Alfred Moisiu mbështeti një rezolutë të ngjashme në vitin 2004 


Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, ishte personaliteti i parë që nënshkroi peticionin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për të miratuar sa më shpejt rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Nënshkrimi u bë dje në zyrën e ish-kreut të shtetit, ku mori pjesë kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, ish-kryetari Servet Mehmeti dhe përfaqësues të tjerë, të cilët i dorëzuan zyrtarisht peticionin. Ish-kreu i shtetit, pasi nënshkroi dokumentin, vlerësoi se çështja çame duhet të zgjidhet sa më parë, sepse mbi të gjitha ishte një çështje e të drejtave të njeriut. Sipas tij, shteti shqiptar duhet të fillojë të veprojë dhe të mos heshtë më për këtë çështje. “Unë e mbështes rezolutën për çështjen çame dhe të gjitha partitë politike duhet ta mbështesin atë. Kjo është një çështje dhe një rezolutë e të drejtave të njeriut dhe jo diçka nacionaliste. Ne nuk duhet të trembemi për të kërkuar një të drejtë të mohuar”, deklaroi Presidenti Moisiu. Nga ana e tij, Servet Mehmeti, si nismëtar i rezolutës së vitit 2004, vlerësoi rolin që kishte luajtur Moisiu asokohe në postin e Presidentit, si mbështetës i çështjes çame.


Ardian Tana, në emër të shoqatës “Çamëria”, falënderoi Presidentin Moisiu, duke theksuar se firma e parë në këtë peticion u hodh nga një prej shtetarëve më të zëshëm për të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë, në kohën kur mbante postin e Presidentit të Republikës.