Pas votimit nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, për të qenë kandidat për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri doli pasditen e sotme përpara mediave ku kërkoi bashkëpunim institucional, në mënyrë që KQZ ta ketë më të thjeshtë punën për zgjedhjet e ardhshme.
“Ky rast është besim dhe kënaqësi, jam i vetmi me shumë eksperiencë në KQZ. Shpresojmë që vendimet t’i marrim në zbatim të ligjit dhe në bashkëpunim me anëtarët e tjerë. Është i rëndësishëm kontributi i të gjithëve, partive politike, anëtarëve të KQZ-së, medias, etj”, tha Zguri.
Ky i fundit u propozua nga Partia Demokratike për të qenë në krye të institucionit që merret me menaxhimin e zgjedhjeve, në bazë të marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës. Klement Zguri pasoi në këtë detyrë Denar Bibën, i cili pritet të emërohet nënkryetar i KQZ-së.
22 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)