Koalicioni


Prefekti i Fierit dhe i Durrësit tërhiqen nga funksionet. Priten largime të tjera


Vali Qyrfyçi / Edmond Hoxhaj


Robert BitriKoalicioni parazgjedhor mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka sjellë dje dorëheqjen e dy prefektëve. Prefekti i Fierit, Robert Bitri, si dhe ai i Durrësit, Genci Alizoti, kanë paraqitur dorëheqjet, duke i qëndruar besnikë vendimit të Kryesisë së LSI-së për të dalë në opozitë.


Fieri


Prefekti i Fierit, Robert Bitri, i cili është aktualisht edhe kreu i LSI-së për Fierin, sqaroi dje para mediave, se kjo dorëheqje është e imponuar nga ndryshimet dhe konfiguracioni i ri politik në vend. “Deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti politik i prefektit të Qarkut Fier. Ky hap vjen pas vendimit të Kryesisë së LSI-së për përfundimin e marrëveshjes që kjo forcë politike bëri me Partinë Demokratike në kuadër të integrimit të vendit. Mua më duhet që të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur e ndihmuar gjatë punës sime në këtë detyrë”, ka theksuar prefekti Bitri. Më tej, Bitri është ndalur edhe në ngërçin e Këshillit të Qarkut Fier, që u krijua pikërisht për shkak të qëndrimit që mbajti LSI-ja dhe bashkëpunimit me PD-në në ndryshimin e këshilltarëve të njësive vendore që i përfaqësonin këto bashki apo komuna në Këshillin e Qarkut. “Në ditët në vijim do të shohim se çfarë do të bëhet me këshillin e qarkut. Unë do të vazhdoj të jem kryetar i LSI-së për Rrethin e Fierit”, deklaroi Bitri. Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende zëvendësuesi i tij, nga burime pranë PD-së është mësuar se kandidati kryesor për këtë post është sekretari i përgjithshëm i prefekturës, Vasil Nderko, i cili njihet për eksperiencën e tij në këtë fushë. Ditën e sotme e në vazhdim pritet që në Qarkun e Fierit të ketë lëvizje të tjera të zyrtarëve të LSI-së, siç janë drejtori i bujqësisë, drejtoresha e spitalit, si dhe të tjera ndryshime në rang specialistësh.


Durrës


Nga ana tjetër, dorëheqjen e ka dhënë edhe prefekti i Durrësit, si një akt i kuptueshëm pas aleancës parazgjedhore të bërë mes LSI-së dhe Partisë Socialiste. Gjatë një konference për shtyp, prefekti Genci Alizoti deklaroi dorëheqjen e tij në kushtet e diktuara nga marrëveshja e re politike, duke falënderuar të gjitha strukturat dhe institucionet për bashkëpunimin. Genci Alizoti, një emër i njohur në Partinë Socialiste të Durrësit, u rreshtua në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas ndarjes së saj nga partia mëmë. Në vitin 2009, pas marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSI-së dhe Partisë Demokratike, Alizoti u zgjodh përfaqësues i qeverisë në Qarkun e Durrësit, post që ai e mbajti deri në dhënien e dorëheqjes. E ndërsa priten edhe dorëheqje të tjera të përfaqësuesve të LSI-së në nivel drejtuesish në organe me vartësi qendrore në Durrës, ende nuk është deklaruar se çfarë pozicioni do të mbajnë katër anëtarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Aktualisht, Bashkia e Durrësit që drejtohet nga socialisti Vangjush Dako, ka një këshill bashkiak ku shumicën e kanë të djathtët. Kjo shpeshherë ka çuar në bllokim të projekteve të bashkisë, ndërsa kalimi i 4 këshilltarëve të LSI-së në aleancë me PS-në do të çonte në përmbysje të raportit, rrjedhimisht ndryshim të shumicës.


 


 


Reagimi


Sekretari i përgjithshëm i LSI-së shpreh shqetësim për spastrimet në administratë


Rama: Jo gjah elektoral ndaj punonjësve me status nëpunësi


Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, shprehu dje shqetësim për sa u përket shkarkimeve në administratën qendrore dhe vendore të punonjësve të ardhur nga radhët e kësaj partie, të cilët kanë statusin e nëpunësit civil. Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se këta punonjës nuk duhet të përdoren si gjah elektoral. “Shqipëria nuk është më 15 apo 20 vite më parë kur zgjedhjet apo afrimi i zgjedhjeve shërbente për të krijuar viktima elektorale, apo për të realizuar gjah elektoral me punonjësit e administratës publike”, theksoi Rama, duke iu bërë thirrje demokratëve të mos lëviznin stafin e mbrojtur nga ligji i shërbimit civil në vend. Sipas Ramës, është shumë e nevojshme që këta punonjës të vijojnë detyrën të qetë në shërbim të interesave të qytetarëve. “Ata janë punonjës në detyrë për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo për t’u bërë pre dhe as instrumente të manovrave politike, aq më tepër që jemi përpara zgjedhjeve dhe administrata publike, administrata shtetërore e të gjitha niveleve në pushtetin qendror apo në atë lokal, duhet të jetë tërësisht e fokusuar për të garantuar të njëjtën cilësi shërbimi dhe të njëjtin angazhim ndaj qytetarëve deri në ditën e zgjedhjeve”, theksoi Rama. Sipas tij, LSI-ja e kishte zbatuar me rigorozitet marrëveshjen me PD-në dhe ishte e qartë për pasojat politike që vinin nga mosrinovimi i kësaj marrëveshjeje.