Imuniteti, Topalli: Votimi vetëm më 6 gusht


 BLEDAR HOTI


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, fton opozitën që të votojë heqjen e imunitetit më 6 gusht, duke i premtuar se të nesërmen e asaj dite do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar për nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës. Kryeparlamentarja e bëri një premtim të tillë në konferencën për shtyp që mbajti pas takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, Abdulkarim Al Doghmi dhe delegacionin që e shoqëronte. “Çdo nismë që plotëson kriteret formale juridike, në mbështetje të Rregullores së Parlamentit dhe të Kushtetutës, menjëherë hyn në procedurë, gjë që do të thotë se që nga data 7 gusht, nëse opozita është gati, mund të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe për të vazhduar më pas me iniciativën që plotëson kriteret formale juridike. Kaq mjafton për të filluar procedura. Asnjëri nuk mund dhe nuk duhet ta përdorë imunitetin si një lloj strehe dhe për të vazhduar të bëjë korrupsion. Unë kam një gjë që nuk di t’i jap shpjegim. Po të isha në opozitë, unë nuk do reshtja çdo orë dhe çdo minutë, nuk do të bëja gjë tjetër, t’i kërkoja mazhorancës ashtu siç e kemi bërë prej nëntë vitesh, të hiqet imuniteti. Gjë më absurde dhe më nonsens, sesa fakti që opozita të justifikojë gjithfarë instrumentesh, që të mos kërkojë heqjen e imunitetit, unë nuk kam dëgjuar gjatë gjithë jetës sime politike në Shqipëri, por edhe sa lexoj, në gjithë politikën globale”, tha Topalli. Ajo bëri të qartë se më 6 gusht do të hidhet më votim kjo nismë, e nëse opozita nuk jep konsensusin, atëherë përgjegjësia do t’i mbesë së majtës. “6 gushti është momenti jo për të folur por për të vepruar. 6 gushti nuk është momenti për ta zgjatur, por është momenti për të votuar. Është momenti për të votuar ato ndryshime, për të cilat ka filluar diskutimi prej nëntë vitesh. Këtu ndahen gjërat. Por do të shtoja edhe diçka tjetër. Gjatë kësaj periudhe, nga opozita është thënë dhe është folur për kulturën e pandëshkueshmërisë. Unë e dëgjoj me shumë seriozitet opozitën dhe e marr seriozisht, nëse ajo shpreh diçka. Është rasti, që ata t’i qëndrojnë diskutimeve të tyre, qoftë edhe për mungesën e ndëshkueshmërisë në disa raste apo edhe në shumë raste në nivele të ndryshme, në qoftë se e kanë seriozisht. Në qoftë se ata gënjejnë, kësaj radhe natyrisht do të marrin koston që i takon politikanit, kur vepron ndryshe nga ajo çka thonë. 6 gushti është dita dhe momenti për të votuar, jo për të folur më. Kemi nëntë vite që flasim. Duhet me votë dhe jo me fjalë”, theksoi kryeparlamentarja.


Loja me datën për rishikimin


Përpos përbetimit për futjen në procedurë të nismës së opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, diçka e pashmangshme nga ana e ligjore, mazhoranca po luan dhe kartën e djegies së afatit për rishikimin e Kushtetutës. Lideri i mazhorancës Berisha shpreh qartë qëndrimin kundër propozimit të PS-së për zgjedhjen e krerëve të institucioneve dhe të gjyqtarëve me një shumicë të cilësuar të votave, pasi e cilëson si bllokuese. Por se premtimi për rifutjen në procedurë nuk qëndron pasi PD ka shprehur opinionin se është kundër saj. Nga ana tjetër, mazhoranca po i kërkon opozitës që ta miratojë Kushtetutën, pasi, nëse rrëzohet në seancë, nuk lejohet rishikimi pa kaluar një vit. “Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar tre vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum”, thuhet në nenin 177/8 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar. Pikërisht kjo klauzolë pritet të jetë edhe arma e demokratëve.


 6 gusht


Seanca për votimet e ndryshimeve kushtetuese është parashikuar të mbahet në datën 6 gusht. Këtë e ka vendosur Konferenca e Kryetarëve


2/3 e votave


Nisma për rishikimin e Kushtetutës ndërmerret nga jo më pak se 1/5 e deputetëve. Projekti miratohet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë deputetëve


 Dy nisma


Ka pasur dy nisma për ndryshimin e Kushtetutës. E para u ndërmor nga demokratët dhe lidhej me imunitetin. Ndërsa e dyta është i paraqitur nga PS


1 draft


Këshilli dhe Komisioni i Ligjeve ka miratuar një draft në parim, nen për nen, por jo në tërësi


 Sesioni


Kuvendi duhet t’i mbyllte punimet në korrik, por çështja e imunitetit solli shtyrjen e sesionit


Ndërkombëtarët


PD mbështeti draftin e EURALIUS, por për hir të konsensusit u tërhoq, duke pranuar sugjerimet e PS-së