Në seancën e djeshme gjyqësore, avokatja e shkrimtarit ka theksuar se u është kërkuar që të tërheqin padinë në këmbim të mospublikimit të letrave që Kadare i kishte dërguar Nexhmije Hoxhës në vitin 1971 dhe 1973. Sipas saj, e paditura ka gënjyer në lidhje me dhurimin e dorëshkrimit dhe pretendon për shkelje të së drejtës së autorit
Sokol Çobo
Në seancën gjyqësore të radhës mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës për dorëshkrimin e librit “Dimri i vetmisë së madhe”, avokatja e shkrimtarit ka theksuar se Nexhmije Hoxha është përpjekur ta shantazhojë Ismail Kadarenë me anë të letrave që ai i kishte dërguar në vitet 1971 dhe 1973, të publikuara tashmë në shtyp. “Në seancën e datës 26 korrik 2012, përfaqësuesi i së paditurës tha se kjo e fundit disponon prova që vërtetojnë se dorëshkrimin ia ka dhuruar shkrimtari. Në seancën e datës 18 shtator 2012, përfaqësuesi i së paditurës depozitoi disa letra të shkrimtarit dërguar zonjës Nexhmije Hoxha në vitet 1971 dhe 1973. Në asnjërën prej këtyre letrave, shkrimtari nuk i dhuron dorëshkrimin së Paditurës. Madje, në asnjërën prej këtyre letrave nuk përmendet dorëshkrimi. Gjithashtu, në seancën e datës 26 korrik 2012, përfaqësuesi i së paditurës kërkoi që në këmbim të mospublikimit të letrave të sipërpërmendura, paditësi të tërhiqej nga kërkesëpadia dhe e paditura të dorëzonte në Arkivin e Shtetit Dorëshkrimin, duke ofruar një zgjidhje jashtëgjyqësore. Në këtë mënyrë, e paditura, në keqbesim, është munduar të shantazhojë shkrimtarin si dhe të përdorë gjykatën për të manipuluar opinionin publik për çështje jashtë objektit të padisë”, ka thënë avokatja e Kadaresë, Flonia Tashko në seancën e djeshme gjyqësore. Sipas saj, e paditura Nexhmije Hoxha ka gënjyer në pretendimet e saj edhe në dy raste të tjera, ku thotë se nuk ka komunikuar me ish-drejtorin e arkivave, Shaban Sinani, njëherësh dhe biografin e Kadaresë, për dhënien e dorëshkrimit. Tashko ka thënë se ka një sërë dokumentesh që flasin se Sinani dhe Hoxha kanë pasur letërkëmbim mes tyre, ku në fund Nexhmija nuk ka pranuar të japë dorëshkrimin origjinal. “E paditura harron se çfarë ka shkruar vetë në letrën e datës 7 dhjetor 2010, paragrafin e tretë të së cilës po e citojmë si më poshtë:
‘Ndërhyrje për dorëzimin e këtij dorëshkrimi janë bërë nga ndonjë person, si një nga biografët e Kadaresë, që ka qenë për shumë vite Drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit, por asnjë letër me shkrim nuk kam marrë nga ai …’”. Gjithashtu, duke iu referuar faktit që Nexhmije Hoxha, përmes avokatit të saj, Aranit Roshi, ka pretenduar se dorëshkrimi i është dhuruar nga vetë shkrimtari, Tashko theksoi se në një pasazh në librin “Jeta ime me Enver Hoxhën”, ajo tregon se më 17 tetor 1972 është takuar me Ismail Kadarenë dhe se në libër jepen shumë detaje rreth takimit, por nuk flitet për një dhurim të dorëshkrimit. Ndërkohë që sipas avokates, në një intervistë në një gazetë të përditshme, Nexhmija pretendon se dorëshkrimi i është dhënë pikërisht në këtë datë nga Kadare. “Në letrën që e paditura më ka dërguar në cilësinë e avokates së zotit Kadare, më datë 7 dhjetor 2010, letër e cila ndodhet në dosjen gjyqësore, zonja Hoxha shkruan: ‘Që nga viti 1972, nga koha që shkrimtari I. Kadare më ka dhuruar dorëshkrimin në fjalë, kanë kaluar afro 40 vjet’. Pra, në vitin 2010, e paditura pretendonte që dorëshkrimi i ishte dhuruar në vitin 1972! Për më tepër, nuk është hera e parë që e paditura përshkruan takimin e datës 17 tetor 1975 midis saj dhe shkrimtarit. Zonja Hoxha e ka përshkruar në mënyrë të detajuar këtë takim në librin e saj ‘Jeta ime me Enverin’, Vëllimi II, botimet ‘Neraida’, Tiranë 2001, faqe 137. Megjithëse takimi i datës 17 tetor 1975 zë pothuajse të gjithë faqen 137, zonja Hoxha nuk përmend që t’i jetë ‘dhuruar’ ndonjë dorëshkrim në këtë ditë.
Në konkluzion, pretendimi i ngritur nga e paditura mbi ‘dhurimin’ e dorëshkrimit më datë 17 tetor 1975 bie poshtë nga letra e vetë zonjës Hoxha, datë 7 dhjetor 2010, si dhe nga krahasimi me versionin e përshkruar në librin e saj. Në mungesë të një prove për të vërtetuar të ashtuquajturin ‘dhurim’, e paditura ka gënjyer sërish mbi takimin e datës 17 tetor 1975”, thekson Flonia Tashko në provat që ka paraqitur dje në gjykatë. Duke iu referuar ligjit “Për të drejtat e autorit”, avokatja e Ismail Kadaresë e ka quajtur mbajtjen e dorëshkrimit të paligjshëm dhe cenim i të drejtave të shkrimtarit. “Neni 118 i Ligjit për të Drejtat e Autorit, i jep të drejtën çdo personi, i cili pretendon se një veprim i caktuar cenon të drejtën e shfrytëzimit të fillojë procedurat ligjore për të njohur të drejtën e tij dhe për të ndaluar veprimin cenues”, ka theksuar avokatja. Në bazë të këtyre argumenteve, ajo i ka kërkuar gjykatës që të rrëzojë pretendimet e palës së paditur dhe të pranojë kërkesëpadinë. Ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, avokati i Nexhmije Hoxhës tha se janë të vendosur që çështjen ta zgjidhin privatisht dhe se janë të gatshëm që dorëshkrimin t’ia dhurojnë Arkivit të Shtetit, por jo Ismail Kadaresë. Në fund, gjykata u shpreh që më datën 3 tetor, palët të paraqesin me shkrim konkluzionet përfundimtare.