Një prej tyre kallëzon në prokurori: Më kanosin me telefonata anonime


Silvana Muça


Ish të përndjekurit politikë, të cilët qëndruan në grevë urie për një muaj, po kërcënohen me jetë nga telefonata anonime. Çështja është denoncuar në organet e drejtësisë, ndërkohë që mësohet se këto veprime ndaj ish të përndjekurve politikë kanë nisur menjëherë pasi ata janë shkëputur nga greva e urisë, e cila u zhvillua në “Komunën e Parisit” dhe mori përmasa ekstreme, deri në vetëflijime.


Telefonatat anonime


Më shqetësuese situata është bërë për ish-grevistin Kujtim Kaziu, të cilin e kërcënojnë se do t’i zhdukin familjen. Ai thotë se gjendja është bërë e padurueshme dhe se telefonatat nuk pushojnë. Ato kanë nisur menjëherë pasi Kaziu ka dalë nga greva e urisë dhe tashmë janë kthyer në një tmerr për të gjithë familjen. Ish i përndjekuri politik pretendon se e ka dërguar çështjen në Prokurorinë e Durrësit dhe ka bërë një kallëzim në polici. “Unë ndenja 17 ditë në grevën e urisë, e cila zhvillohej në ‘Komunën e Parisit’. Pas vetëflijimit të Lirak Bejkos, policia na shoqëroi në komisariat për të na pyetur rreth ngjarjes. Sapo dola nga rajoni, në telefonin tim celular nisën që të vinin telefonata anonime. Kanë qenë gjithsej 23 thirrje me numra private dhe kur iu përgjigjesha nisnin kërcënimet. Më kërkonin 100 mijë lekë, sepse sipas tyre, kisha marrë lekët e burgut dhe se m’i kishin dhënë vetë ata”, deklaron ai për gazetën “Shqip”.


Frikë për djalin


Më tej, Kaziu ka treguar se ka frikë edhe për djalin e tij, të cilin e kanë ndaluar rrugës persona të paidentifikuar. “Një ditë, katër persona kishin ndaluar djalin tim, i cili po shkonte në shkollë. Ai është vetëm 8 vjeç dhe ishte terrorizuar nga ata. E kishin pyetur se djali i kujt ishte, ku e kishte shtëpinë, ku e kishte babin, e gjëra të tilla. Djali kishte kërkuar ndihmën e rojës së shkollës, i cili e futi brenda në mësim. Ndërsa një herë tjetër, një mjet tip ‘Opel Astra’, ngjyrë blu sapo më pa në rrugë, uli xhamin e makinës dhe më vëzhgoi me vëmendje. Nuk munda që ta identifikoj. Nuk ruhem se nuk kam asnjë konflikt dhe nuk i kam kujt para borxh”, tregon tmerrin që po përjeton familja Kaziu, menjëherë pas daljes nga greva e urisë. Ai nuk ia drejton gishtin askujt, sepse nuk ka konflikte të mbartura dhe s’ka asnjë ide se kush mund të jenë kërcënuesit. Telefonuesit anonimë nuk prezantohen, thjesht e kërcënojnë me një gjuhë vulgare. Madje, telefonatat i kanë shkuar edhe vajzës së tij, e cila nuk e ka hapur. Gjithsesi, ai ka denoncuar në prokurori, me qëllim identifikimin e kërcënuesve dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.


Besim Valteri


Telefonata anonime ka pasur edhe ish-koordinatori i grevës së urisë, Asllan Patrioti, ndërkohë që edhe grevisti, Besim Valteri, thotë se në telefonin e tij, kanë mbërritur telefonata me numër privat, por askush nuk flet. Ai nuk u ka kushtuar rëndësi këtyre gjërave dhe nuk ka ndërmend që ta denoncojë rastin në organin e drejtësisë. Ndërkaq, një ditë më parë, Skënder Tufa tha se njerëz të qeverisë i kanë shkatërruar biznesin. “Në muajin prill kërkova publikisht dorëheqjen e Berishës, në të kundërt do të përfundonte si Gadafi. Pas disa javësh, punonjës të policisë bashkiake më mbyllën lokalin e hipotekuar që kisha te liqeni. Kërkova shpjegime në rrugë zyrtare, por përgjigjja nuk më erdhi. Çështjen e kam çuar tek Avokati i Popullit dhe të hënën, ai do ta ndjekë rastin institucionalisht. Ndërsa disa ditë më parë, sërish policia bashkiake erdhi dhe më sekuestroi karriget dhe tavolinat që kisha lënë jashtë. Qeveria po bën reprezalje ndaj ish të përndjekurve. Jozefina Topalli është bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit dhe njihet me emrin ‘Dizenjatorja’. Edhe Kryeministri është një tjetër bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, të cilët vazhdojnë të na përndjekin”, ankohet Tufa.


Garda na ndoqi


Ndërkaq, një grup ish të përndjekurish kishin shkuar dje për homazhe në rivarrimin e eshtrave të mbretit. Ata thonë se janë përndjekur nga tetë punonjës të Gardës. “Shkuam në shenjë respekti, pasi Partia e Legalitetit ishte e vetmja parti e koalicionit të djathtë që na erdhi për homazhet e Lirak Bejkos. Kur na panë te dera me kurora me lule ndër duar, na u afruan tetë gardistë dhe na shoqëruan deri tek arkivoli. Me tone miqësore kërkonin informacione nga ne, se çfarë do të bënim në të ardhmen. U ndiem si të arrestuar dhe mirë që s’na vunë prangat”, thonë ish të përndjekurit, të cilët, sipas tyre, po përjetojnë tmerrin e kohës së komunizmit.