jozefiProkuroria i komunikon akuzën Josef Hajsekut. Skema e plotë e mashtrimit bashkë me Ismailajn


Së fundmi, Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar akuzën ish-drejtorit të CEZ Albania, Josef Hajsek. Ai akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda në mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Pak javë më parë, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur shtetasin Kastriot Ismailaj, i cili akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit”, të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryer më shumë se një herë dhe ish-drejtorin Hajsek. Shoqëria DIA është regjistruar në vitin korrik 2010 në British Virgin Island nga një shtetase shqiptare, e cila ka emëruar si përfaqësues ligjor të kësaj kompanie në Shqipëri shtetasin Kastriot Ismailaj, të emërtuar “DIA-Dega Shqipëri”. Në regjistrin tregtar shqiptar, kjo kompani është regjistruar me aktivitet “Investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fusha të ndryshme, në burimet natyrore, energjetike, infrastrukturën energjetike, transport ndërkombëtar në rrugë ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, shitblerje aksionesh, tregtimi, import-eksport i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve”. Me datën 01.09.2010 subjektet “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” sh.A. kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Objekti i marrëveshjes ka qenë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme. Kjo marrëveshje është firmosur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj, me cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Tiranë dhe shtetasi Josef Hejsek, aktualisht person në hetimin, me detyrë Kryetar i Bordit Drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a. Marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë CEZ Shpërndarja dhe për këtë arsye, më datë 01.02.2011, midis këtyre palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt dhe për një afat dyvjeçar. Kjo marrëveshje është zgjidhur në muajin tetor të vitit 2011. Nga tërësia e të dhënave të administruara gjatë hetimit të këtij procedimi penal arrihet në konkluzionin se qëllimi i shtetasit Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të shoqërisë dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërisë CEZ Shpërndarja. Për realizimin e qëllimit të tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj, ka pasur si bashkëpunëtor personin nën hetim Josef Hejsek, me detyrë kryetar i Bordit Drejtues të kësaj shoqërie. “I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive në bashkëpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën 512.004. 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë CEZ Shpërndarja, si rrjedhojë edhe për shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26% të aksioneve të kësaj shoqërie. Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizimin e kontratës, por i ka riinvestuar, i ka transferuar jashtë vendit apo i ka përdorur për qëllime personale”-thotë prokuroria.