KQZ siglaNesër në mesnatë përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Tashmë nga kampi blu dihet se ku do kandidojë Sali Berisha dhe figurat kryesore: Ridvan Bode, Jozefina Topalli, Sokol Olldashi apo Astrit Patozi. Është konfirmuar gjithashtu edhe përfshirja në listë e ish-socialistëve Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani, dhe pritet ajo e kryetarëve të partive aleate.


Berisha bëri të ditur, të enjten, se ai do të kryesojë listën e Tiranës, Topalli atë të Shkodrës, Olldashi në Fier, ndërsa Bode në Korçë. Ajo që do të shihet të hënën është nëse Berisha do të konfirmojë Kadelin në Lezhë, Dogjanin në Kukës apo Tiranë dhe, më interesantja, se ku do të vendosë Islamin e krerët e partive aleate.


Mes demokratëve ende nuk janë shfaqur shenja të forta të pakënaqësisë, ndoshta edhe pse lista e deputetëve për shumicën e tyre vazhdon të mbetet ende e fshehtë, dhe të gjithë po presin të mësojnë ende, nëse janë apo jo në listë dhe ku mund të jenë vendosur.


Por, ai që deklaroi publikisht largimin, një ditë më parë, ishte anëtari i Këshillit Kombëtar, Besnik Jaku, që akuzoi lidershipin e Partisë Demokratike për mosfunksionim të strukturave drejtuese të partisë, marrjen peng të saj nga një grup i caktuar njerëzish dhe mostransparencë në vendimet politike, duke përfshirë edhe listat e zgjedhësve.


Në kampin e majtë nuk pritet ndonjë suprizë pasi dihet ku do të kandidojë Edi Rama, Pandeli Majko, Ben Blushi, Gramoz Ruçi, të cilët do të kryesojnë listat respektive në Vlorë, Tiranë, Elbasan e Fier.


Ajo që pritet të shihet është plotësimi i tyre, cilët deputetë të grupit aktual do të jenë pjesë dhe cilat do të jenë prurjet e reja. Por, në pritje të listave përfundimtare, janë shfaqur edhe të pakënaqurit e parë, siç ishte rasti i deputetes së qarkut të Elbasanit, Shegushe Ligori, e cila ka deklaruar se do i rikthehet profesionit të avokatisë.


5 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)