Topi, i shoqëruar nga Krasniqi, takim sot me themeluesit e FRD-së


Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, pritet të zhvillojë sot një takim gjysmë zyrtar me themeluesit e Frymës së Re Demokratike, nga i cili pritet të deklarohet edhe aderimi i tij në këtë parti të re. Burimet nga FRD-ja bëjnë të ditur në takim, përveç themeluesve kryesorë të kësaj partie, si Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, se pritet të jenë të pranishëm edhe mbështetës të kësaj force politike, si Besnik Mustafaj dhe Sali Shehu. Nga ana tjetër, Bamir Topi pritet të shoqërohet në këtë takim nga këshilltari i tij politik në Presidencë, Afrim Krasniqi. Në përfundim të kësaj bisede gjysmë zyrtare mes palëve, pritet të ketë edhe një deklaratë për mediat nga ana e kryetarit të përkohshëm të FRD-së, Gazmend Oketa dhe nga ana e ish-presidentit Bamir Topi. Në këtë prononcim pritet që Topi të shpallë edhe aderimin e tij në këtë forcë të re politike, e cila u themelua para pak muajsh në vend. Duket se FRD-ja dhe Bamir Topi nuk po humbin kohë për sa i përket zgjerimit të aktiviteteve të kësaj partie edhe në muajin gusht. Bashkimi i Topit me partinë e krijuar rishtazi, pritet t’i sjellë FRD-së më shumë vëmendje dhe rritjen e anëtarësisë së saj. Në vjeshtën e këtij viti, FRD-ja pritet të zgjedhë edhe organet e saj drejtuese, mes të cilave kryetarin zyrtar, që me shumë gjasa pritet të jetë ish-presidenti i vendit, Bamir Topi.


F.M