Suel Çela nuk është një emër i panjohur për policinë dhe komunitetin e Elbasanit. Emri i tij është përfolur shumë në media si personi që tentoi të vrasë efektivët e policisë së Elbasanit më 18 shtator 2017, në tregun agro-ushqimor në Elbasan.


Ndonëse për këtë person është folur shumë në media, deri më tani policia nuk kishte shpërndarë asnjë foto edhe pse është person me rrezikshmëri të lartë.


30-vjeçari Suel Çela është person i shpallur në  kërkim policor pasi gjykata ka vendosur “Arrest me burg” ndaj tij për veprën penale “Vrasje e punonjësve të policisë mbetur në tentativë”.


Sot  policia ka bërë publike fotografinë, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e tij dhe të 31 personave të tjerë.


Në foton e publikuar nga Policia e Shtetit jepet dhe emri e mbiemri tjetër i 30-vjeçarit si: Marjus (Suel) Petrit Lulaj (Çela). Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda mjetin “Audi” që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela.


I riu nga Elbasani është kundërshtar i fisit të Çapajve, një bandë kjo mjaft e rrezikshme dhe aktive. Vrasjet mes këtyre dy fiseve e kanë zanafillën në vitet 1997 dhe që nuk janë ndaluar për asnjë moment.


10 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)