Përfituan miliona euro, ndërhynin edhe në të dhënat e “Facebook”


Një grup hakerash shqiptarë kanë arritur të futen në sistemet e bankave të BE-së dhe SHBA-së, duke u zhvatur klientëve të këtyre shteteve miliona euro. Dy persona janë arrestuar dje në qytetin e Elbasanit, ndërsa dy të tjerë, nga Laçi, janë proceduar në gjendje të lirë. Në pranga kanë rënë Kejdi Stambollxhiu, 19 vjeç, dhe Ilir Lajthia, 28 vjeç, të dy nga Elbasani, ndërsa janë proceduar S. F. dhe G.D. të moshës 15 vjeç, që të dy banues në Laç. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se këta persona kanë sulmuar faqe interneti publike dhe private. “Ata kanë thyer masat mbrojtëse të llogarive bankare në internet të klientëve të bankave të shteteve të BE-së dhe SHBA-së, duke kryer transferta të paligjshme bankare në drejtim të llogarive të poseduara prej tyre për përfitimin e shumave të parave”, thanë burimet nga policia.


 


Ndërhyrjet


Policia e Shtetit njoftoi dje se kishte informacione për këta persona para gjashtë muajsh, ku po gjurmonin një shtetas kosovar që kishte mbërritur në Shqipëri. “Policia dispononte informacione për veprimtarinë e njërit prej anëtarëve të grupit, për Ilir Lajthinë, për të cilin ka filluar investigimi, i cili kishte aktivitet në fushën e ndërhyrjeve të paligjshme në të dhënat e sistemeve kompjuterike. Gjatë procesit të investigimit, pati dhe njoftime nga bankat e huaja për transferta bankare të kryera prej tij nga llogaria e klientëve të bankave në llogarinë e tij”, pohuan burimet nga Policia e Shtetit, të cilat konfirmojnë se në kuadër të procesit të hetimeve u bë identifikimi i autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Të dëmtuarit ishin shtetas të huaj që kishin llogaritë e tyre në banka të shteteve të BE-së dhe SHBA-së. Krahas ndërhyrjeve në sistemet bankare, këta persona kanë ndërhyrë në të dhënat dhe sistemet kompjuterike të shtetasve të ndryshëm në rrjetin social “Facebook” apo rrjete të tjera kompjuterike për përfitime personale.



“Badboys”


Operacioni policor u quajt “Badboys” dhe u krye njëkohësisht në Elbasan dhe Lezhë. Dje është realizuar operacioni policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik. U arrestuan dy persona dhe dy të tjerë u proceduan në gjendje të lirë. “Nga hetimet ka rezultuar e provuar se këta shtetas, nëpërmjet programeve kompjuterike të ashtuquajtura ‘Viruse kompjuterike’, si dhe teknikave të ndryshme kompjuterike, në kohë dhe periudha të ndryshme kanë sulmuar faqe interneti publike dhe private, duke thyer kodet mbrojtëse të llogarive bankare në internet të bankave në BE dhe SHBA. Nga ky aktivitet kriminal, të dyshuarit kanë përfituar shuma parash që shkojnë miliona euro”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, operacioni u bë pas një hetimi intensiv dhe profesional të strukturave kundër krimit kompjuterik në Policinë e Shtetit, i cili është shtrirë në një periudhë kohore prej 6 muajsh. “Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë sekuestruar: 7 sisteme kompjuterike laptop dhe desktop, 40 CD, 10 USB si dhe 5 pajisje të tjera kompjuterike. Këto pajisje kanë shërbyer për kryerjen e veprimtarisë kriminale nga këta shtetas”, vijojnë burimet, duke shtuar se tashmë, hetimet për këtë grup, do t’i kalojnë Prokurorisë së Elbasanit. s.çobo


 


Hetimet – Policia ka gjurmuar, krahas katër personave nën akuzë, edhe një shtetas kosovar. Ai bashkëpunonte me Ilir Lajthinë


Arratisja – Një ditë para operacionit, shtetasi kosovar u ka shpëtuar agjentëve të policisë që e gjurmonin


Bashkëpunimi – Shtetasi kosovar ka bashkëpunuar me dy të arrestuarit nga Elbasani, duke i dhënë të dhënat e bankave


Urdheri – Policia e Shtetit tha dje se ka nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar për shtetasin kosovar