
Foto: Xhihadistët e Shtetit Islamik
Një shqiptar 27 vjeç dhe një shtetas i Maqedonisë (dyshohet se është shqiptar), 36 vjeç, banues në Bari, janë dëbuar nga Ministria e Brendshme italiane për arsye të sigurisë kombëtare, pasi dyshohen se kanë prirje terroriste.
Shtypi italian raporton se të dy kanë mbajtur raporte të ngushta shoqërore dhe lidhje përmes rrjeteve sociale me një mbështetës marokian të ISIS-it dhe me ekstremistë të tjerë të arrestuar në Kosovë për prirje terroriste. Në kompjuterët personalë të shqiptarit dhe maqedonasit, janë gjetur dokumente me përmbajtje të karakterit anti-perëndimor dhe anti-semit gjithashtu.
Hetuesit italianë kishin kohë që i mbanin nën vëzhgim të dyshuarit, sidomos pas arrestimit të një shtetasi nga Maroku për qëndrimin e tij pro-Shtetit Islamik.
Në vijimësi të hetimeve të thelluara, agjentët kanë dokumentuar kontakte edhe me ekstremistë të tjerë dhe predikues radikalë të vënë në pranga në Kosovë për krime terrorizimi.
Të dy janë riatdhesuar në shtetet e tyre respektove për arsye sigurie me një avion direkt nga Bari.
25 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)