Supermashtruesi 


Dosja në gjykatë për Artan Pultin, historia e zhvatjes që nga viti 2006


Prokuroria e TiranesU kërkoi 2 milionë euro shokëve për të hapur biznes. Pas gjashtë vjetësh “harron” që ua ka marrë. Kjo është historia e Artan Pultit, i cili po gjykohet në Gjykatën e Tiranës për mashtrim me pasoja të rënda.


Në vitin 2006, Pulti, një shqiptar me shtetësi kanadeze, u kërkoi dy të njohurve të tij të vjetër, biznesmenëve P.Sh. dhe A.T. ta ndihmonin me burime financiare për të ngritur një biznes. Sipas denoncimit të dy biznesmenëve në prokurori, ata kanë pasur marrëdhënie të ngushta shoqërore me shtetasin Artan Pulti. “Provohet se shtetasi Artan Pulti, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, në periudhën 2006-2010 i ka marrë shtetasve P.Sh dhe A.T shumat 1.532.450 euro dhe 74.600.000 lekë” thuhet në dosjen e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila është dorëzuar në gjykatë.


 


Supermashtrim


Akuza ka bërë një kronologji të këtij supermashtrimi. Sipas saj, në vitin 2006, shtetasi Artan Pulti i ka kërkuar ndihmë dy shokëve të tij, të bashkëpunonin në zhvillimin e një aktiviteti në fushën elektrike. Kështu ai i ka kërkuar kallëzuesve që ta ndihmonin, për ta financuar në mjete monetare. Për shkak të njohjes së mëparshme, P.Sh dhe A.T kanë pasur besim tek shtetasi Artan Pulti. Në këto kushte, sipas akuzës, në periudhën 2006-2010 e kanë financuar Pultin në vlerat monetare 1.532.450 euro dhe 74.600.000 lekë, kundrejt një interesi minimal prej 1%. “Në vitet 2010-2011, kallëzuesit i kanë kërkuar shtetasit Artan Pulti kthimin e shumës së marrë, por ai nuk ka pranuar, duke mohuar ekzistencën e detyrimit. Nga mospranimi i detyrimit, provohet se Artan Pulti ka qëllim që të mos i japë shumat e marra prej tyre” pohon akuza. Nga hetimet ka rezultuar se Artan Pulti i ka gënjyer këta shtetas. “Gënjeshtra konsiston në faktin se i pandehuri do t’i kthente paratë që do t’i jepeshin, madje edhe interesin prej 1% të vlerës. Këto para ai nuk i ka kthyer ende”, thuhet në dosjen e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës.


Sipas saj, në fillim të hetimeve, janë marrë deklarimet e Artan Pultit, i cili, para prokurorit Armand Gurakuqi dhe hetuesit Urim Buci ka deklaruar se “nuk i kam marrë asnjë borxh shtetasve në fjalë”. Sipas akuzës, një fakt i tillë është i pavërtetë dhe një nga fazat e hetimit ka qenë ballafaqimi i kallëzuesve me personin në fjalë. Në datën 18 qershor 2012 është bërë ballafaqimi i tyre në Prokurorinë e Tiranës, ku palët kanë pretenduar të njëjtat gjëra si më parë. Pra, kallëzuesit, P.Sh dhe A.T kanë ritheksuar faktin se z. Pulti u kishte marrë një shumë në vlerë rreth 2 milionë euro, të cilat ende nuk ia kishte kthyer.


 


Dokumentet


Grupi hetimor ka analizuar provat e paraqitura bashkë me kallëzimin, ku rezultonin katër fletë ku detajohej qartësisht borxhi i dhënë nga shtetasit P.Sh dhe A.T në drejtim të Artan Pultit. Kështu, sipas dokumenteve, të zonjës Zh.L, bëhet fjalë për të gjitha shumat e lëvruara. Sipas tyre, fleta e parë është përpiluar në vitin 2007 dhe bën fjalë për një pagesë që i është bërë Pultit në masën e 155.300 euro. Ndërsa në vitin 2008 i janë paguar 586.100 euro dhe në vitin 2009 i është dhënë një shumë prej 71.000 eurosh. Akuza pohon se janë edhe fletë të tjera, me shuma të mëdha që i janë dhënë të pandehurit. Madje, në fund të këtyre fletëve, shkrimet në fjalë janë nënshkruar nga Artan Pulti. Sipas aktit të ekspertimit të bërë në Policinë Shkencore, ka rezultuar se shkrimi është bërë nga zoti Pulti. Të dhënat janë përfituar nga krahasimi i shkrimeve.