Në rrjetin e të dhënave në qendrat shëndetësore kërkohet edhe vendi ku hidhet vota


Lorina Mixha


Në Kamzë, në institucionet shkollore, vendore por tanimë edhe në institucionet shëndetësore, kërkohen të dhëna ekstra për regjistrim. Konkretisht, në mbi 10 qendra shëndetësore të Kamzës mjekëve, infermierëve por edhe sanitarëve, u janë kërkuar që përveç të dhënave të përgjithshme, banesa, certifikata, të cilat tregojnë regjistrin civil apo kërkesa të tjera që mbahen shënim nga çdo institucion shtetëror, edhe detaje të qendrave të votimit. Konkretisht përveç banimit, që vërtetohet nga bashkia, apo vërtetimit të banesës, institucioni i punës u kërkon vartësve që të shënojnë edhe njësinë e votimit, pra qendrën se ku do të hedhin votën majin e vitit të ardhshëm.


Lajmi është konfirmuar nga punonjësit e qendrave shëndetësore, të cilët kanë shënuar në evidencat e qendrave shëndetësore edhe njësinë se ku do të votojnë e ku kanë votuar më parë.


Kërkesa


Punonjësve të qendrave shëndetësore në fund të muajit tetor, si të vjetërve ashtu edhe të rinjve që kanë ardhur në punë, u është kërkuar të plotësojnë dhe të dorëzojnë të dhënat e tyre, përveç kualifikimeve dhe dokumenteve rutinë, që kërkohen nga institucioni i punës si pjesë e dosjes personale të secilit nëpunës, edhe informacione shtesë, të lidhura me procesin zgjedhor.


Certifikata personale apo familjare jep të dhënat se ku banon apo evidenca të lidhura me statusin, gjendjen civile, numrin e personave në familje. Ndërkohë që vërtetimi i banimit tregon zonën e banimit, bllokun. Këto dokumente janë procedurë normale që u kërkohen punonjësve në çdo institucion shtetëror, ndërkohë që rrjeti i të dhënave i këtij viti, që mban çdo qendër shëndetësore e Kamzës kërkon edhe njësinë e votimit për secilin punonjës, mjek, infermier, personel mbështetës, qoftë edhe sanitar.


E njëjta kërkesë ka ardhur edhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, të mesme apo fëmijët e sistemit parashkollor të regjistruar në klasat parapërgatitore apo kopshte. Pjesë e procedurës së regjistrimit për këtë vit në shkollat e Kamzës ka qenë edhe informacioni shtesë, se ku ndodhet njësia e votimit ku familjarët e tyre hedhin votën.


Nxënësit


Për t’u regjistruar në një nga shkollat e Kamzës, 9-vjeçare apo e mesme, fëmijëve përveç certifikatave, dëftesave apo librezave të vaksinimit u kërkohen të identifikojnë edhe qendrën ku votojnë anëtarët e familjes.


Por jo vetëm, kërkesë tjetër që u bën mësuesi në klasë është të pyesin prindërit nëse i kanë paguar detyrimet e tyre pranë bashkisë, lidhur me shlyerjen e taksave dhe tarifave vendore.


Detajet e nxënësve në shkolla, qendra e banimit, lagjja, numri i banesës, profesioni i prindërve dhe sa të punësuar ka në familje janë të rëndësishme për t’u mbajtur në regjistrat e shkollës, por dy risitë e këtij viti lidhen me pagesat e taksave vendore dhe informacionin për vendvotimin.


Certifikata personale apo familjare apo edhe vërtetimi i banimit e faktojnë zyrtarisht vendin se ku banon familja e nxënësit të regjistruar në gjimnaz, në 9-vjeçare apo në kopsht, ndërkohë që qendra se ku voton prindi mund të jetë e ndryshme nga vendi i banimit. Të çuditur, nxënësit kanë kërkuar informacion në familje për ta transmetuar më pas te mësuesja në klasë.


Kjo kërkesë ka qenë e detyrueshme ndaj nxënësve që nga ata të parashkollorëve deri tek ata në klasën e 12.


 


Nxënësit – Janë pyetur nga mësuesit se ku shkojnë për të votuar prindërit e tyre. Qendra e votimit mund të jetë e ndryshme nga ajo e banimit


Shëndetësia – Punonjësit e shëndetësisë në qendrat shëndetësore të Kamzës janë pyetur nga administrata, përveç të tjerash, edhe për njësinë e votimit


Shkollat – Sipas drejtorive të shkollave në Kamzë, kërkesat për rrjetin e të dhënave të institucionit shkollor kërkohen vetëm për procedurë


Taksat – Pjesë e kërkesave në shkolla dhe institucione të tjera shkollore janë edhe nëse pagesat e taksave dhe tarifave vendore janë shlyer nga familja