Indrit Nako, 25 vjeç, ish-vartës i të ndjerit kallëzon në polici


Bledi Gilaj


Adem Tahiraj

Adem Tahiraj


Vrasja e shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri, duket se u ka dhënë zemër kriminelëve, të cilët kanë filluar të kërcënojnë me jetë ish-vartësit e skuadrës së kryekomisarit. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë policisë së kryeqytetit, të cilat tregojnë se një nga oficerët që ka punuar me të ndjerin është kërcënuar seriozisht për jetën, për shkak të detyrës dhe ende nuk dihet se kush është autori. Pavarësisht se kallëzimi është kryer nga oficeri special që prej dy javësh, ndaj tij nuk është marrë asnjë masë mbrojtëse, ndërkohë që kërcënuesi lëviz i lirë dhe i paidentifikuar. Kërcënimi i efektivit special, Indrit Nako, i cili tashmë është i transferuar me detyrë te Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë, është bërë nëpërmjet celularit dhe gazeta “Shqip” ka siguruar disa nga tekstet e mesazheve telefonike.


Kërcënimi


Sipas të dhënave pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se kallëzimi është bërë në seksionin kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit nga vetë oficeri i kërcënuar me jetë, i cili ka rrëfyer se çfarë i ka ndodhur dhe ka kërkuar që të zbulohet sa më shpejt autori, për arsye se ndihet i rrezikuar ai dhe familja e tij. Sipas të dhënave, ai është paraqitur në polici më 8 tetor, duke treguar historinë e kërcënimeve, që kanë ardhur menjëherë pas vrasjes në krye të detyrës së shefit të Komisariatit të Shijakut, i cili ka qenë shef sektori edhe për specialin Indrit Nako, kur të dy punonin në sektorin e operacioneve speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në kallëzim, speciali Nako mësohet se ka treguar që ka filluar punë në polici në vitin 2006, kur ishte vetëm 19 vjeç. Gjatë gjashtë viteve, ai ka ushtruar funksione të ndryshme në disa komisariate policie në Tiranë dhe më pas është emëruar efektiv policie pranë forcës së posaçme operacionale në sektorin kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjatë periudhës kohore shkurt 2010 deri në shtator 2011, kur ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai ka pasur shef njësie të ndjerin kryekomisar Adem Tahirajn, skuadra e të cilit ka kryer disa operacione policore për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të dënuar nga drejtësia shqiptare dhe persona në kërkim ndërkombëtar. Pikërisht në muajin shtator të vitit 2011, si Tahiraj, ashtu edhe shumë efektivë të tjerë të operacioneve speciale, janë transferuar në detyra të tjera. Nako është transferuar te FNSH-ja e Tiranës, ku sipas burimeve policore, ushtron detyrën e tij edhe sot.


Mesazhet


Por, kërcënimet ndaj tij kanë nisur më 30 shtator të këtij viti nga numri 06733…, prej të cilit i janë dërguar disa SMS. Një prej mesazheve telefonike më të rënda ka qenë edhe ai i lidhjes me kryekomisarin e Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje e ndodhur më 13 shtator të këtij viti. “Hë me shkërdhatë, ke fillu me dalë shumë hapur nëpër qytet, por do ta hash edhe ti si Adem Tahiri me shokë. Ti ke për t’u shujt me të gjithë ça ke në shpi”, mësohet të jetë shkruar në mesazhin ndaj Indrit Nakos. Burimet nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës shprehen se, duke qenë se efektivi i policisë nuk e njihte numrin, ka tentuar ta telefonojë, por dërguesi e mbante të fikur celularin e tij. Ndërkaq, kërcënuesi ka filluar të dërgojë edhe SMS më të rënda, si natën e 30 shtatorit, ashtu edhe më 1 tetor. “Në mesazhin e fundit të dërguar ndaj tij shkruhej: ‘O çun, aq arrestime që ke bërë, e ke mbush kupën…”.


Hetimet


Në këto kushte, mësohet se oficeri i policisë u është drejtuar kolegëve për ndihmë, por që deri më sot nuk është zbuluar autori i këtyre mesazheve kërcënuese. Sipas të dhënave policore, menjëherë pas kallëzimit të depozituar nga i dëmtuari, çështja është referuar në prokurori dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Nga burimet mësohet se prokuroria ka kërkuar pranë kompanive celulare poseduesin e numrit telefonik kërcënues, por deri më sot nuk ka asnjë përgjigje, duke e lënë oficerin e policisë në mëshirë të fatit.


Pa mbrojtje


Madje, ndaj tij nuk është ofruar as mbrojtje nga kolegët, që sipas të dhënave ndodh për shkak të ligjit. Nga policia mësohet, pavarësisht se uniformat blu janë më të kërcënuarat nga elementë të ndryshëm kriminalë, ata nuk gëzojnë mbrojtje të veçantë, ashtu siç gëzojnë hallkat e tjera të drejtësisë, siç janë prokurorët dhe gjyqtarët. Shifrat tregojnë se policët janë më të rrezikuarit përballë krimit, duke marrë parasysh se, në 20 vitet e fundit janë vrarë mbi 250 punonjës policie për shkak të detyrës, ndërkohë që ka vetëm një gjyqtar të ekzekutuar në mënyrë mafioze. Edhe oficeri i kërcënuar, të cilit mund t’i rrezikohet jeta, nuk është marrë në mbrojtje. Policia ka kërkuar që çdo punonjës i kësaj organizate të gëzojë të drejtën e mbrojtjes së posaçme, por deri më sot, kërkesa ka mbetur në kuadrin e një projektligji.


 


 


Projektligji


Policia, më e rrezikuara dhe pa mbrojtje të veçantë


Ekspertët e grupit të punës për ndryshimin e ligjit të policisë kanë deklaruar se është e nevojshme që në ligjin aktual të bëhet një shtesë, ku të parashikohet mbrojtja e veçantë e punonjësve të Policisë së Shtetit, që u kërcënohet jeta, familja dhe prona, për shkak të detyrës. Kështu, është sugjeruar që të shtohet një nen me këtë përmbajtje: “Policia e Shtetit siguron mbrojtje të veçantë për punonjësit e policisë që u kërcënohet jeta, familja, prona, për shkak të detyrës. Kushtet dhe mënyrat e përfitimit të mbrojtjes së veçantë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Projekti i është dërguar qeverisë, por deri më sot nuk është ndryshuar asgjë. Në përmbajtjen e ligjit aktual për policinë nuk është parashikuar asnjë dispozitë lidhur me mbrojtjen e veçantë të punonjësve të policisë që u kërcënohet jeta për shkak të detyrës. Në nenin 128, ligji ka shfuqizuar disa ligje të mëparshme, të cilat kishin akte normative për të rregulluar veprimtarinë e policisë, ku parashikoheshin edhe masat e nevojshme për efektivët e kërcënuar. Madje, në mbështetje të kësaj dispozite është shfuqizuar edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, datë 26 janar 2001 “Për një mbrojtje të veçantë të personave që u kërcënohet jeta, familja dhe prona, për shkak të detyrës”.