Telegrami


Sekretarja amerikane e Shtetit, mesazh Panaritit për emërimin e tij si ministër


Sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton, i ka dërguar vetëm dje mesazhin e urimit, homologut të saj shqiptar, Edmond Panariti. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, “sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka dërguar një mesazh urimi Edmond Panaritit, për emërimin e tij në detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Në mesazhin e zonjës Klinton thuhet: ‘Zoti Ministër, urime për emërimin tuaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë në shumë fusha. Ne jemi mirënjohës për rolin thelbësor që ka luajtur vendi juaj në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan dhe vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në përpjekjet tona të përbashkëta në Afganistan dhe në një sërë çështjesh në forumet ndërkombëtare. Do të doja të përsërisja mbështetjen amerikane për Shqipërinë në kryerjen e reformave të nevojshme për të arritur objektivin e saj për anëtarësim në BE.


Jam e bindur se ju si Ministër i Jashtëm do të punoni për një zhvillim të mëtejshëm demokratik dhe prosperitet ekonomik në Shqipëri, do të ruani politikën e jashtme konstruktive të vendit tuaj dhe do të vazhdoni të forconi lidhjet mes vendeve tona’”. Bëhet fjalë për një vonesë të konsiderueshme kohore, që diplomatikisht nuk do të thotë pak. Po pse ka ndodhur kjo vonesë. Burime në Ministrinë e Jashtme shqiptare e quajnë këtë gjë si normale. Por këtu, një telegram tjetër e bën më të komplikuar çështjen. Pasi sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ka uruar me një telegram të veçantë, ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinaston, i cili ishte ministri i Jashtëm shqiptar para se të emërohej në METE. Telegrami i zonjës Klinton për Haxhinaston nga të gjithë qarqet analitike u cilësua si një vlerësim selektiv mjaft i dukshëm i zonjës Klinton për ish-shefin e diplomacisë, i cili ka qenë aktiv në marrëdhëniet me diplomacinë amerikane, e në veçanti me sekretaren e Shtetit. Gjatë një takimi të paradokohshëm me Haxhinaston, zonja Klinton bëri të ditur se në vjeshtë do të vizitojë Tiranën. Gjë që nuk e thoshte në mesazhin për Panaritin.


 


Teksti


“Jam e bindur se ju si Ministër i Jashtëm do të punoni për një zhvillim të mëtejshëm demokratik dhe prosperitet ekonomik në Shqipëri, do të ruani politikën e jashtme konstruktive të vendit tuaj dhe do të vazhdoni të forconi lidhjet mes vendeve tona”