Ministria e Brendshme kallëzon 20 persona, mes të cilëve edhe Hysni Burgajn 


hysni burgajZyrtarët dhe ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit, por edhe të Ministrisë së Brendshme, kanë shkelur haptazi ligjin, duke sjellë pasoja të rënda për arkën e shtetit, të cilat llogariten qindra mijë euro. Ministria e Brendshme ka përfunduar auditin e plotë të këtij dikasteri, ku në fund është përpiluar edhe një material voluminoz për prokurorinë, ku janë kallëzuar penalisht 20 persona, mes të cilëve edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ky i fundit, sipas kallëzimit, ka rezultuar zyrtari që ka firmosur të gjitha prokurimet dhe ankandet, ndërsa mes të tjerave ka pasur parregullsi edhe për tenderët “sekretë”, ku nga buxheti për policinë janë keqpërdoruar miliona lekë. Auditi ka përcaktuar se “këta tenderë sekretë” nuk kanë pasur asnjë lloj vlere, pasi në fund janë blerë veç printera, kompjuterë, bateri, apo bojëra. Po kështu, nuk ka pasur “sekrete” as për blerjen e mbajtësve të pistoletave, elektrikët e dorës, apo edhe për blerjen e orendive dhe pajisjeve për ambientet e reja të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.


 


Kallëzimi


Nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, Qendrën e Shfrytëzimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë kanë rezultuar shkelje të shumta ligjore, si pasojë e të cilave është shkaktuar një dëm i madh ekonomik, pa përfshirë vlera të tjera të konsiderueshme që kanë kaluar për vlerësim dhe inspektim financiar nga Ministria e Financave.


Ministria e Brendshme thotë se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës, të dashjes dhe bashkëpunimit” janë dërguar për ndjekje penale pesë persona, ish-drejtues dhe anëtarë të Njësive të Hartimit të Dokumenteve. Në të gjitha praktikat prokuruese nga auditimi u konstatuan dhe u evidentuan mangësi dhe shkelje nga personat përgjegjës në DPPSH. Nga auditivi i 43 procedurave të realizuara gjatë vitit 2013 sa i përket përzgjedhjes së llojit të procedurës rezultoi se janë realizuar: 27 procedura prokurimi “Me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, me fond limit 90.5% të totalit të fondit të procedurave të audituara. Ndërkohë, edhe në tri procedura si “kontratë sekrete” ka pasur shkelje, pa pasur ndonjë argumentim për t’u realizuar si kontrata sekrete dhe pa u mbështetur në legjislacionin për klasifikimin e sekretit shtetëror. Fondi limit për këto procedura ka qenë 99,8% e fondit të prokuruar.


 


Keqpërdorimi i mjeteve


Sipas Ministrisë së Brendshme, nga Qendra e Shfrytëzimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit Tiranë (QSHAMT) janë dërguar për ndjekje penale 6 persona, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës, të dashjes dhe bashkëpunimit”. Këta persona janë përgjegjës për keqmenaxhimin në administrimin e mjeteve të transportit, mosruajtjen dhe dëmtimin e këtyre mjeteve me pasoja financiare në buxhetin e shtetit, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.


 


Ankandet për skrapin


Ka pasur shkelje edhe për ankandet për shitjen e skrapit. “Nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH) janë dërguar për ndjekje penale tre persona. Ata janë përgjegjës për mosdokumentimin e një sasie të konsiderueshme skrapi përbërë nga mjetet e transportit gjendje fizike në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, për mosndjekjen e procedurave ligjore në shitjen e automjeteve, në ankandet publike të zhvilluara në DRRMSH dhe evadimin e sasisë së skrapit të përfituar nga automjetet e vlerësuara për jashtë përdorimit. Akuzohen edhe për dëmtimin e dy automjete të sekuestruara dhe të kaluara në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH), të cilat kanë kaluar për skrap në vitin 2013, pa nxjerrë përgjegjësitë për dëmtimin e tyre”, – pohon Ministria e Brendshme.


Ndërkohë, nga Njësia Rajonale e Policisë Rrugore të Tiranës, janë dërguar për ndjekje penale pesë persona, të cilët janë përgjegjës për moszbatimin e rregullave të dorëzimit të mjeteve në afat, me pasojë dëmtimin e mjeteve dhe humbje të vlerave financiare në buxhetin e shtetit.


 


Të kallëzuarit


Hysni Burgaj, ish-drejtor i Policisë së Shtetit


Ram Oruçi, ish-drejtor i Parkut të Mjeteve


Petrit Çerçizi, ish-drejtor i Rezervave të Shtetit


Fatos Kokalari, ish-shef i Policisë Rrugore


Ali Allaraj, ish-shef i Policisë Rrugore


Genc Peka, ish-shef i Policisë Rrugore


Kolë Kukaj, specialist


Andon Janku, ish-drejtor QSHAM


Syrja Hoxha


Luan Mali


Valbona Xhengo


Baftjar Adushi


 


 


[callout]Prokuroria


Ish-drejtori i Policisë së Shtetit autorizoi zëvendësin e tij, Rasim Borishi


“Reklamat”, Burgaj delegoi kompetencat për tenderin


Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i kallëzuar penalisht nga Ministria e Brendshme, mund të shpallet i “pafajshëm” nga prokuroria. Në dokumentet e sekuestruara në Policinë e Shtetit, në lidhje me tenderin për “reklamat”, ka rezultuar se Burgaj ka firmosur edhe një dokument, sipas të cilit, autorizonte zëvendësin e tij, Rasim Borishi, për të kryer të gjitha procedurat. Ky autorizim, për Ministrinë e Brendshme, është i parregullt, ndërsa nga verifikimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se titullari mund të autorizojë vartësit për të kryer procedura. Pra, duket se Burgaj është drejt “pafajësisë”, megjithëse prokuroria nuk ka marrë ende një vendim për këtë çështje. “Sipas dokumenteve të ofruara nga SHKB-ja, arrihet në konkluzionin se dëmi është 3.1 milionë dollarë. Të denoncuarit kanë paracaktuar fituesit e tenderëve për spotet televizive”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit. Mësohet se kallëzimi penal është bërë disa muaj më parë, ku janë kallëzuar dy ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe Rasim Borishi, bashkë me tetë persona të tjerë. Ata dyshohet se kanë shkaktuar një dëm prej 3.1 milionë dollarësh. Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë, është ajo e shpërdorimit të detyrës, si dhe e shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike. Shkeljet kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve në kuadër të liberalizimit të vizave. Bëhet fjalë për pesë tenderë në shkelje të ligjeve të prokurimit. Ka rezultuar se në tre tenderë, Komisioni i Vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tri dhe një ditë përpara hapjes së ofertave, duke paracaktuar fituesin në të gjitha rastet. [/callout]