qwe


Policia e Tiranës njoftoi sot se ka identifikuar një 34 vjeçar që dyshohet se është autori i vrasjes së balerinës Sonila Tafa mbrëmjen e kaluar në një klub nate në Tiranë. Sipas policisë, i dyshuari është Artur K., i cili është shpallur në kërkim.



Klientët zihen në diskotekë, vritet aksidentalisht balerina


Dëshmitari


E gjithë historia ka zgjatur pak sekonda dhe autori kishte në makinë vajzën që e shoqëronte që prej fillimit të mbrëmjes. Ajo e shtyu që të qëllonte në drejtimin tonë, duke i thënë që të na vriste


Sonila Tafa qëllohet në kokë. Dëshmitarët: Sherri filloi me gota e përfundoi me plumba


Silvana Muça


Tiranë – Një 26-vjeçare është vrarë me armë zjarri mëngjesin e së shtunës në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Kasharit, në një prej lokaleve të natës, me muzikë live dhe balerina. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima, e identifikuar si Sonila Tafa, është qëlluar aksidentalisht, por ende nuk dihet se kush ka qenë objektivi. Mësohet se autorët e krimit janë konfliktuar me dy persona të tjerë, për arsye të paqarta brenda ambienteve të lokalit. Punonjësit e sigurisë së diskotekës e kanë nxjerrë njërën palë jashtë për të shmangur konfliktin. Pas 20 minutash, klientët e përzënë kthehen në vendin e ngjarjes dhe qëllojnë disa herë në drejtim të pub-it. Njëri prej plumbave ka prekur 26-vjeçaren, me profesion balerinë, e cila ka qenë prezente në këto momente. Tafa ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin Ushtarak, prej plagës së marrë në pjesën e kokës. Madje, plumbat kanë prekur edhe një vajzë tjetër, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia për të bërë të mundur zbardhjen e vrasjes. Janë mbledhur prova materiale, të cilat do të ndihmojnë në arrestimin e autorëve. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka qenë aksidentale dhe se e reja nuk ka pasur asnjë lidhje me autorët.


Dëshmitari


Një dëshmitar okular ka treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes së rëndë. Sipas tij, diskoteka me muzike live dhe balerina, ka pak kohë që është hapur dhe është i ndarë në tri zona: zona e VIP-ave, zona me kolltukë dhe arena. Sipas dëshmitarit, ngjarja është zhvilluar në zonën e arenës, rreth orës 02:30 të së shtunës, mes dy tavolinave. “Në njërën prej tyre kanë qenë ulur dy çifte, ndërsa te tjetra dy meshkuj dhe një femër. Të rinjtë kanë shkëmbyer shikime me njëri-tjetrin. Më pas kanë nisur që të fyhen me fjalë të rënda dhe situata ka degjeneruar deri në hedhjen e gotave nga njëra tavolinë në tjetrën. Skena është ndjekur nga shumë klientë, të cilët janë trembur. Punonjësit e diskotekës e kanë pasur të vështirë të normalizonin situatën, por ka qenë e kotë, sepse të rinjtë janë përleshur fizikisht edhe jashtë oborrit të lokalit. Autori i vrasjes, që ndodhej në tavolinën me dy vajza, ka shkuar te makina për të marrë dorezën e hekurit. E ka kapur kundërshtarin në befasi dhe i ka gjuajtur në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime serioze. Situata po tensionohej sërish dhe badigardët kanë ndërhyrë për t’i ndarë. Personin e dëmtuar në fytyrë, së bashku me shoqëruesit e tyre, i ka futur në lokal. Autorin nuk e ka lejuar që të hyjë brenda. Ai largohet me personat që kishte me vete. Kthehet pas 20 minutash, me një makinë pa targa dhe qëllon në drejtim të lokalit. Nuk e di të them se kë kishte si qëllim, badigardët apo personin që u konfliktua. Kam dëgjuar më shumë se 5 krisma. Njëri prej plumbave preku edhe atë vajzën që vdiq. Plumbi u nis për një vajzë tjetër, kliente, por partneri e tërhoqi nga vetja dhe e shpëtoi. Ajo u gërvisht pak dhe fatmirësisht nuk kishte pasoja të rënda. Sonila ishte mbrapa kësaj vajzës që u lëndua dhe i njëjti plumb i mori jetën. E gjithë historia ka zgjatur pak sekonda dhe autori kishte në makinë vajzën që e shoqëronte që prej fillimit të mbrëmjes. Ajo e shtyu që të qëllonte në drejtimin tonë, duke i thënë që të na vriste. Pas kësaj, janë larguar duke i dhënë makinës, me shpejtësi marramendëse”, shprehet dëshmitari. Balerina e plagosur është rrëzuar në tokë dhe skena ka shkaktuar panik te klientët e tjerë, që kanë qenë duke dalë nga lokali. Sonila Tafa është futur në makinë, për t’u nisur direkt në Spitalin Ushtarak. Burimet thonë se ajo është ndarë nga jeta pak minuta pas plagosjes. Nuk ka mundur që të nxjerrë asnjë fjalë. Si çdo herë tjetër, policia e ka dërguar trupin në morgun e Tiranës, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Ekspertët do të përcaktojnë qartë rrugëtimin e plumbit dhe të dhëna të tjera që i nevojitet grupit hetimor për zbardhjen. Sipas dëshmitarëve, Sonila kishte shkuar në diskotekë për të kaluar fundjavën. Ajo kishte marrë një ftesë nga një shoqe e vjetër, e cila punonte si balerinë në lokalin që kishte pak muaj që funksiononte. Viktima bënte të njëjtin profesion, por punonte në një lokal tjetër periferik. Ka pak vite që është martuar, por nuk kanë fëmijë. Ka mbaruar shkollën e lartë në Universitetin e Bukur të Arteve.


Policia


Në sallën operative të Policisë së Tiranës ka mbërritur një telefonatë, ku thuhej se një person ka mbetur i lënduar. “Menjëherë pas kësaj, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, duke formuar grupin hetimor nën drejtimin e prokurorit dhe ekspertit kriminalist, me synim zbardhjen e rrethanave dhe motiveve. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti midis të rinjsh në këtë lokal nate, ku viktima është qëlluar dhe si pasojë më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Aktualisht, nga strukturat e Policisë së Tiranës, po punohet intensivisht për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen tërësisht të kësaj ngjarjeje, duke mbledhur dhe administruar provat, si dhe marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë në vendngjarje”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë, pa sqaruar rrethanat e vrasjes. Burime konfidenciale pohojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja plumbash. Vendi ku janë gjetur ato, policia i ka rrethuar me ngjyrë të kuqe. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, janë marrë në pyetje mbi 50 dëshmitarë. Ata kanë treguar me detaje të gjithë kronologjinë e ngjarjes, duke dhënë përshkrime të sakta për identikitet e personave që u përfshinë në konflikt dhe personit që qëlloi në drejtim të lokalit. Gotat që kanë pirë personat e ulur në tavolinat ku lindi sherri, janë prova që identifikojnë shenjat e gishtërinjve të autorit të vrasjes dhe palës tjetër. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Mësohet se ato kanë regjistruar pjesë nga krimi, por nuk bëhet me dije se sa të vlefshme janë. Policia pretendon se i ka identifikuar autorët dhe se arrestimi i tyre është çështje orësh. Emrat e të dyshuarve për vrasje, nuk bëhen me dije për arsye hetimore.


Morti


 “Nuk më duhet jeta pa Sonilën. Lërmëni!”. Familjarët e ndalojnë


 Nëna e balerinës tenton vetëvrasjen


 Familja e 26-vjeçares, që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm ka hapur dyert e mortit. Situata është mjaft e rëndë dhe askush nuk është në gjendje të presë njerëzit për ngushëllim. Dhimbja i ka gjunjëzuar të gjithë të afërmit. Më e rëndë situata është për nënën e viktimës. Të vetmet fjalë që thotë gjatë gjithë kohës janë “ti nuk ke vdekur Sonilë. Unë po pres që të hysh nga ajo derë”.


E ka të pamundur që ta pranojë vrasjen e së bijës. Gjatë kujës, doli jashtë derës së shtëpisë për t’u hedhur nga kati i pestë. Tentativa e vrasjes u ndalua nga të pranishmit. Kërkonin që ta ngushëllonin, por ishte e kotë. “Nuk më duhet jeta pa Sonilën. Lërmëni!” – ulërinte nëna e saj, teksa kërkonte që të hidhej nga lartësia.


Gjatë gjithë kohës, mjeku ndodhej prezent, pasi nënës i binte të fikët. Bashkëshorti nuk ndodhej aty që ta parandalonte. Ai është edhe më rëndë.


Sonila ishte vajza më e vogël e çiftit Tafa dhe fqinjët e përshkruajnë si një vajzë të hedhur. “Babai e trajtonte sikur ta kishte shoqe dhe gjithçka e ndante me 26-vjeçaren. Fqinjët e përshkruajnë balerinën, si një vajzë plot me ëndrra. Sonila ishte një vajzë shumë e hedhur. Kur ka qenë e vogël, ishte shumë e gjallë. I ati linte kokën pas saj, sepse i ngjante jashtë mase. Nuk ishte vetëm e përkëdhelura e prindërve, por e gjithë fisit. Kur u martua halla e Sonilës, ajo iu ngjit nga pas. E donte shumë dhe nuk e pranonte martesën e së hallës. Ajo kishte mbaruar shkollën për kërcim. U martua dhe kishte një jetë të lumtur. Nuk e di se përse e kanë vrarë, por nuk di që të ketë pasur probleme me njeri. Kur pashë shpalljen për vrasjen e Sonilës, nuk e besova. Shkova për ngushëllim te prindërit. I ati nuk ngrinte kokën fare dhe nuk fliste asnjë fjalë. Nuk pata guxim t’i thosha që të rronin vetë. Nuk kishte kuptim ky ngushëllim në ato momente. U dhashë dorën, ndenja pak minuta dhe dola jashtë. Nuk mund të rrija më tepër aty”, u shpreh një fqinje.