Historia dhe Filologjia


“Ngjan me modelin kilian, jo anglosakson”. Argumentet kundër dhe propozimet


Shpresa Mezini


FilologjikuRreth tri javë pas zbardhjes së draftit të ri të arsimit të lartë në vend, vjen qëndrimi i parë zyrtar në radhën e grupeve të interesit. Bëhet fjalë për reagimin e këshillit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, të përmbledhur në një material, të ndarë në dy pjesë, mbi problematikën e përmbajtjes së draftit dhe propozimeve për një reformë që do të ndikonte pozitivisht në cilësinë e arsimit të lartë në vend. Konkluzionet e arritura në këtë material zbardhin një të vërtetë të madhe, që drafti i komisionit të arsimit të lartë, ngjan me modelin kilian, jo anglosakson, pavarësisht se nuk thuhet në asnjë pjesë të tij. Një nga reformat, më të kritikuara rreth dy vjet më parë, të propozuara në kohën, kur ministër i Arsimit ishte z. Myqerem Tafaj.    Ndërsa mes rreshtave, këshilli ngre akuza, se duket sikur shqetësimi më i madh i grupit që ka hartuar draftin është si të zgjidhë ndonjë kërkesë lobuese të ndonjë prej IAL-ve private. “Në thelb kjo skemë ngjan, vetëm se nuk thuhet, me skemën e reformës së Kilit dhe duket sikur shqetësimi më i madh i grupit të draftit është si të zgjidhë ndonjë kërkesë lobuese të ndonjë prej IAL-ve private, sepse në fazën e parë parashtrohet se universitetet private që do të duan të bëhen fondacione përfitojnë të ardhura financiare nga kërkimi dhe nga studentët ekselentë, të cilët transferojnë voucher-in e tyre (koston nga fondi i shtetit), drejt universitetit që preferojnë dhe në fazën e dytë, këto universitete me themelues privatin, sikundër universitetet publike me themelues shtetin, transferojnë këtë kosto pa dallim, në mënyrë të plotë, si: kërkimin, inovacionin edhe mësimdhënien. Drafti nuk sqaron cili do të jetë roli i themeluesit të universitetit privat kundrejt fondacionit. Në qoftë se këto universitete janë me borxhe apo kanë devijuar kapitalet në burime të tjera, atëherë mbetet e paqartë në draft se si do të zgjidhet kjo situatë, kur ato të kalojnë në fondacione?”, argumentohet në materialin e këshillit të filologjisë. Ndërkohë, sipas tij, referuar trajtimit të universiteteve publike dhe private, në periudhën e dytë të reformës, si fondacione, duket qartë se autorët e draftit e kanë pasur të vështirë të gjejnë një pikë konverguese kushtetuese dhe se koncepti i përfolur i OJQ-ve zëvendësohet me termin fondacion, ndërkohë që për universitetet private kjo lihet në dëshirë të tyre. “Termi fondacion i rri keq traditës së universiteteve europiane, të Europës Juglindore, si dhe kontekstit të traditës universitare shqiptare”, shpjegojnë anëtarët e këshillit të fakultetit të FHF.


Modeli anglosakson


Nisur nga këto shqetësime, por edhe të tjera, ky institucion kundërshton zbatimin e draftit të ri, duke e konsideruar atë si një model që i largohet realitetit të sotëm të shoqërisë apo përvojës së grumbulluar në gjithë këto vite. Ndërkohë, duke marrë në konsideratë edhe diskutimet e bëra në çdo departament të këtij fakulteti, Këshilli gjykon se arsimi ynë i lartë ka nevojë doemos për reforma që të ndikojnë në përmirësimin cilësor të funksionimit të tij, por nga ana tjetër theksojnë se ky lloj drafti nuk mund ta kryejë këtë rol. Kjo, pasi sipas tyre, si model anglosakson, i lidhur me standardet, traditat dhe legjislacionet specifike të atyre vendeve që e zbatojnë atë, rezulton se ky model nuk është njehsuar as në vendet e zhvilluara europiane, e jo më të realizohet në realitetet tona, me mundësitë modeste që disponohen te ne. Këshilli thekson se çdo reformë që mund të ndërmerret duhet të jetë sa më afër modelit të universiteteve të rajonit të përfshira në sistemin e Bolonjës dhe të konceptohet e zbatohet me realizëm, në përshtatje me mundësitë e shtetit, të shoqërisë dhe të vetë individit në vendin tonë. Ndërsa drafti i hartuar nga komisioni i lartë i arsimit ka prirje t’i shmanget këtij sistemi, për të cilin është investuar gjithë këto vite dhe që sot funksionon si një sistem i gjithëpranuar, me gjithë kritikat që i bëhen dhe ndonjë zbatimi të ngurtë të parimeve të tij edhe prej institucioneve tona.


Autonomia


“Drafti i ri i arsimit të lartë cenon parimet, mbi të cilat mbështetet ai sistem si: autonomia, demokracia dhe e mira publike. Këshilli konstaton se drafti reflekton varfëri informacioni për sa i përket gjendjes në arsimin e lartë. Në shumë pjesë të tij informacionet dhe faktet ngatërrohen me opinione dhe perceptime dhe nuk ka referenca të qarta se në cilin model arsimor janë mbështetur vlerësimet e dhëna. Këshilli vlerëson se në 59 IAL-të (publike e private) drafti orientohet vetëm në problematikën e universiteteve publike, duke lënë pa e trajtuar problematikën e universiteteve private në çështje tepër të rëndësishme si: burimet e financimit, organizimi dhe funksionimi, gjendja e tyre financiare sot, raportet e këtyre universiteteve me bizneset e tjera, si dhe çfarë mendohet për të ardhmen e universiteteve që nuk do të jenë fondacione. Nga ana tjetër, meqenëse synimi përfundimtar i kësaj reforme do të jetë shndërrimi i universiteteve publike dhe private në fondacione, nuk bëhet asnjë analizë se si po funksionon ky model në të tria universitetet që janë tashmë fondacione. Theksojmë këtu se universitetet publike sot, as ligjërisht e as faktikisht nuk janë shtetërore për nga misioni dhe për nga pjesëmarrja publike në financimin e tyre”, thuhet në materialin final të përgatitur nga Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pas shqyrtimit të përmbajtjes së draftit.


Kosto e reformës


Referuar materialit, thuhet se nëse reforma do të realizohet siç edhe propozohet, atëherë kostoja e saj nuk përballohet nga të gjithë aktorët që përfshihen në këtë të mirë publike dhe përgjegjësi publike, ku barra e kostos bie kryesisht mbi studentët dhe shteti i shmanget përgjegjësisë që ka për universitetet. Më konkretisht, në draft parashtrohet se kontributet nga shteti në fondin e kushtëzuar për arsimin lëvizin nga 2.2% në 2.8% e PPB, se kostoja e studentit është 460 euro (nga fondi i pakushtëzuar + fondi i kushtëzuar), se investimi për Arsimin e Lartë lëviz nga 0.4% – 0.6% të PPB-së, se vendet rrotull nesh investojnë për arsimin në tërësi mbi 3.5% të PPB-së dhe për universitetet 1%-3% të PPB-së. Por, sipas akademikëve, në draft nuk parashikohet nëse do të rritet ose jo përqindja e PPB-së, për arsimin, siç edhe u premtua nga qeveria në programin e saj elektoral. “Vetë drafti shprehet se në vende si Bullgaria dhe Rumania, kostoja e një studenti në vit shkon nga 1500 deri 2000 euro. Nëse qeveria nuk rrit financimin për arsimin i bie që kostoja të mbulohet kryesisht nga studentët. Më konkretisht: projektet e të gjitha natyrave, si burim i ardhshëm (i mundshëm) financimi për rritje fondesh, nuk ngrenë sot për sot peshë dhe nuk ka gjasa se në një periudhë afatshkurtër do të ngrenë peshë për shkak të krizës rajonale në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti.


Donacionet


Donacionet, që ekzistojnë edhe në ligjin aktual si mundësi financimi, nuk rezultojnë të jenë me dobi për universitetet, për shkak të nivelit të zhvillimit problematik të sipërmarrjes aktuale. Në draft thuhet qartë se kjo kosto duhet të merret përsipër nga studentët dhe se shteti do t’i ndihmojë ata duke hyrë garant për kredi te bankat, një përvojë kjo e njohur në vende të zhvilluara. Në gjendjen e papunësisë sot, për shkak të zhvillimit problemor të ekonomisë shqiptare, siç po ndodh për kreditimet në pushtetin vendor, bankat do të jenë të rezervuara për këto kreditime, pasi nuk do të kishte garanci për shlyerjen e tyre dhe kreditë e studentëve do t’i shtoheshin vëllimit të kredive të këqija bankare”, sqarohet në qëndrimin zyrtar të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Sipas tij, familjet shqiptare janë partnere në zhvillimin e universitetit dhe nuk e gjykon të mundshme që ata të përballojnë kosto jashtë mundësive të tyre ekonomike, të cilat do të shkojnë menjëherë 1000-1500 euro. Për më tepër, në draft thuhet se për studimet në sistemin Master studentët pa dallim dhe pavarësisht nga të ardhurat familjare, duhet ta përballojnë vetë të gjithë koston. Pra, praktikisht ky sistem kthehet në një shkollë vetëm për të pasurit, çka bie ndesh me vetë arsyen e ekzistencës së universiteteve, për të vlerësuar trurin e jo ‘xhepin’.


Part-time


“Mbyllja e sistemit me kohë të pjesshme, që përbën 21% të numrit të përgjithshëm të studentëve (në fakultetin tonë përbën 50%) të arsimit të lartë dhe nga pikëpamja kontribuuese tarifore shumë më tepër se kaq. Kufizimi i pranimeve doktorale, si dhe vënia e mesatares 6 në pranim do të kishte si efekt uljen në mënyrë të ndjeshme të të ardhurave të universitetit, duke i vënë në diskutim edhe shifrat e përmendura në draft për të ardhurat. Për shembull, për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë shteti investon 120 milionë lekë, prej të cilave 96 milionë për pagat, 9.3 milionë për bursat dhe pjesën tjetër për sigurime shoqërore e shëndetësore. Në fakultetin tonë, të ardhurat nga fondi i kushtëzuar realizohen si vijon: sistemi me kohë të pjesshme siguron 61 milionë lekë, sistemi master 67 milionë, sistemi bachelor 39 milionë, sistemi doktoral 30 milionë. Pra, në qoftë se do të zbatohet drafti, siç paraqitet, i bie që të lëvizin menjëherë shifrat nga sistemi me kohë të pjesshme, sistemi doktoral dhe pjesërisht bachelor, për shkak të mesatares, që do të thotë se fakulteti ynë do të humbasë mbi 50% të të ardhurave që ai ka aktualisht”, argumenton këshilli.


Dypunësimi


Një tjetër pikë që kundërshton këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, është edhe dypunësimi i pedagogëve, që përbën shqetësim edhe për ato vetë. Mirëpo, ndërsa pranojnë se duhen kufizuar rastet ekstreme të angazhimit të pedagogëve në universitete të tjera, këmbëngulin se nuk mund të pengojnë mobilitetin, që është element i rëndësishëm i sistemit të Bolonjës. “Në kushtet kur paga më e lartë, ajo e profesorit është vetëm 640 euro, një rast i paprecedentë për rajonin, ndërkohë që edhe Kosova e Maqedonia, i ka pagat e pedagogëve më shumë se dyfishi i pagave tona. Kështu që duke kufizuar këto të ardhura që vijnë nga sistemi part-time, nga dypunësimi, nga pakësimi i sistemit full-time, në kushtet e zhvillimit të vetë shoqërisë shqiptare dhe të pamundësisë për projekte, kjo skemë e varfëron  maksimalisht pedagogun dhe e bën të paqëndrueshëm në institucionet tona përballë një oferte nga universitetet private, sepse për arsye të përmendura më lart, universitetet tona do ta kenë të pamundur rritjen e pagave në këto kushte. Pra, mund të lindë fenomeni i braktisjes masive të IAL-ve publike, gjë që do të kishte pasoja të rënda për funksionimin normal të tyre”, argumenton Këshilli.


Pushteti i bordit


Pushteti që i jepet bordit administrativ dhe menaxherëve të tij, në draftin e ri të arsimit, është një tjetër pikë, që sipas rezultatit të arritur nga këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, cenon rëndë autonominë e universiteteve publike, duke i konsideruar anëtarët e bordit si pronarë de facto’ të këtyre institucioneve. “Duket qartë se për draftbërësit koncepti menaxherial prevalon mbi konceptin akademik, kur dihet se është ky i fundit që duhet të udhëheqë universitetet. Kjo vihet re edhe prej faktit se drafti nuk shpreh asgjë për autoritetet akademike si rektori, dekani, përgjegjësi i departamentit. Lihet në terr edhe roli i këshillit të fakultetit, i senatit dhe i këshillit të profesorëve. Cili do të jetë statusi i tyre? Si do të funksionojë ky dualizëm akademiko-menaxherial, kur dihet qartazi se universitetet nuk kanë lindur për shkak të menaxhimit, por për shkak të vizionit të tyre akademik. Ato janë institucione që ofrojnë dije për këdo dhe në çdo kohë. Nga ana tjetër, ka një mbingarkesë në agjenci menaxhimi e menaxherë, duke e çuar rolin e tyre deri atje sa edhe për marrjen në punë të një profesori, zgjedhjen e komisionit duhet ta bëjë menaxheri. Kështu konceptohet sikur profesorët janë disa punonjës të rëndomtë, që mjafton të përmbushen disa kritere formale dhe ata mund të merren në punë”, përfundon këshilli, në materialin e hartuar pas konkluzioneve të arritura pas analizimit të draftit, nga departamentet e këtij fakulteti.