Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të programit të tij të auditimit për vitin 2012, gjatë auditimeve të kryera në periudhën 1/1/2008 deri më 31/12/2011 në Bashkinë Korçë ka konstatuar një dëm ekonomik në shumën totale 31 mln lekë dhe ka depozituar një kallëzim penal për Drejtorin e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Drejtorin e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Korçë.


Në njoftimin për shtyp të KLSH theksohet gjithashtu se, gjatë procesit të auditimit në këtë bashki është vërejtur se po gjatë kësaj periudhe nuk janë marrë masa ndaj 216 subjekteve debitore.

” Nuk janë marrë masa dhe nuk janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore ndaj 216 subjekteve debitorë me vlerë 26,186,322 lekë për vitin 2011 dhe për 820 subjekte debitorë me vlerë 84,518,000 lekë për periudhën 1/1/2008 deri 31/12/2010″, thuhet në njoftimin e KLSH.


Pas vlerësimit të mangësive dhe shkeljeve të konstatuara më lart, si dhe ato në fushën e urbanistikës, të pasqyruara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, rezultoi se Drejtori i Drejtorisë së Urbanistikës, Drejtori i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit dhe një Specialist në Sektorin e Zhvillimit të Tokës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke mos zbatuar apo shkelur kërkesat e Ligjit “Për urbanistikën” i ndryshuar, e Ligjit “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar, si dhe të akteve nënligjore përkatëse, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndaj për ta KLSH ka depozituar në organet e prokurorisë kallëzim penal.

24 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)