Kanabisi me vlerë 5 milionë euro, në Kurvelesh. Në kërkim 4 të rinj gjirokastritë


droga kurvelesh_1Rreth 3.2 tonë kanabis janë zbuluar dje në zonën e Kurveleshit, por policia nuk ka mundur të vendosë asnjë posedues në pranga, pasi ata kanë arritur të arratisen në male. Aksioni për zbulimin e drogës u zhvillua në kohën kur kryepolici Çako kishte udhëtuar nga Tirana drejt Gjirokastrës me helikopter për një takim të OSBE, ndërkohë që poseduesit e mallit me vlerë shitjeje deri në rreth 5 milionë euro, janë identifikuar si katër të rinj nga Gjirokastra. Aksioni i koduar “Llufa” u nda në dy pjesë, për shkak se në fillim policia gjeti një ton drogë që kultivuesit e kishin prerë dhe po e thanin në stan, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në parcelë. Nga 2.2 tonët e sekuestruar në aksionin e dytë, pjesa më e madhe u gjend e prerë, gati për t’u transportuar për në stan, ku do t’i nënshtrohej procesit të tharjes, ndërsa sasia tjetër ishte ende në parcelë, e paprerë. Të zotët e drogës janë shpallur në kërkim, ndërsa janë nisur hetimet për kultivimin e lëndëve narkotike.


“Llufa” me 3 tonë drogë


Lajmin për operacionin antidrogë të koduar “Llufa” e bënë të ditur burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se u organizua nga Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Që në mëngjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zëvendësi i tij, Ardian Çipa, ndodheshin në Gjirokastër, për disa takime rutinë. Mirëpo me sa duket qëllimi i vërtetë i kësaj vizite blic ishte monitorimi dhe ndjekja nga afër e këtij operacioni të madh, pasi bëhej fjalë për sasi të shumta droge. Nga burimet policore mësohet se prej disa ditësh ishte marrë një informacion se në vendin e quajtur “Llufë”, në malin e Kurveleshit, afër Progonatit të Tepelenës, disa barinj kishin gjetur rrugën më të lehtë për t’u pasuruar, jo me dele, por me drogë. Kësisoj, ishte organizuar edhe plani për mësymjen në vendin ku kishte informacione se droga thahej në stan, ndaj policia ndërhyri, duke gjetur 1 ton lëndë narkotike. Shumica ishte në formë bohçe, në proces tharjeje dhe për pak ditë bëhej gati për t’u shitur. Nga kontrolli i imtësishëm në stan nuk është gjetur askush, por në momentin e parë të ndërhyrjes policia pikasi katër djem që po vraponin drejt malit. Ata janë identifikuar si banorë të Qarkut të Gjirokastrës. Operacioni vazhdoi me kontrollet në katër parcelat ku ishte kultivuar droga, në të cilat u gjetën rreth 2 mijë e 500 bimë kanabis sativa, ku pjesa më e madhe ishte prerë. Nga peshimi rezultoi se ishin 2.2 tonë drogë. Në total, policia sekuestroi 3.2 tonë drogë, me një vlerë të përafërt prej 5 milionë eurosh dhe shpalli në kërkim 4 poseduesit e saj.


Hashashi i Kurveleshit


Kjo zonë është cilësuar si tepër problematike, për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike. Nga fluturimet e avionëve italianë rezultoi se nga 140 parcela që u zbuluan në Tepelenë, 70 ishin mbjellë në zonën e Kurveleshit. Vetë shefi i Komisariatit të Policisë në Tepelenë, Haki Hasanbega, e dha këtë informacion gjatë një takimi me kryebashkiakun Tërmet Peçi. Madje, akuzat shkonin deri në një organizim të kultivimit dhe shitjes së drogës, me punëtorë e roje, si në Lazaratin e dikurshëm. E në fakt, shndërrimin e kësaj zone në një prej qendrave më të mëdha të mbjelljes së hashashit, e tregojnë vetë shifrat e vetë policisë.