6 persona kanë mbetur të vdekur, ndër të cilët 5 shqiptarë dhe një grek, në dy aksidente të ndodhura në Greqi në orët e para të mëngjesit të sotëm. Aksidenti i parë ndodhi në rrugën Janinë-Artë, kur një shofer grek në përpjekje për të parakaluar një kamion, dhe u përplas me një makinë të dytë, e cila drejtohej nga një shqiptar.


Si rezultat i përplasjes fatale mes dy mjeteve kanë mbetur të vdekur në vend drejtuesit e të dyja makinave, shtetasi shqiptar, 40 vjeç dhe shtetasi grek 29 vjeç. Ndërkohë, 4 pasagjerët që ndodheshin në makinat e aksidentuara u dërguan menjëherë në spital, pasi kishin dëmtime të rënda, ku pak kohë më vonë ndërroi jetë edhe një vajzë 11- vjeçare nga Shqipëria, e cila udhëtonte në makinën e shtetasit shqiptar që mbeti viktimë e aksidentit.


Aksidenti i dytë ndodhi pak kohë më vonë, në rrugën Janinë-Kozani, afër fshatit Latista, ku tre persona kanë gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes fatale të dy automjete. Shtetasit e mbetur viktima të këtij aksidenti janë të tre shqiptarë që mendohet se po ktheheshin në Shqipëri për pushime; shoferi 23-vjeçar i njërit prej mjeteve, një grua 49 vjeçe si dhe një fëmijë 2 vjeç, ndërsa të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme në spitalin e Janinës.


Ende nuk janë bërë të ditur identitetet e viktimave të këtyre dy aksidenteve fatale, ndërkohë që policia e Janinës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjeve tragjike.


11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)