Zbulimet e reja për jetën e monstrës së Laprakës. Burri i motrës, bazë në Volos të Greqisë
Kërkimet për Julianin – Megjithëse kanë kaluar disa muaj nga arrestimi i Prenjasit dhe dëshmia e tij se e ka hedhur Julianin në Sharrë, ende nuk është gjetur ndonjë provë për Julian Çelën
Në kërkim tek Interpoli – Julian Çela, djali 10-vjeçar i nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, duke e renditur në listën e personave të humbur në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit
Silvana Muça
Ardian Prenjasi, 45-vjeçari që akuzohet për pedofili dhe zhdukjen e Julian Çelës, mund të ketë si bashkëpunëtor kunatin e tij, burrin e motrës, emri i të cilit nuk bëhet me dije për arsye hetimore. Nga të dhënat mësohet se kunati i 45-vjeçarit, pas viteve ’90 është njohur si person me precedent të lartë penal. Dyshohet se ai merrej me trafikim të fëmijëve, femrave dhe klandestinëve, duke i ndihmuar këta të fundit që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt shumave të majme. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kunati i Prenjasit e ka pasur bazën e trafikimit të fëmijëve në zonën e Volosit të Greqisë. Prej vitesh, personi në fjalë jeton me një identitet të rremë dhe arsyet mund të kenë lidhje me aktivitetin kriminal, që dyshohet se ai ka ushtruar prej vitesh. Të gjitha këto të dhëna i janë referuar prokurorisë për t’u bërë pjesë e hetimeve.
Ndërkaq, e shkuara e Ardian Prenjasit është mjaft e dyshimtë. Ai ka udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin, prej akuzave që janë ngritur në emër të tij. Para viteve ’90, Komiteti i Partisë në bashkëpunim me Shërbimin e Brendshëm, kanë firmosur një dokument që kërkonte largimin e 45-vjeçarit nga qyteti i Përrenjasit, pasi ai akuzohej për vepra të turpshme. Prenjasi është larguar nga qyteti i tij, për t’u transferuar më pas në Elbasan, ku jetoi për disa vite. Ndonëse qyteti ishte i madh, 45-vjeçari filloi të kthehej në një shqetësim për komunitetin, pasi shfaqi prirje të theksuara pedofilie. Madje, në vitin 2004, ai u akuzua për zhdukjen e të miturit Artur Cara, fati i të cilit ende nuk dihet. Ndonëse prindërit e Carës i kërkuan Prokurorisë së Elbasanit që të hetonte mbi Prenjasin, një gjë e tillë nuk u mor parasysh. I ndodhur përballë akuzave, pedofili migroi drejt kryeqytetit, ku do ta kishte mjaft të lehtë ushtrimin e aktivitetit prej pedofili dhe rrëmbimin e fëmijës. Në vitin 2008, ai u bë protagonisti i rrëmbimit të një tjetër fëmijë në zonën e Laprakës, fatmirësisht i shpëtuar në kohë nga kushëriri i parë i tij. Edhe në këtë rast, prindërit e fëmijës kërkuan hetimin e 45-vjeçarit, por gjithçka u mbyll me një gjobë. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, 10-vjeçari Julian Çela zhduket pa lënë gjurmë dhe kërkimet vazhduan pa ndërprerje. Në mars të 2013-s, një tjetër fëmijë kthehet në prenë e pedofilit. Vogëlushi, i cili e kishte shtëpinë përballë banesës ku Prenjasi jetonte me qira, u shpëtua në kohë. Ai pretendon se Prenjasi natën e rrëmbimit ka bërë një telefonatë, duke i thënë bashkëpunëtorit të tij, që gjithçka ishte gati dhe se duhej të vinin që ta merrnin. Por as kjo dëshmi nuk mundi ta çojë grupin hetimor drejt zbardhjes së ngjarjeve të rënda.
Pas arrestimit në kohë të monstrës së Laprakës, ai do të pranonte autorësinë e zhdukjes së Julian Çelës, duke thënë se e kishte vrarë vogëlushin, pasi nuk kishte pranuar që të kryente marrëdhënie me 45-vjeçarin. Me gjakftohtësi të madhe, Prenjasi ka dëshmuar para grupit hetimor mekanizimin e vrasjes së Julian Çelës. Sipas tij, 10-vjeçarin pasi e mbyti, e ka mbledhur me një batanije ngjyrë të kuqe me vija të bardha dhe më pas e ka hedhur në koshin e plehrave. Të nesërmen e kishte parë “viktimën” në landfillin e Sharrës. Menjëherë pas kësaj dëshmie, policia nisi kërkimet në Sharrë, të cilat zgjatën për ditë të tëra, por pa rezultat. Kërkimet e dështuara për gjetjen e trupit të pajetë në Sharrë kanë detyruar prokurorinë të rikthehet pas, pikërisht te provat shkencore të gjetura në banesën e Ardian Prenjasit. Burimet bëjnë me dije se grupi hetimor që është marrë me çështjen e Julian Çelës ka shkuar në banesën e tij për të sekuestruar sendet personale të përdorura prej 10-vjeçarit, që t‘i krahasojë me gjurmët e gjakut të gjetura në lavamanin e banjës së Ardian Prenjasit. Thuhet se hetuesit kanë marrë fletore nga çanta e shkollës dhe rroba të përdorura prej vogëlushit, para se ai të zhdukej, sepse dyshohet që aty ka mbetje biologjike të tij. Sendet personale të Julian Çelës dhe gjurmët e gjakut të gjetura në lavamanin e banjës në banesën e Ardian Prenjasit, do të dërgohen në një laborator kriminalist jashtë Shqipërisë. Pas daljes së analizave, ekspertët do të krahasojnë ADN-në e gjakut të gjetur në banesë me ADN-në e 10-vjeçarit, të marrë nga fletoret dhe bluzat e tij. Sipas hetuesve, përgjigjja e krahasimit shkencor do të provojë nëse Julian Çela ka qenë në banesën e pedofilit, i cili pretendon se e ka mbytur me duar pas kundërshtimit për të kryer marrëdhënie seksuale.
Prokuroria
Monstra është vënë në provë për disa episode, mblidhen prova për pistën e trafikimit
“Dyshojmë se Ardian Prenjasi gënjen, deklarimet e tij janë të ndryshme”
Dosja e Elbasanit – Në vitin 2004, një i mitur 9 vjeç u zhduk në rrethana misterioze nga markata e Elbasanit. Artur Carja ka humbur në mesditë, në kohën që ka qenë duke shitur qese
Monstra i Laprakës, Ardian Prenjasi, dyshohet se ka gënjyer grupin hetimor për “krimet” që ka kryer me fëmijët. Ai është marrë disa herë në pyetje dhe shpeshherë është vënë në provë nga hetuesit, të cilët e kanë pyetur për një fakt shumë herë. Në fund, oficerët e policisë gjyqësore janë shtangur, pasi kanë konstatuar se përgjigjet e tij kanë qenë të ndryshme, madje edhe me të dhëna të tjera, të cilat ishin aludime të 45-vjeçarit. Pas këtij konstatimi, grupi hetimor po shpejton të mbledhë informacione për pistën e trafikimit të fëmijëve, ku dhe Prenjasi dyshohet se ka qenë në një grup.
“Pas arrestimit, Ardian Prenjasi është marrë shumë herë në pyetje, të cilat kanë qenë në formën e deklarimeve, pyetje-përgjigje, por edhe në video. Ai është pyetur për rastin e abuzimit me fëmijën 10-vjeçar, të cilin e ka pohuar, ndërsa fokusi ka qenë zbardhja e fatit të Julian Çelës. Fillimisht ka treguar se e ka mbytur, pasi vogëlushi nuk pranoi të kryente marrëdhënie dhe trupin e tij e ka hedhur në një kazan plehrash. Një makinë e mbledhjes së mbeturinave e ka çuar në Sharrë, ku Prenjasi tha se e kishte parë të nesërmen dhe ishte kujdesur që të mos dilte në sipërfaqe. Më pas, tregoi disa herë vendin se ku e kishte hedhur, madje dha edhe disa versione”, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat thanë se seancat e pyetjeve janë zhvilluar për disa ditë me radhë, ku krahas dy rasteve të fundit, monstra është pyetur edhe për episode të mëparshme. Megjithëse nuk ka pranuar asnjë rast më parë, akuza thotë se të paktën dy raste, ai i vitit 1994 dhe rasti i vitit 2008 është i dokumentuar, pasi ka edhe vendime gjyqësore. Megjithatë, Prenjasi ka treguar paqartësi për këto raste dhe nuk ka marrë asnjë gjë përsipër.
Pas paqartësive të dukshme të Ardian Prenjasit, prokuroria ka rikthyer në hetim edhe pistën e trafikimit të vogëlushit Julian Çela, i zhdukur pasditen e 30 nëntorit të vitit të kaluar. “Po hetojmë në dy pista, ku më kryesorja është vrasja e vogëlushit dhe hedhja e trupit në landfillin e Sharrës. Megjithatë po mbledhim prova, kryesisht dëshmi, edhe për pistën e trafikimit, pasi disa familjarë të Julianit, fqinj dhe kolegë të Prenjasit, kanë treguar edhe për disa episode të dyshimta”, pohojnë burimet nga grupi hetimor, të cilët kanë bashkuar edhe rastet, ku krahas Julianit, po hetojnë edhe për zhdukjen e Artur Carës në vitin 2004, ku sërish i dyshuari kryesor është Prenjasi.
Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se Prokuroria e Elbasanit ka gjetur dosjen e vitit 2004 në Elbasan, atë të zhdukjes së Artur Carës nga markata e qytetit. Fashikulli hetimor u është servirur hetuesve të çështjes, që kanë filluar verifikimet për të gjetur elemente të përbashkëta me rastin e Julian Çelës. s.ç.
Pas dështimit për gjetjen e trupit, mbyllen dyert e mortit
Familja e Julian Çelës: Shpresë se është gjallë
Familja Çela, pas dështimit për gjetjen e trupit të Julianit në landfillin e Sharrës, ka mbyllur dyert e mortit dhe ka nisur kërkimet private për gjetjen e 10-vjeçarit të zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit 2012. Ata besojnë se pjesëtari më i vogël i familjes nuk është vrarë nga Ardian Prenjasi dhe se 45-vjeçari gënjen, për arsye që ata nuk dinë t’i thonë. Pas marrjes së informacioneve nga prokuroria, e cila është e dyzuar se kë pistë të hetojë më parë, familja ka preferuar që të nisë kërkimet private.
“Juli nuk ka vdekur. Ai është gjallë dhe besojmë se është shëndoshë e mirë. Kemi shumë shpresa që do ta gjejmë. Nuk i besojmë dëshmisë së Ardian Prenjasit.” Këto janë fjalët që një e afërme e Julian Çelës, 10-vjeçarit të zhdukur 30 nëntorin e vitit të kaluar, ka thënë për gazetën disa javë më parë. Sipas saj, të gjithë të afërmit e 10-vjeçarit besojnë të njëjtën gjë. Dhe, për këto të dhëna, familja e të zhdukurit ka mbyllur dyert e mortit, të cilat qëndruan hapur për javë të tëra, pasi më 17 mars, Ardian Prenjasi dëshmoi në polici se kishte vrarë vogëlushin, pasi nuk pranoi që të kryente marrëdhënie seksuale. Për policinë ai ishte mjaft bindës në ato që thoshte, megjithëse asnjë provë nuk është gjetur në Sharrë dhe në banesën e tij, të cilat do të ndihmonin grupin hetimor për të ngritur pistën e vrasjes për 45-vjeçarin. Historia e tij bëri që familja e vogëlushit të hapte dyert për ngushëllime. Në banesën e Julian Çelës hynin dhe dilnin një mori njerëzish, të veshur me të zeza. Të njëjtën gjë kanë bërë për disa javë dhe ndiqnin me interes gërmimet në Sharrë. Shpresonin të gjenin trupin e vogëlushit, në mënyrë që ta varrosnin sipas ritualeve mortore. Mungesa e gjetjes së gjurmëve ka rritur shpresat se ai mund të jetë shëndoshë e mirë. Si pasojë e kësaj, të afërmit kanë mbyllur dyert e mortit dhe në mënyrë private kanë nisur kërkimet. “Hetimet kanë nisur masivisht prej nesh. Besojmë shumë që Juli është mirë. Ne besojmë se ai është gjallë. I lutemi Zotit që ta gjejmë! Ai është rritur në shtëpinë time. Unë nuk e kam kushëri Julin, por e konsideroj si vëllain tim të vogël. Më mungon shumë. Babai i Julit po bën të pamundurën që ta gjejë. Policia po bën punën e saj, por hetimet po bëhen më shumë në mënyrë private. Ndoshta ai edhe e ka vrarë, por ne jemi më shumë te versioni se ai është diku dhe mirë”, thotë kushërira e 10-vjeçarit të zhdukur. Ajo nuk di të thotë nëse ka ndonjë sinjal, i cili ka rritur besimin se vogëlushi është gjallë, apo është thjesht një dëshirë e tyre. Zhdukja e Julian Çelës mbetet e mistershme për të gjithë të afërmit e tij.
Në faqen e “Facebook”-ut të 10-vjeçarit, ata i kanë bërë thirrje shoqërisë së tij, të tregojnë identitetin e personit që e nxori nga interneti i Zanës, ditën e zhdukjes. Askush prej tyre nuk i është përgjigjur thirrjes në rrjetin social. Gjithashtu, të afërmit kanë hedhur dyshime se Ardian Prenjasi është përfshirë në ndonjë bandë të trafikimit të fëmijëve jashtë shtetit. Mungesa e gjurmëve biologjike të Julian Çelës në Sharrë dhe në banesën e 45-vjeçarit, kanë forcuar dyshimet se 10-vjeçari nuk është vrarë.