Pas vrasjes, më 12 shtator të vitit 1998, të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, akuzat, kryesisht politike, në drejtim të Shërbimit Informativ Kombëtar, të drejtuar nga Fatos Klosi, ishin ekstremisht të rënda.
Një dokument që mban datën 16 maj 1998 vërteton se agjentët e SHISH në terren kishin siguruar një informacion që thoshte se Fatmir Haklaj, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, ishte betuar mbi kufomën e të vëllait se do të merrte hak, duke vrarë, mes të tjerëve, edhe deputetin Azem Hajdari.
Aty shpjegohet qartë se Fatmir Haklaj e kishte qëllimin e jetës të vriste Azem Hajdarin, se ai kishte gatitur disa kurthe, që deputeti i PD-së të vinte në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, e të tjera.
Informacioni, që mban përfund firmën e titullarit të SHIK, Fatos Klosi, i është dërguar Ministrit të Rendit Publik, Perikli Teta me qëllim që policia të bënte punën e saj.
Pak ditë më pas, më 20 maj 1998, të dhënat janë riformuluar nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe dërguar Drejtorisë së Policisë së Kukësit.
Në këtë dokument të dytë Policia e Kukësit urdhërohet që të organizojë gjurmimin dhe kapjen e Fatmir Haklajt si dhe të deklarojë punën e bërë për parandalimin e ngjarjeve të mëtejme, domethënë parandalimin e vrasjeve, përfshirë atë të deputetit Azem Hajdari.
Më poshtë përmbajtja e plotë e informacionit të SHIK:
SEKRET
Kopje Nr. 1
Tiranë, më 16.05.1998
Republika e Shqipërisë
Shërbimi Informativ Kombëtar
Lënda: Për Fatmir Haklaj
Ministrit të Rendit Publik,
Zotit Perikli Teta
Tiranë
Në bazë të një informacioni që disponojmë, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj, ndër të tjera është shprehur:
“… Njerëzit e mi që janë vrarë kanë marrë gjithsej 18 plumba. Në bazë të kanunit ne do të vrasim 18 vetë. Deri tani kemi vrarë 9 vetë, kemi për të vrarë edhe 9 të tjerë, në mes të tyre edhe Azem Hajdarin. Ne i kemi dërguar fjalë nëpërmjet lidhjeve të tij, disa herë i kemi dërguar telegrame për raste vdekjesh për të ardhur në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, por ai nuk ka ardhur. Pasi të vrasim Azemin ne do të ikim në Belgjikë.
Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar
Fatos Klosi
(firma, vula)./Marrë nga abcnews