Shkodër
Zef Ejlli qëllohet nga Ermir Gjergji. Autori pranon krimin në polici
Një konflikt i nisur në SHBA ka përfunduar me një të vrarë në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite në fshatin Gurë i Zi, ku është vrarë Zef Ejlli, 67 vjeç. Autori është Ermir Gjergji, 29 vjeç. Sipas policisë, motivi i sherrit ka qenë një konflikt i motrës së autorit me bashkëshortin e saj, djalin viktimës. “Të mërkurën, rreth orës 17.20, jemi njoftuar se në spitalin rajonal Shkodër ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi Zef Ejlli lindur dhe banues në fshatin Gurë i Zi, i cili me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë ka gjetur vdekjen.
Me të marrë njoftim është formuar grupi hetimor ku është shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale, ku pas një pune të mirorganizuar është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të kësaj ngjarjeje. Ai është Ermir Gjergji, lindur dhe banues ne fshatin Rrenc, të Komunës Guri i Zi i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“Ngjarja rezulton të ketë ndodhur për motive të dobëta, pasi motra e autorit, Albina Gjergji, është e martuar me shtetasin Arben Ejlli, i cili është djali viktimës, aktualisht këta dy shtetas jetojnë në Amerikë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të acaruara, pasi shtetasja Albina Ejlli e ka denoncuar disa herë bashkëshortin e saj shtetasin Arben Ejlli”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, në vendngjarje janë gjetur dhe fiksuar një gëzhojë e kalibrit 6.35, si dhe një fishek i goditur. Mësohet se Ermir Gjergji ka pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Policia e Shkodrës tha dje se autori është arrestuar pas rreth 20 minutash në vendin e quajtur Ura e Spatharit. Sipas policisë ishte marrë informacioni se autori i ngjarjes po lëvizte me automjet në drejtim të Vaut të Dejës dhe menjëherë është ngritur postblloku që i ka bërë me shenjë të ndalet makinës së dyshuar. Autori nuk ka bërë rezistencë dhe i është ndalur postbllokut të policisë, ku këta të fundit më pas kanë bërë arrestimin e 32-vjeçarit dhe sekuestrimin e armës së krimit dhe të automjetit me të cilin po lëvizte.
Policia ka shoqëruar dhe familjarët e dy familjeve për të mësuar se nëse mes palëve ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm. Në të njëjtën kohë forcat e policisë kanë marrë në mbrojtje shtëpinë e autorit të ngjarjes për të parandaluar ndonjë veprim hakmarrjeje nga pala e dëmtuar. A.Hoti