edi rama per shendetesineKreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar diskutimet e tij mbi sistemin shëndetësor pasditen e sotme, në një takim të organizuar me mjekët, në kuadër të javës për shëndetësinë.


Lideri i opozitës ka paraqitur programin e PS për reformimin e sistemit shëndetësor, duke garantuar se paketa e PS për një “Rilindje Kombëtare”, përfshin një nga reformat më radikale dhe më të vështirat që do bëhen në sistemin shëndetësor.


Në fjalën e tij Rama ka theksuar se synimi i opozitës kur të vijë në pushtet është kthimin e shëndetësisë në një sistem ku të kenë akses të gjitha shtresat.


“Shërbimin shëndetësor duhet ta gëzojnë të gjithë, edhe ata që s’kanë mundësi të paguajnë. Shërbimin shëndetësor duhet ta blejë shteti. Prandaj ne propozojmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar”, ka deklaruar Rama.


Ai ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhimin e sistemit shëndetësor për qëllime përfitimi, duke theksuar se PS në programin e saj ofron shërbim shëndetësor sipas nevojës, ndërsa sipas tij, atyre që sot janë në qeveri u interesojnë vetëm kontributet.


“Duhet ta rinënvizoj atë që na dallon qartësisht nga ata, që theksojnë se shëndeti është mall që blihet. Për ne është e mirë publike që duhet ta gëzojmë. Ata thonë, kush nuk mund ta blejë të lusë Zotin të mos sëmuret. Kemi padrejtësi që godet të gjithë ata që janë më të dobët”, – theksoi Rama.

15 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)