Ish-shefi i SHISH-it flet për njohjen e hershme me pasardhësin e tij
Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, deklaron se ai ka një njohje të hershme me kreun aktual të SHISH-it, Visho Likën. Në një prononcim për “Shqip”, Klosi thekson se e njeh Likën nga ambientet e përbashkëta universitare, duke qenë se ka qenë edhe pedagogu i tij. “Lika ka qenë një student i mirë dhe një matematikan i zoti. Por kjo nuk mjafton për të qenë drejtues i SHISH-it”, theksoi Klosi. Ai gjithashtu theksoi faktin se e ka gjetur Likën drejtor në SHISH gjatë kohës që ka marrë drejtimin e institucionit të “sekreteve”. “E kam gjetur Likën në zyrat e SHISH-it, në momentin kur mora drejtimin e këtij institucioni si drejtor të zbulimit, me një peshë të rëndësishme në këtë institucion. Nuk i kërkova largimin, por ai u largua vetë. Më vonë mësova edhe faktin se ai kishte pasur një rol tepër të dyshimtë në zgjedhjet e vitit 1996”, deklaroi Klosi. Nisur nga njohja personale e anës profesionale të Likës, Klosi theksoi se atij nuk i pëlqente fakti se në jetëshkrimin e kreut të ri të SHISH-it ishte theksuar shumë fakti se ai ishte një ekspert teknologjie dhe informatike. “Shikoj se në jetëshkrimin e tij i është mëshuar shumë faktit se ai është një njohës i mirë i informatikës. Por unë mendoj se SHISH-i nuk ka si detyrë kryesore të transmetojë informacion, por përkundrazi ka detyrë ta mbledhë këtë informacion kryesisht në terren. Ky është thelbi i punës së SHISH-it dhe që bazohet në mbledhjen e të dhënave në terren”, thekson ish-kreu i SHISH-it. Ai shprehet se koha në të cilën shkarkimi i ishte komunikuar ish-kredituesit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, ishte jo e duhura. “Nuk ishte e udhës t’ia thoshin lajmin për shkarkimin në momentin kur ai sapo ishte nisur me pushime”, deklaron Klosi në mbrojtje të Shaqirit. Por ai thekson se zgjedhja e muajit gusht për të bërë shkarkimin e Shaqirit dhe emërimin e Likës ka një sfond politik dhe që lidhet me faktin se një pjesë e mirë e zyrtarëve të shteteve partnere ishin në pushime. Klosi theksoi se shkarkimi i kreut të SHISH-it ishte një proces normal pas shtatë vitesh, por koha e zgjedhur nga Kryeministri dhe arsyet e këtij shkarkimi kishin shumë pikëpyetje brenda. “Pse nuk e pëlqente Kryeministri ish-shefin e SHISH-in? Arsyet për këtë nuk na i tha kurrë. Në fakt e vërteta është se ai nuk e quante Shaqirin një njeri të vetin dhe kjo mendësi është shumë e rrezikshme për një institucion të tillë”, deklaroi Klosi, duke shtuar se frika ishte se Lika do të zbatonte urdhra të paligjshme të dhëna nga Berisha.
Përpjekjet
Lufta e Berishës për drejtuesin e SHISH-it
Konflikti mes Kryeministrit Sali Berisha dhe drejtorit të SHISH-it daton që në vitin 2005. Një luftë 7-vjeçare, për të cilin kreu i qeverisë, Berisha, personi që është mësuar sa herë është në pushtet të ketë nën kontroll çdo institucion, ia arriti vetëm pas caktimit në postin e Presidentit, deputetin e partisë që ai kryeson, Bujar Nishanin. Bahri Shaqiri u emërua në krye të SHISH-it në janar të 2005-s. Kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, i propozoi Presidentit Alfred Moisiut emrin e Shaqirit, një njeri që kishte punuar në institucionin e Shërbimit Sekret. Pas ardhjes në pushtet të demokratëve, Berisha dha sinjale bashkëjetese me kreun e SHISH-it, por shpejt ideja e kontrollit të këtij institucioni do ta zhbënte këtë bashkëjetesë.