Vlera 6.4 mld euro


Raporti i ministrit të Brendshëm, Tahiri, për drogën


Silvana Muça



Për gjashtë muajt e fundit, policia shqiptare ka asgjësuar drogë më shumë sesa ka asgjësuar në gjashtë vitet paraardhëse dhe ka sekuestruar marijuanë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së kaluar. Shifrat janë bërë publike dje nga vetë ministri i Brendshëm, i cili ka dhënë një përmbledhje për operacionet antidrogë “mars-shtator 2014”, gjatë të cilit, për herë të parë u godit edhe Lazarati.


Shifrat


Sipas të dhënave, rreth 6.4 miliardë euro është vlera e drogës së asgjësuar në vend nga Policia e Shtetit gjatë vitit 2014. Në takim, ku ishin të pranishëm edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri, Ministria e Brendshme bëri publike shifrat e personave të arrestuar dhe asgjësimin e rrënjëve të marijuanës. “Nga marsi i këtij viti deri sot, në mbyllje të kësaj faze operacionale, janë shkatërruar plotësisht 2214 parcela të kultivuara me lëndë narkotike në të gjithë vendin”, u tha dje. Gjithashtu, nga statistikat e bëra publike një ditë më parë, Tahiri tha se gjatë këtyre muajve, janë asgjësuar gjithsej 530 177 rrënjë kanabis, që janë më shumë se rrënjët e shkatërruara gjatë 6 viteve të fundit, 2008–2013, të marra bashku. “Në total u sekuestrua 101.7 tonë marijuanë, që janë më shumë se sasia e marijuanës së sekuestruar gjatë 8 viteve të fundit, 2005-2013, të marra së bashku. Në operacionet antikanabis, policia procedoi penalisht 1918 shtetas, 1058 prej të cilëve të arrestuar, 604 në gjendje të lirë dhe 187 në kërkim. Gjithashtu janë shkatërruar 41 grupe kriminale dhe proceduar 9 të zgjedhur vendorë”, theksoi Tahiri.


Guardia di Finanza


Gjatë fjalës së tij, Tahiri tha se kur ka marrë detyrën si ministër i Brendshëm, ka gjetur mbi tryezë një raport të Guardia di Finanza, me parcela të tëra të individualizuara kudo në Shqipëri, për të cilat, sipas tij, nuk ishte lëvizur asnjë gisht për t’i asgjësuar. Sipas të dhënave, partnerët italianë, në total kishin bërë 39 fluturime dhe kishin identifikuar 800 plantacione me kanabis, përveç Lazaratit. Me vullnetin e ministrit, policia shqiptare ndërhyri dhe nga raporti i Guardia di Finanza, rezultoi se të dhënat ishin të sakta për 770 prej plantacioneve. “Situata ishte ajo që dinim të gjithë, e gjetëm Shqipërinë të mbjellë në çdo pëllëmbë me drogë. Në të gjithë raportet ndërkombëtare, pa përjashtim, Shqipëria konsiderohej vend origjine dhe transiti për trafikun e lëndëve narkotike. Është për këtë arsye që Kryeministri, qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, renditën menjëherë si prioritet absolut, luftën pa asnjë kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Na u desh që deri në dhjetor 2013, të ndërprisnim me të gjitha mundësitë tona, rrugët e trafikut të drogës, që ishte mbjellë e korrur përpara se qeveria të mandatohej nga Parlamenti dhe unë vetë të merrja detyrën”, tha Tahiri për situatën e gjetur përpara një viti.


Pastrimi i policisë


Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar spastrimin e punonjësve të policisë, që ishin të lidhur me kultivuesit e drogës dhe trafikantët e lëndëve narkotike. Objektivi i ministrit ishte që të ndalohej mbjellja e drogës në territorin shqiptar. Gjatë kësaj kohe, nisi fushata sensitive për sensibilizimin e komuniteteve vendore, me anë të takimeve. Faza tjetër ishte mbledhja e informacionit dhe përgatitjet operacionale, për të gjitha veprimet që do të kryente policia. “Kishte raste kur veprimet e policisë keqkuptoheshin apo disa të tjerë që edhe habiteshin dhe ironizonin se si mund të bënte një lojë futbolli policia në Lazarat. Sot është e lehtë të kuptohet që ishte e gjitha pjesë e një skenari të mirëmenduar, planifikuar e për të cilin ishim shumë të vendosur ta çonim përpara”, tha kreu i Ministrisë së Brendshme.


Goditja në Lazarat


Për të pasur të dhëna sa më të sakta, pala shqiptare i ka kërkuar ambasadorit italian, Gaiani, dhe më pas ministrit të Brendshëm të Italisë, ndihmë konkrete me misionin e Guardia di Finanza për të fotografuar nga ajri çdo parcelë. Veprimet konkrete, kundër kultivimit të drogës, filluan menjëherë, duke asgjësuar parcelën e parë në mars 2014 në Qarkun e Beratit. Sipas Tahirit, ky moment shënonte edhe fillimin e veprimeve operacionale të policisë në çdo cep të Shqipërisë. Aksionin e Lazaratit, ai e ka konsideruar si më të madhin në Europë. “Organizuam aksionin më të madh antidrogë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, por pa asnjë dyshim edhe aksionin më të madh në Europë, operacionin në Lazarat. Simboli i paprekshmërisë dhe sfidës ndaj shtetit dhe ligjit, u bë njëkohësisht dëshmia më e qartë e vullnetit tonë për të mos bërë asnjë hap pas në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Pas tij, një tjetër operacion i shkallës së gjerë në Dukagjin, që ndonëse larg syve të publikut, ishte më i vështirë dhe më problematik se aksioni në Lazarat. Edhe aty, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit tregoi vendosmërinë për të shkatërruar çdo rrënjë drogë, në çdo cep të Shqipërisë”, tha kreu i ministrisë.


Fondet e krimit


Paratë e krijuara me anë të biznesit kriminal të drogës, sipas Saimir Tahirit, kanë shërbyer për të furnizuar botën e krimit dhe për të korruptuar drejtësinë. “Në qoftë se nuk do të shkatërrohej nga ne, por droga do të dilte në treg, qoftë këtu, por akoma më shumë në tregun europian, ku edhe ka pasur destinacionin, vlera monetare e drogës së asgjësuar dhe sekuestruar do të ishte 6.4 miliardë euro. Ku kanë shkuar në të kaluarën kaq shumë para? Unë e kam një përgjigje. Për të furnizuar botën e krimit. Për të krijuar mbretërinë e aseteve kriminale. Për të korruptuar drejtësinë. Për të korruptuar politikën. Të gjitha bashkë, për të dërrmuar demokracinë dhe shtetin ligjor, për të mbajtur në këmbë informalitetin dhe korrupsionin, për të ndërtuar një shoqëri të deformuar, jo të barabartë dhe as të drejtë. As mjaftohemi me kaq dhe as do të ndalojmë me kaq. Trafiku i drogës vijon të mbetet kërcënim real për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kemi shumë për të bërë, në një luftë absolute me drogën dhe paratë e pista të botës së krimit që ajo sjell në shoqëri. Ky është vetëm fillimi. Do të vazhdojmë të mos lejojmë asnjë rrënjë kanabis, por njëkohësisht, të marrim në hetim pasurinë e pashpjegueshme dhe të pajustifikuar, deri në sekuestrimin e aseteve kriminale, veçanërisht aseteve të vëna nga mbjellja dhe trafiku i drogës”, zotohet ministri.


 


[callout]Takimi


Ambasadori i kërkon ndjesë Tahirit, pasi dyshonte në këtë operacion


Arvizu: Nuk e besoja se Lazarati varej vetëm nga vullneti politik


“Lufta kundër drogës paska qenë një vullnet politik dhe jo një çështje teknike, siç na e kishin paraqitur më parë, por m’u desh pak kohë që ta kuptoja këtë. Lazarati është një prej atyre gjërave që me këdo kam biseduar, më kanë thënë është problem, por s’mund të bëjmë dot asgjë për ta zgjidhur. Unë thosha, po pse jo? Dhe nuk kam marrë kurrë një shpjegim. Duke u kthyer në retrospektivë duhet të vlerësojmë planifikimin që u krye, pa të vrarë”, është kjo deklarata e bërë një ditë më parë nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh mjaft i entuziazmuar për rezultatet në luftën antikanabis, që Shqipëria u ka shpallur grupeve kriminale. Fillimisht kishte shprehur dyshime për realizimin e një operacioni në Lazarat, por theksoi se gjithçka mund të arrihet me vullnet politik. “Jemi të gjithë në kohë reflektimi. Kur ministri Tahiri më tha se kishin një plan për Lazaratin, thashë në rregull. Megjithëse sot i kërkoj ndjesë për dyshimin në realizimin e këtij operacioni. Lazarati ishte çështje e vullnetit politik. Lazarati ishte problem për të gjithë. Jam i impresionuar nga ato që më shfaqi. Lazarati shkoi në mënyrë profesionale. Shqipëria është në rrugën e duhur. Vizita e Papës ishte simbolike edhe statusi kandidat ishte simbolik, sepse nënkupton një rrugë të gjatë, por të arritshme. Më e mira do të vijë”, theksoi ambasadori Arvizu.[/callout]