Kontradiktat


Raviola tregoi shantazhin, dje në gjykatë mohoi thëniet. Gjykata e lë në burg, bashkë me Dardhën, Gjanën e Rustemin


Sokol Çobo


Nëna e një fëmijë trevjeçar, Raviola Lila, ka qenë e luhatshme në deklarimet e saj, teksa në polici ka sqaruar se e ka shantazhuar biznesmenin, e ndihmuar nga të pandehurit Altin Dardha, Ervin Gjana e Rustem Koci. Dje në gjykatë, ka mohuar gjithçka, duke pretenduar nëpërmjet avokatit të saj, se është e pafajshme. Fillimisht, në deklarimet disa orë pas arrestimit, pasditen e 22 nëntorit, juristja tregoi të gjithë planin për të shantazhuar Juliandin. Ajo tha se djemtë kishin përgatitur të gjithë planin dhe pasi mësuan për aktivitetin tregtar dhe të dhënat e familjes, vendosën t’i bëjnë shantazh. Në lojë ishte futur Raviola, e cila ka joshur 36-vjeçarin. Fillimisht i ka kërkuar ta shoqërojë deri në shtëpi, pasi po binte shumë shi dhe më pas ka kontaktuar me telefon, duke lënë takimet e radhës, e deri ditën kur të dy, sipas saj, kanë shkuar në një hotel. Sipas Lilës, para takimit, të tretë djemtë, Ervini dhe Altini i kanë kërkuar që të filmojë skenën e seksit me biznesmenin, duke i dhënë edhe një telefon, që mund të regjistronte gjithçka, që më pas ta përdornin kundër tij. Fillimisht ajo ka pranuar, por në momentin që ka shkuar në hotel, sipas saj, e ka pasur të pamundur të filmojë skenën. Bazuar në këto deklarime, prokuroria ka kërkuar në gjykatë masën e arrestit me burg për katër të arrestuarit. Duke bashkëngjitur edhe deklarimet e biznesmenit, si dhe përgjimet e vëzhgimet, prokurori Gentian Trenova kërkoi masën e arrestit me burg për Altin Dardhën, Ervin Gjanën dhe Rustem Kocin, ndërsa masën e arrestit shtëpiak për 24-vjeçaren.


Dje në gjykatë, fillimisht është zhvilluar masa e sigurisë për Gjanën dhe Kocin. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë shpjegime, ndërsa avokati i Altin Gjanës ka deklaruar para gjyqtares Etleva Deda se deklarimet në prokurori të vajzës ishin bërë për arsye xhelozie, pasi ishin të lidhur prej disa kohësh. Megjithatë, gjykata ka vendosur burg pa afat. E njëjta masë edhe për Rustem Kocin, i cili ka rol mbështetësi për grupin.


Më pas është kryer masa ndaj Raviola Lilës. Gjykata ka filluar të pyesë avokatin, i cili tha se arrestimi ishte i paligjshëm, ndërsa pohoi se klientja e tij ishte e pafajshme. Sipas saj, gjithçka ka qenë një sajesë dhe faktet e prokurorisë ishin të pabaza. Gjykata e pyeti nëse pranonte thëniet e avokatit, ndërsa 24-vjeçarja tha se po. Më pas, kërkoi mëshirë, për një masë më të butë. Gjyqtarja e pyeti përse kërkon mëshirë, në një kohë që avokati tha se “klientja është e pafajshme”. Më pas, fjalën e mori prokurori Trenova, i cili kërkoi pesë minuta kohë për të bërë rivlerësimin e masës së sigurisë. Pas konsultimeve, ai ndryshoi masën, duke kërkuar arrest me burg, pasi e arrestuara ka ndryshuar thëniet në gjykatë, në një kohë, që në prani edhe të avokatit, kishte deklaruar më parë të gjithë shantazhin, madje edhe me detaje. Gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e arrestit me burg për Raviola Lilën, e cila akuzohet për gjobëvënie, ashtu si dhe tre bashkëpunëtorët e saj.


 


Tre takimet e juristes me biznesmenin


Në të parin e shoqëroi në shtëpi, në të dytën pinë kafe dhe në të tretin në hotel


Juristes Raviola Lila i janë dashur tre takime të bindë biznesmenin Juliand M. të krijojë një lidhje intime, siç e kishin parashikuar urdhëruesit e saj, Ervin Gjana dhe Altin Dardha. Në takimin e parë, para 10 ditësh, 24-vjeçarja, e udhëzuar, i ka dalë para automjetit tip BMË X5 të biznesmenit, duke i kërkuar që ta shoqërojë në shtëpi, në afërsi të “9-katësheve”. Juristja ka shfrytëzuar kohën me shi që t’i kërkojnë një “nder” të vogël. Në fund të këtij udhëtimi, Raviola dhe Juliandi kanë shkëmbyer numrat e telefonit. Disa ditë më parë, të dy takohen sërish në Kombinat dhe, pasi bënë një xhiro me automjet, vendosin të pinë kafe. Në kohën mes takimit të dytë dhe të tretë, biznesmeni tenton të komunikojë me telefon me 24-vjeçaren, por ajo nuk ia hap telefonin, pasi ishte mësuar mjaft mirë të bënte të “vështirën”. Në këtë kohë, të dy kanë shkëmbyer mesazhe, për vendin e takimit, i cili u la pas disa ditësh. Në takimin e tretë, i cili ishte edhe plani i gjobëvënësve, Raviola dhe Juliandi janë takuar në Kombinat. Ulen në një kafe, dhe më pas shkojnë diku më larg, ku juristja, në deklarimet në polici ka thënë se ishte hotel, ndërsa biznesmeni ka thënë se ishte një restorant. Pasi qëndrojnë 30 minuta në këtë vend, në periferi të Tiranës, dalin dhe në oborr i dalin para Altin Dardha dhe Ervin Gjana. Më aktivi ishte Ervini, i cili kërcënoi me jetë Raviolën, duke i thënë se kush është ky person. Më pas, i janë drejtuar biznesmenit Juliand D., të cilit i thonë “çdo ti me kushërirën time”. Më pas, duke sqaruar muhabetin me tone të larta, i thonë Juliandit se duhet ta marrë për grua, pasi ndryshe do ta vrasin. Në bashkëbisedim e sipër, biznesmeni thotë se ishte thjesht një takim, por Altini dhe Ervini këmbëngulnin se “nëse do ta mbyllësh këtë muhabet, duhet të japësh 100 mijë euro, pasi ngjarja do të bëhet publike”. I shtangur nga kërkesa e dy personave, biznesmeni ka pranuar dhe më pas është drejtuar në polici.


Ka bërë denoncimin dhe ka shpjeguar të gjithë shantazhin, ndërsa policia u ka kërkuar identitetet e personave. Nga verifikimet paraprake, oficerët e policisë gjyqësore mësuan se personat e denoncuar ishin disa të hetuar për shpërndarje lëndësh narkotike dhe menjëherë i vunë në përgjim dhe vëzhgim.


Nga verifikimet rezultoi e provuar se këta persona kishin marrë të gjithë informacionin për lëvizjet e biznesmenit, orën që shkonte në punë në Kombinat dhe atë të daljes. Ata, sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë qëndruar tre ditë në Kombinat, ndërsa janë ndihmuar edhe nga motra e Ervin Gjanës. Më pas, kanë thurur planin për gjobëvënien, duke futur në lojë edhe juristen 24-vjeçare Raviola Lila, nëna e një fëmijë trevjeçar. Ata e kanë mësuar dhe udhëzuar se si duhet të sillej, derisa ka kontaktuar për herë të parë me biznesmenin. s.ç