Gabimi i përfaqësuesve të shtetit ua ka shtuar edhe më shumë dhimbjen dy familjeve



Në kaosin e krijuar nga aksidenti tragjik, nuk kanë munguar edhe gafat e rënda të shtetit shqiptar për të ngatërruar viktimat që i kanë dërguar nga morgu i Vlorës për te familjet e tyre, që u kanë dhënë lamtumirën e fundit. Si të mos mjaftonte tragjedia e Himarës, familjarët e dy prej viktimave e kanë përjetuar edhe më rëndë ngjarjen, për shkak të ngatërrimit të kufomave nga dëmtimet e shumta. Në qytetin e Krujës, në vend të arkivolit me trupin e Dorina Stafës është marrë kufoma e studentes nga Elbasani, Erjola Xhoi. Por, ndonëse kanë vajtuar për disa orë mbi trupin, për shkak të shokimit, familjarët e Dorinës nuk kanë mundur ta kuptojnë deri mesditën e djeshme. Ndërrimi i arkivoleve është bërë pas orës 14:00 nga familjarët e viktimave. Babai i Dorina Stafës, Hasan Stafa, ka deklaruar se nuk kanë pasur dyshime kur kanë parë trupin e pajetë, pasi mes vajzave kishte ngjashmëri. Ai sqaron se trupat u ngatërruan nga ata që kryen verifikimet. Erdhën nga Elbasani dhe na komunikuan ngatërrimin. Mësohet se trupi i Erjola Xhoit është transportuar në mesditë nga Kruja drejt Elbasanit, ndërsa familja Stafa në Krujë ka pritur deri pasdite trupin e vajzës, Dorina. Gjatë udhëtimit, që do të rezultonte i fundit i jetës së saj, Dorina ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se ishte e lumtur për këtë udhëtim dhe se po e kalonte shumë mirë me shoqërinë e saj. E njëjta situatë e rëndë është krijuar edhe në banesën e Erjola Xhoit. Ata humbën vajzën e tyre, Erjolën, në aksidentin e Himarës. Ndërsa prisnin të vajtonin trupin e 20-vjeçares, në arkëmort ka mbërritur trupi i 21-vjeçares nga Kruja. Vajtimi ka qenë më i dhimbshëm, ndërsa pritej të bëhej shkëmbimi i trupave.


 


Eranda Baloshi


Përcillet me fustan të bardhë në banesën e fundit


22-vjeçarja ishte e fejuar dhe pas disa muajsh do të martohej. Meqë nuk arriti të bëhej nuse, prindërit e përcollën në banesën e fundit të stolisur dhe të veshur me fustanin e bardhë. I fejuari i saj në oborrin e shtëpisë nuk kishte më fuqi të qante. Edhe arkivoli i saj ishte i bardhë, ndërsa buqetat me lule kishin kapur tavanin e dhomës. Një pjesë e luleve ishin nxjerrë në oborr, pasi nuk i nxinte më vendi. Shoqet e Erandës, që kishin vendosur shirita të zinj në krahë, qanin me dënesë pranë nënës së 22-vjeçares.


 


Erjola Xhoi


Ngatërresa e trupave i shton dhimbjen familjes


Në familjen Xhoi dhimbja është e dyfishtë. Arkivoli që u dërgua në shtëpinë e Erjolës së vdekur nuk mbante brenda trupin e saj, por të shoqes së kursit, Dorina Stafës nga Kruja. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm familjarët janë detyruar të kthejnë arkivolin drejt Krujës për t’ua dorëzuar familjarëve të Dorinës dhe për të marrë kufomën e vajzës së tyre. Shkëmbimi është bërë me shumë vonesë dhe për pasojë varrimi është shtyrë për disa orë. Erjola ishte vetëpunësuar si estetiste. Ajo ishte studente shumë e mirë dhe mjaft miqësore.


 


Pëllumb Çela


Shoferi me 20 vjet eksperiencë la katër jetimë


Pëllumb Çela jetonte në të njëjtën lagje me një nga studentet që humbi jetën bashkë me të në aksidentin e së hënës. 57-vjeçari ishte babai i katër fëmijëve dhe prej më shumë se 20 vitesh ai punonte si drejtues automjeti, duke marrë të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit. Mësohet se Çela ka qenë një ndër shoferët më të preferuar të studentëve dhe shkonte shpesh në ekspedita të tilla. Ecte shtruar dhe nuk kishte pësuar kurrë aksidente, por vitet e fundit kishte nisur të kishte probleme me shëndetin, me zemrën dhe stomakun.


 


Armand Halilaga


Nuk ndahej kurrë nga e fejuara e tij studente


Armandi, 23 vjeç, ishte djali i madh i Faik Halilagës, agronomit të Komunës Helmës në Kavajë. Që në adoleshencë ishte njohur dhe dashuruar me Besjanën dhe që atëherë pothuajse nuk ndaheshin fare. I riu kishte mbaruar shkollën e mesme dhe punonte si kamerier në lokalin e dajës së tij. Të gjithë ata që e njihnin flasin fjalët më të mira. Çifti rrinte gjithnjë bashkë, të qeshur e të dashuruar. “Ishin për t’u pirë në kupë. Të bënin merak. Ç’qe kjo gjëmë”, thotë një banor i lagjes së Besjanës. Armandi ishte shumë i kënaqur për udhëtimin me të fejuarën, por…


 


Fabiola Shehi


Telefonoi nënën 20 minuta përpara aksidentit


Telefonatën e fundit, Fabiola Shehi, një prej viktimave të tragjedisë, e ka bërë me nënën e saj. 22-vjeçarja nga Bërxulli i Tiranës, 20 minuta para aksidentit, i ka treguar nënës se orarin e drekës e kishin shtyrë për të ndaluar në një lokal pranë detit. Kjo nuk u arrit kurrë… Vajza e vetme e familjes Shehi ka mbërritur e pajetë në shtëpinë e saj dje në 6 të mëngjesit. Babai, i cili kishte një lidhje më të veçantë me vajzën, me zor mbahet në këmbë. Ndërsa vëllai 19-vjeçar tregon përpjekjet dhe shpresën për ta gjetur motrën mes të mbijetuarave në spital.


 


Dorina Stafa


U mendua e gjallë, shoqja u prezantua me emrin e saj


Për disa orë, Dorina Stafa mendohej se ishte gjallë, pasi shoqja e saj e ngushtë, në gjendje shoku, ishte prezantuar me emrin e saj. Kur është bërë identifikimi i të plagosurve, Elidona Gjinaj nuk ka thënë emrin e saj, por të Dorinës, si një thirrje e fundit për shoqen e saj. Por Dorina humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, teksa transportohej me helikopter nga Himara drejt Spitalit Ushtarak. Në profilin e saj në “Facebook”, pak çaste para aksidentit tragjik që i mori jetën, Dorina falënderon Zotin që i jepte mundësinë të ishte me miqtë.


 


Aurora Molla


Premtimi për të fejuarin: “Gjallë a vdekur, do të vij”


Aurora Molla nuk kishte dashur të shkonte në Sarandë për ekspeditë mësimore. Por nevoja për të marrë kreditet e provimeve, e ngjiti në autobusin që të hënën u aksidentua në të hyrë të Himarës. 21-vjeçarja ishte një ndër 3 studentet nga Pogradeci, që ndodheshin në autobusin fatkeq. Ajo kishte folur me familjen dhe të fejuarin mëngjesin që u nis. Ndërsa të fejuarit, që sot ka ditëlindjen, i kishte thënë: “Gjallë a vdekur unë do të vij për ditëlindjen tënde”. Aurora ishte fëmija i madh i familjes Molla dhe ka vetëm një vëlla më të vogël, Xhonin.


 


Joana Debinja


Babai e parandjeu rrezikun, por nuk e ndaloi dot vajzën


Ai që po e përjeton më shumë dhimbjen është babai i saj, Tafili, i cili fajëson edhe veten për atë që ndodhi. Të afërmit që kanë mbërritur në shtëpinë e Tafilit për ngushëllime pohojnë se kryefamiljari e kishte parandier tragjedinë. “Ai nuk donte që Joana të shkonte në ekskursion. I kishte thënë se udhëtimi është i rrezikshëm, se është rrugë e gjatë. Edhe kur ajo ishte larguar, i kishte thënë se po e linte me kokën pas”, tregon një fqinj i familjes. Vajza mësohet t’i ketë thënë të atit se nuk donte të ndahej nga shoqëria.


Juliana Tola


U largua, pasi festoi ditëlindjen e babait


Juliana Tola ishte larguar nga shtëpia tri ditë para aksidentit, kur kishte festuar ditëlindjen e të atit, me të cilin ishte e lidhur shumë dhe e kishte përcjellë vëllai më i vogël. Ai përqafim me familjen nuk mendohej se do të ishte i fundit për të, pasi humbi jetën në aksidentin tragjik. 21-vjeçarja është kthyer e pajetë në shtëpi, në fshatin Mirakë të Librazhdit, ndërkohë që familjen e saj e ka vizituar edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por, veç banorëve të shumtë të zonës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit kishin shkuar edhe shumë shokë e shoqe të shkollës.


 


Elsa Daka


Nënës i ka mbetur vetëm fotografia për t’u çmallur


Nëna e Elsës, Flora, nuk kishte me ç’të ngushëllohej dje në mesditë, kur priste ende t’i sillnin në shtëpi trupin e pajetë të së bijës. E përhumbur e me lotët që i shkonin lumë, ajo puthte pa pushim fotografinë e së bijës 21 vjeçe. Pothuajse të gjithë banorët e Komunës së Shirgjanit ishin mbledhur dje pranë shtëpisë së studentes Elsa Daka në fshatin Kuqan. Karvani i gjatë i makinave të njerëzve që kishin shkuar për ngushëllim kishte bllokuar rrugën automobilistike, pasi shtëpia e Elsës ndodhet fare pranë aksit rrugor.


 


Ermira Mana


Njerëz nga gjithë fshatrat e Shpatit në funeral


Shtëpia e Ermira Manës, në fshatin Shelcan të Komunës Shushicë, rreth 30 kilometra larg Elbasanit, nuk kishte më vend për njerëz. Fshatarë nga e gjithë zona e Shpatit, që nga Gjinari, Lleshani, Mliza, Shushica e të tjerë, kishin shkuar për të ngushëlluar prindërit e studentes 22-vjeçare. Njerëzit ishin aq shumë sa kishin mbushur edhe oborrin e shtëpisë, por trupi i pajetë mbërriti me vonesë pranë familjes, duke e shtuar edhe më shumë dhimbjen e tmerrshme të familjarëve, që e nisën vajzën të hënën në mëngjes për një ekspeditë mësimore.


 


Lindita Kabashi


Dy vëllezërit i japin lamtumirën motrës së vetme


Familja Kabashi në Shtërmen ka hapur dyert e zisë për Linditën 21 vjeçe, një nga viktimat e tragjedisë së Himarës. Lindita ishte fëmija i madh i Qemalit dhe Natashës, të cilët kanë edhe dy djem më të vegjël. Sipas riteve fetare të zonës, gratë ishin mbledhur në shtëpinë e vajzës duke e qarë atë pa pushim, ndërsa burrat kanë pritur ngushëllimet në lokalin e fshatit, tavolinat e të cilit ishin bërë gati për drekën e mortit. Të mpirë nga dhimbja, familjarët pritën dje ngushëllime edhe nga një përfaqësi që përbëhej nga deputetë, pushtetarë vendorë dhe pedagogë.


 


Denisa Guzi


Shpresat e familjes u shuan pas tetë orësh


Vetëm tetë orë pas aksidentit, familjarët e Denisa Guzit kanë shuar shpresat për gjetjen gjallë të saj. Ata kanë shkuar nga Gramshi në Himarë, pasi askush nuk u jepte një lajm për shëndetin e saj, por kur janë kthyer nga Himara në Vlorë, kanë njohur trupin e pajetë të 21-vjeçares. Deri në atë moment, shpresat e babait të saj, Flamurit, nuk i ishin shuar, por në morg i është dashur të bëjë njohjen e saj, ndërsa dje ka hapur derën e mortit në fshatin Mashan të Komunës Kodovjat. Denisa, studente e vitit të tretë, kishte planifikuar prej disa ditësh udhëtimin dhe ishte e lumtur për këtë ekspeditë.