Parë, Ferdinand Kreshpani, pa e dërguar për dekretim te Presidenti i Republikës, duke e bërë vendimin e pavlefshëm
Negociatat: Kreu i Flotës Detare Shqiptare pritet të ketë rol të rëndësishëm në ndarjen e territorit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë, nisur nga fakti se çështja po rinegociohet
Fatjona Mejdini
Drejtimi i Flotës Detare Shqiptare nga Gjeneral Brigade, Qemal Shkurti, i cili nuk ka njohje nga fusha detare, por ka qenë një ushtarak i forcave të këmbësorisë, ka ngjallur habinë e ish-drejtuesve të lartë të kësaj flote. Pasi ish- komandanti i Flotës Detare, Kudret Çela, e konsideroi joserioz këtë emërim, edhe ish-komandanti i forcave detare shqiptare, Vladimir Beja, e quajti të pakuptimtë këtë emërim, në thyerje të plotë të traditës së krijuar në Flotë. Në një prononcim për “Shqip”, ish-komandanti i Flotës Detare në vitin e vështirë 1997, Vladimir Beja, e konsideroi këtë emërim jashtë profilit, si aspak normal dhe të vështirë për t’u kuptuar se pse është ndërmarrë. “Emërimi i një gjenerali me kualifikim në forcat tokësore, pra jashtë profilit, është nonsens, jo vetëm për traditën, por edhe për kushtet aktuale të gjendjes dhe zhvillimit të Forcave Detare të Republikës së Shqipërisë. Nuk jam në gjendje të depërtoj në mendjen e atyre që kanë bërë këtë emërim, apo nevojën e këtij emërimi emergjent, por gjithsesi e quaj të panevojshëm dhe aspak normal”, thekson Beja, duke e quajtur këtë një rast unik në historinë moderne të Flotës Detare Shqiptare. Sipas tij, i vetmi rast kur në krye të flotës shqiptare është bërë një emërim jashtë traditës së detarëve, ka qenë pas Luftës Nacional Çlirimtare, kur një xhenier mori drejtimin e flotës vetëm se ishte komunist dhe atentator në luftën partizane. Nga ana tjetër, Beja theksoi faktin se pavarësisht se komandanti i flotës ka një pozicion tepër të rëndësishëm në marrëveshjen për ndarjen e kufirit ujor me Shqipërinë, përsëri në këtë pakt të rëndësishëm që do të negociohet janë dhe shumë institucione të tjera, që kanë detyrimin të marrin pjesë në negociata. “Negociatat nuk mund të jenë veprimtari e një njeriu të vetëm, qoftë ky dhe komandanti i flotës. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e ka shpallur nul marrëveshjen e parë, pra ajo është e paqenë, kështu që detyron qeverinë shqiptare për një negocim rishtas nga e para për këtë çështje thelbësore të parashikuar qartë nga ligji ndërkombëtar për detin -konventa ndërkombëtare e Montegobay”, thekson ish-komandanti i flotës, Vladimir Beja. Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” bëri të ditur se ish-shefi i kabinetit të Shtabit të Përgjithshëm, Qemal Shkurti, nuk ishte një ushtarak që vinte nga marina, por një specialist i forcave tokësore. Tri ditë më parë, ai mbante gradën e Kolonelit, por brenda një dite mori gradën madhore Gjeneral Brigade nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërkohë që u emërua dhe komandant i Flotës Detare. Ky emërim vjen në një kohë kur Flota Detare do të ketë rol të rëndësishëm në përgatitjen e dokumenteve dhe hartave për negociatat me Greqinë për kufirin detar mes dy vendeve. Dy ditë më parë, në një prononcim për “Shqip”, ish-komandanti i Flotës Detare, Kudret Çela, e quajti joserioz dhe të çuditshëm këtë emërim. “I gjithë procesi duhet të bëhet serioz kur të miratohet një ligj i ri për të gjithë kufirin, i cili duhet të parashikojë qartësisht identifikimin e së gjithë vijës kufitare tokësore dhe në këtë rast, bregdetare, dhe në bazë të tij do të duhet të zhvillohen bisedimet për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare. Po ç’të them në këtë moment, kur situata nuk është serioze, pasi në krye të Flotës Detare, emërohet një ushtarak i këmbësorisë”, deklaroi Çela, duke e quajtur një ogur të keq këtë emërim në krye të flotës. Forcat Detare Shqiptare janë një nga pesë pjesët e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe misioni i kësaj force është të ruajë integritetin e brigjeve shqiptare, si dhe patrullimin e ujërave territoriale shqiptare.
Deklaratat
Dy ish-drejtues të Flotës Detare Shqiptare e kanë konsideruar si një vendim të nxituar dhe të pakuptueshëm emërimin e një ushtaraku të këmbësorisë në krye të flotës
Komandantët e Forcës Detare pas vitit 1991
1. Kapiten i Rangut
të Parë – Tasim Meçe ( 1991-1992)
2. Kapiten i Rangut
të Parë – Fitim Halili (1992-1993)
3. Kundëradmiral Edmond
Zhupani (1993-1994)
4. Kundëradmiral Muharrem
Kuçana (1994-1996)
5. Kundëradmiral Edmond
Zhupani (1996-1997)
6. Kapiten i Rangut
të Parë Vladimir Beja (1997-1998)
7. Kapiten i Rangut
të Parë, Robert Bali (1998)
8. Kundëradmiral Kudret
Çelaj – (1998 – 2005)
9. Kapiten i Rangut
të Parë Kristaq Gerveni (2005-2009)
10. Kundëradmiral Kudret
Çelaj (2009-2012)
11. Gjeneral Brigade Qemal Shkurti (Gusht 2012)
Informacioni
Ish-drejtuesit theksojnë se një faqe e tillë ka ekzistuar, por nuk dihet më pse është zhdukur
Flota Detare, pa faqe informative në internet
Forcat e Armatosura Shqiptare duket se e kanë lënë në harresë Florën Detare të Republikës së Shqipërisë. Kjo duket qartë në faktin se në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe në atë të Forcave të Armatosura nuk gjendet asnjë informacion për sa i përket Flotës Detare. Pavarësisht se Shqipëria tani është pjesë e NATO-s dhe vëmendja ndaj të gjithë sektorëve të ushtrisë duhet të jetë më e madhe, zyrtarët e FA-ve nuk e kanë gjetur të udhës të bëjnë publike detaje nga organizimi dhe puna e Florës Detare. Ish-drejtuesit e Flotës theksojnë se para pak viteve, kjo strukturë ka pasur një faqe të veçantë interneti ku mund të merreshin të gjitha informacionet e nevojshme, por kjo faqe duket se nuk ekziston më. Përgjatë kërkimit në internet, faqe të ndryshme jozyrtare janë munduar të bëjnë një historik të shkurtër të Flotës Detare Shqiptare, duke theksuar faktin se që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga qeveria e Ismail Qemalit u bënë përpjekje për dertimin e Flotës Detare, ndonëse fillimi i Luftës së Parë Botërore e ndërpreu këtë angazhim. Kështu sipas faqes së internetit “Wikipedia” në vitin 1925, ushtria shqiptare filloi të organizohej mbi bazën e Statutit të Shqipërisë hartuar më 7 mars 1925. Mbi bazën e këtij statuti u krijua Komanda e Përgjithshme e Fuqive. Më 25 dhjetor 1925 mbërritën nga Italia dy anije 190 tonëshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë “Shqipëria” dhe “Skënderbeg“. Këto anije u pajisën me efektivin përkatës dhe u përdorën kryesisht në detyra policie/roje bregdetare kundër kontrabandës. Vijimi i formimit të flotës në Shqipëri përshkruhet me uljet dhe ngritjet e saj përgjatë viteve, nisur dhe nga interesi i qeverive të ndryshme për të investuar në këtë dikaster të rëndësishëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

