Fieri – Konstituimi i Qarkut të Fierit është kushti kyç i vendosur nga socialistët për të votuar ligjin për Gjykatën e Lartë.
Kuvendi – PD-PS kanë gjetur konsensus për sa i përket reformës parlamentare, e cila prej kohësh ishte një çështje e mbetur pezull.
Kodi – Dy partitë e mëdha kanë shkelur Kodin Zgjedhor që miratuan pak kohë më parë, duke mos respektuar kohën për konstituimin e KQZ-së.
KQZ – Partia Socialiste ka deklaruar se ajo nuk do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e kryetarit të ri të KQZ-së.
Prokurori – Procesi i zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm mund të bëhet një vatër e re debati për dy partitë kryesore në vend.
Komisioni i ka dërguar një raport PE-së dhe Këshillit Europian
Fatjona Mejdini
Komisioni Europian po përforcon gjithmonë e më shumë qëndrimin se Shqipëria do të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat të kushtëzuar me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor të vitit 2013. Për herë të parë, zgjedhjet parlamentare konsiderohen një test për Shqipërinë, jo vetëm në kuadër të impelmentit të Kodit Zgjedhor, por edhe të konsolidimit të mirëkuptimit mes dy forcave kryesore politike. Gazeta “Shqip” i referohet një raporti të brendshëm të Komisionit Europian dërguar Parlamentit dhe Këshillit Europian, dy institucione këto që marrin vendimin për statusin e vendit pas rekomandimeve që do të bëhen publike në progres-raportin e KE-së. Ky progres raport do të bëhet publik të mërkurën, por detajet kryesore të tij janë bërë publike nga media të ndryshme pranë Komisionit Europian. Pavarësisht se komisioni thekson faktin se Shqipëria e ka tejkaluar ngërçin politik dhe ka realizuar shumë reforma. Por nga ana tjetër raporti pritet të theksojë se vendi ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, në përmirësimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë, në reformën për administratën publike, për reformën në pronësi dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
Kushtëzimi
Tashmë pothuajse është zyrtare se Shqipëria do të marrë një status të kushtëzuar, pasi Komisioni Europian e ka vendosur theksin te nevoja e vendit për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në raportin e brendshëm të KE-së dërguar dy institucioneve të tjera kyçe të Bashkimit Europian theksohet se janë zgjedhjet e ardhshme ato që do të shërbejnë si test për progresin e mëtejshëm të vendit drejt Europës. “Zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2013 do të jenë një test i rëndësishëm i ligjit të ri elektoral dhe në vazhdimësinë e zotimit ndërpartiak për kryerjen e reformave”, theksohet në raportin e brendshëm të Komisionit Europian. Përfaqësues të ndryshëm të BE-së kishin folur mbi mundësinë e kushtëzimit të statusit të Shqipërisë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe aktivizimin e tij vetëm pasi këto zgjedhje të cilësoheshin si të lira dhe të ndershme. Me sa duket, ky opsion do të jetë përfundimtar, nisur nga raporti paraprak i KE-së për Parlamentin dhe Këshillin e Europës.
Dialogu
Lajmi i mirë që pritet nga progres-raporti i radhës së Komisionit Europian është ai që Shqipëria nuk konsiderohet si një vend ku ngërçi politik nuk lejon kryerjen e reformave. Kjo do të thotë që bashkëpunimi politik mes dy partive kryesore konsiderohet si i pranueshëm, duke bërë që disa reforma kyçe për vendin të realizohen. “Dialogu politik dhe bashkëpunimi mes partive është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. Pavarësisht disa episodeve të shkurtra të retorikës konfrontuese mes qeverisë dhe opozitës që ka ngadalësuar pak reformat, marrëveshja politike është përmbushur në mënyrë të plotë”, thekson raporti i Komisionit Europian. Ai është një përmbledhje e progres-raportit i cili pas dy ditësh do të jetë publik. Më pas, Parlamenti Europian pritet të diskutojë në lidhje me mundësinë e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Më pas do të jetë Këshilli Europian që do të marrë vendimin përfundimtar për sa i përket dhënies apo jo të statusit kandidat për Shqipërinë dhe kushtëzimeve që mund të shoqërojnë këtë status.
Presidenti – Raporti i KE-së thekson se pavarësisht faktit se Presidenti i ri i Republikës, u zgjodh në mënyrë kushtetuese, procesi politik që e shoqëroi këtë proces nuk i shërbeu dialogut pozitiv ndërpartiak.
Romët – Në raport theksohet se qeveria shqiptare duhet të shpejtojë masat për rehabilitimin e komunitetit rom në Shqipëri. Ky është një kriter për statusin
Korrupsioni – Lufta kundër korrupsionit mbetet ende një pikë e dobët për Shqipërinë. Raporti sugjeron masa më të ashpra për reduktimin e këtij fenomeni.
Institucionet – Rritja e pavarësisë së institucioneve është konsideruar si një detyrim i pakryer nga ana e Shqipërisë. Kjo kërkesë është përsëritur shpesh në raport.
Pavarësia – Përvjetori i 100-të i shpalljes së pavarësisë nga ana e Shqipërisë këtë vit, është një datë e mirë simbolike për të përfituar statusin.