Charles Bouri dhe Jorge Jeha dyshohet se u kanosën nga banorët


Dy aksionarët e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë janë paraqitur në polici, ditën e diel


Bledi Gilaj  


Charles Michael Bouri, drejtori i fabrikes se cimentos


Rikthehen kërcënimet ndaj krerëve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, ku autorët e paidentifikuar kanë deklaruar se ata do të kenë fatin e palestinezit të vrarë, Anuar Rizik. Kërcënimet serioze kanë ardhur në mesazhe telefonike, ndërkohë që dy aksionerët, Charles Bouri dhe Jorge Jeha i janë drejtuar policisë për ndihmë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Burime nga policia bënë të ditur se dy aksionerët dorëzuan dy ditë më parë kallëzimet penale në policinë e Tiranës. Mendohet se mesazhet kërcënuese, më shumë se një, kanë mbërritur në telefonat celularë të Charles Bouri, shtetas britanik dhe Jorge Jeha, shtetas brazilian, për disa ditë radhazi. Dy shtetasit e huaj deklaruan për policinë se nuk e dinin se kush ishin personat që mund t’i kenë dërguar mesazhet, ndërkohë që kanë shpjeguar se mesazhet ishin të gjata, kishin karakter kërcënues, por nuk ishin në gjendje t’i shqiptonin, pasi nuk e kuptojnë mirë shqipen. Gjithashtu, ata kanë deklaruar se nuk i dinë se kush mund të jetë dërguesi i mesazheve. Gjatë kallëzimit, policia ka regjistruar mesazhet kërcënuese dhe numrat e përdorur të celularëve, për të cilët është kërkuar informacion në kompanitë përkatëse. Megjithatë, policia dyshon se këta numra janë regjistruar në emra të tjerë dhe që nuk mund të identifikojnë lehtë kërcënuesit, pavarësisht se mendohet që ato kanë lidhje pikërisht me konfliktet për fabrikën. Aktualisht, numrat kërcënues janë të fikur dhe që pas dërgimit të mesazheve nuk janë mbajtur aktivë.


Megjithatë, pas vrasjes së palestinezit Anuar Rizik, kërcënimet ndaj tyre janë vlerësuar më seriozisht, ndërkohë që vetëm dy javë më parë, një tjetër sasi eksplozivi u vendos në zonën e fabrikës. Për këtë ngjarje, policia shoqëroi mbi 20 persona, por pa arritur identifikimin e autorit. Ndërkaq, edhe vrasja e Rizik mbetet ende e pazbardhur dhe prokuroria ia ka kthyer dosjen policisë për hetime të mëtejshme, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes është përqendruar në dy pista kryesore hetimi, atë të konfliktit mes pronarëve të fabrikës me pronarët e truallit ku ngrihet objekti, si dhe në pistën e konkurrencës mes fabrikave që prodhojnë çimento në zonën e Fushë-Krujës me synim zgjerimin e tregut. Burime policore bëjnë të ditur se ka gjasa që pista e dytë të jetë dhe kryesore, pasi konkurrentët në biznes mund të shfrytëzojnë konfliktin e hershëm të fabrikës me banorët e Zallës, për të humbur gjurmët dhe për të krijuar një klimë aspak të favorshme për drejtuesit e saj. Një investim i konsiderueshëm prej 250 milionë eurosh në këtë fabrikë, si dhe historia e vjetër e konflikteve mes fshatarëve dhe pronarëve të fabrikës së çimentos ka bërë që pronarët të investojnë në drejtim të forcave të sigurisë. Rreth njëmbëdhjetë vjet më parë, fabrika u mor në administrim nga libanezët gjë që shënoi dhe nisjen e konfliktit me banorët e fshatit Zallë, në tokën e të cilëve është e ndërtuar fabrika 50-vjeçare. Teksa policia punon për të identifikuar autorët e mesazheve kërcënuese, fabrika e çimentos vazhdon të mbulohet “me mister” për shkak të shpërthimeve me telekomandë, kërcënimeve deri në vrasjen e nëndrejtorit të saj.