Në kuadër të vizitës së tij në Itali, Kryeministri Berisha mori pjese dje në mesditë ne punimet e Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, që u zhvillua në Romë në ambientet e Parlamentit Italian. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Në takimin që u drejtua nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, zoti Pier Ferdinando Casini, morën pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.


Në fokus të eventit ishte rëndësia e ndërtimit të konsensusit dhe qëndrimit të përbashkët mes të gjitha partive politike anëtare të Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, në kuadrin e momenteve të vështira që po kalon Europa, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe rajonet e tjera të botës.


Kryeministri Berisha iu drejtua punimeve të këtij eventi me një fjalë ku vuri theksin në kthimin tek liritë si rruga më e mirë për daljen nga kriza që ka përfshirë Europën dhe botën. Në këtë fjalim, Kryeministri Berisha u shpreh se vlerat e lirisë, demokracisë dhe tregut që janë konsoliduar në Shqipëri, janë në themel të zhvillimit të saj të jashtëzakonshëm në 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste dhe përballimit me sukses të krizës ekonomike botërore.


Duke renditur arritjet e qeverisë së tij në gjatë këtyre viteve, që nga hyrja në NATO, zhvillimin e të drejtave dhe lirive të individit e deri tek treguesit ekonomikë, Berisha shprehu bindjen se partia që ai drejton do të jetë e aftë të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, duke ftuar me këtë rast edhe ndërkombëtarët që të dërgojnë vëzhguesit e tyre për t’i monitoruar ato.


“Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe  vlerave që ndajmë së bashku”, u shpreh Berisha.


22 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)