Pak minuta para nisjes së seancës parlamentare, ish-të përndjekurit politikë protestuan para Parlamentit në mbështetje të grevës së urisë që ka mbërritur në ditën e 20-të. Ata i bënë thirrje qeverisë të mos heshtë pasi akte si ato të Ndrecës dhe Bejkos do të përsëriten. Të përndjekurit i kanë kërkuar Ilir Metës të tërhiqet nga koalicioni qeverisës. Protestës iu bashkuan aktivistë të Aleancës Kuqezi pavarësisht një debati në radhët e të përndjekurve se protesta nuk duhet të politizohet.


Aktivistët e Aleancës të cilët marshuan nga kulla e Sahatit u ndalën para Parlamentit ku dogjën postera të kryeministrit Berisha. Aktivistët bën thirrje për largimin e Berishës nga pushtetit. Ndërkohë disa nga aktivistët e kësaj partie janë ndaluar nga policia, me pretendimin se protesta ishte pa leje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të  AK-së Kreshnik Spahiu, i cili e ka cilësuar akt të shëmtuar dhe barbar të policisë së shtetit.


“Sytë e shqiptareve janë drejtuar tek greva e ish-të burgosurve politik të cilët po digjen në kërkim të të drejtave të tyre prej 22 vitesh. Të gjithë ne jemi deshmitarë që Sali Berisha e dogji vendin në vitin 1997 dhe sot në 2012 po ndodh sërish e njëjta gjë. Po digjen njerëz të gjallë dhe po arrestohen qytetare të këtij vendi të cilët në zbatim të ligjeve të vendit po protestojnë për situatën dramatike ne të cilën ndodhet vendi ynë”, deklaroi Spahiu. Sipas tij, Aleanca Kuq e Zi ishte pajisur me leje ligjore për mbajtjen e protestës, por arrestimet kanë qenë politike për të ushtruar presion ndaj mbështetësve të AK.


11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)