Kreu i KLSH bën analizën në një hotel të Vlorës: Miliona dollarë dëme nga faturat e paarkëtuara
Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi së fundmi se ka zbuluar shkelje të stërmëdha ekonomike dhe juridike në pothuajse të gjitha institucionet ku ka kryer kontroll, duke dhënë edhe një panoramë se çfarë ndodh realisht me pronat publike të dhëna me qira apo me koncesion.
KLSH-ja njofton se 650 mijë dollarë fatura qiraje apo tarifa shtetërore për koncesionet e dhëna nuk janë mbledhur kurrë dhe se për më tepër, askush nga zyrtarët e ngarkuar nuk ka marrë mundimin t’i kërkojë.
“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Tiranë, (ka humbur) 606 milionë lekë, si pasojë e mosushtrimit të penaliteteve për shkeljet e kushteve të kontratave koncesionare nga 24 koncesionarë dhe mosndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e dëmit të tyre ekonomik në vlerën prej 595,146 mijë lekësh, si edhe për mosllogaritje e mosarkëtim në favor të METE-s të detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e lidhura për “Fee koncesionare”, (tarifa e koncesionit) ku vetëm nga 5 shoqëri koncesionare, që disponohen dokumente (nga 13 shoqëri koncesionare të tilla) është shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 11.780.652 lekë vetëm për dy vjet aktivitet prodhimi dhe shitje të energjisë elektrike”, thotë KLSH-ja. Tarifa e koncesionit është një pagesë minimale që hidrocentralet private duhet të paguajnë për llogari të shtetit, për shkak se shfrytëzojnë burimet ujore që janë në pronësi publike.
Por në realitet, koncesionarët nuk e paguajnë dhe METE, e cila ka ndërruar shumë ministra e shumë herë stafet gjatë dy viteve të fundit, duket se e ka humbur llogarinë e parave që duhet të arkëtojë.
Ndërkohë, mijëra pronave publike të dhëna me qira nga ente të ndryshme shtetërore duket se qiradhënësi ka “harruar” t’u mbledhë qiranë. Qiratë shtetërore janë shumë të ulëta dhe dihet nga të gjithë që përfitohen përmes korruptimit të zyrtarëve. Megjithatë, pavarësisht se shpesh qiratë janë vetëm 1 euro për metër katror në muaj, qiramarrësit që kanë paguar nën dorë për përfitimin e objekteve nuk e marrin mundimin ta paguajnë, ndërsa edhe zyrtarët nuk e marrin mundimin ta mbledhin.
Bashkitë Laç, Rrëshen, Berat, Elbasan dhe Komuna Lenie, Gramsh apo Komuna Pezë në Tiranë, duhet të arkëtojnë miliona lekë nga qiratë e objekteve apo tokave publike, por sipas KLSH-së, nuk e bëjnë.
Ndërkohë, sipas KLSH-së, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Tiranë, i ka falur rreth 150 mijë dollarë koncesionarit të kontrollit teknik të automjeteve, ndërkohë që duhej t’i kalonin buxhetit të shtetit në formë fitimi.
Këto janë zbulimet e KLSH-së për periudhën janar-qershor të këtij viti. Ndonëse nuk bëhet fjalë për të zbuluar korrupsion të madh, raporti tregon se në çfarë niveli ka rënë shteti.
Shteti nuk ekziston
Dhënia me koncesion e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël e të mesëm ka qenë një projekt madhor i qeverisë, që synonte të krijonte një treg me qarkullim të përgjithshëm ekonomik prej 50 apo 60 milionë eurosh, si dhe të garantonte investime të konsiderueshme ndërtimore.
Por raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit vëren se kanë kërkuar të analizojnë dokumentacionin e 13 koncesioneve, nga mbi 200 të dhëna, dhe kanë arritur të gjejnë dosje për pesë koncesionarë. Nuk është e qartë nëse shteti ka realisht letra për të gjitha koncesionet që ka dhënë.
EUROGEDDON
Kriza në Eurozonë hap pas hapi
Parathënie
Si ndodhi që Eurozona hyri në një katrahurë të tillë? A mundet të dalë nga këto vështirësi? Përgjigjja për pyetjen e parë është më e lehtë sesa ajo për pyetjen e tyre. Monedha e përbashkët ishte së paku një projekt tepër i papjekur. Shumë nga 17 vendet anëtare që hynë në të që nga viti 1999 e më pas, nuk qenë gati për të pranuar këmishën e forcës që imponon politika monetare e përbashkët. Tregjet e tyre të punës ishin sklerotike, sistemet e mbrojtjes shoqërore ishin të fryra me detyrime dhe administrata e tyre ishte e mbushur me korrupsion.
Këto defekte nuk ishin menjëherë të dukshme, për shkak se ekonomia botërore ishte në atë kohë e pasur me likuiditete. Ishte tepër e lehtë në atë kohë të shisje borxh. Bankat nuk qenë të mbikëqyrura siç duhet. Qeveritë shkelën rregullat që ishin krijuar për të kufizuar huamarrjen e tyre. Në një pjesë të madhe të Eurozonës dhe veçanërisht në Greqi, Irlandë, Portugali, Spanjë e Itali, njerëzit filluan të shpenzonin më shumë para nga sa realisht fitonin.
Disbalancat e krijuara nga borxhet e tepërta, fluskat e rritjes së çmimit të shtëpive dhe ekonomitë jokonkurruese, u bënë probleme gjithnjë e më të mëdha deri sa shpërthyen.
A mundet Eurozona të zgjidhë problemet e veta? Eksperienca e dy viteve të fundit nuk është shumë shpresëdhënëse.
Deri më sot pesë qeveri kanë kërkuar ndihmë financiare. Bankat kanë infektuar qeveritë e tyre dhe qeveritë kanë infektuar bankat. Pjesë të mëdha të Europës janë zhytur në recesion të madh.
Ndërkohë, politikanët kanë rezultuar të paaftë për të ndaluar dëmet, pavarësisht shumë samiteve të gjata. Shpjegimi nuk është i vështirë për t’u gjetur. Vendet periferike të Eurozonës po vuajnë nga probleme që janë ndërtuar përgjatë shumë viteve e ndoshta, shumë dekadave.
Zgjidhja e vetme afatgjatë është të bëhen reforma të thella strukturore, të cilat janë shumë jopopullore dhe nuk do të sjellin përfitime brenda natës.
Politikanët në vendet e periferisë jugore janë përpjekur të mohojnë përmasat reale të problemeve. Kur nuk mund ta fshihnin më, ata u përpoqën të bindin vendet veriore t’i shpëtojnë nga falimentimi. Por veriorët nuk kanë pasur shumë dëshirë të bëjnë diçka të tillë, pjesërisht sepse nuk duan të shpenzojnë paratë e veta dhe pjesërisht për shkak se besojnë se jugorët nuk do të reformohen për sa kohë jeta për ta do të jetë e lehtë.
Dhe ndërsa përplasja është e kuptueshme, pasoja është që besimi te monedha e përbashkët po avullon dhe, edhe vetë vendet veriore po anojnë nga recesioni. Nëse euro rrëzohet, të gjithë do të vuajnë.
Eurogeddon është një përmbledhje faktesh të shkruara, ndërsa kriza zhvillohej hap pas hapi dhe përmban ngjarjet kryesore të kësaj historie të pakëndshme. Kapitulli i fundit paraqet një parashikim për të ardhmen.
Hugo Dixon
“Reuters”
Vijon nesër
Kapitulli i Parë: Kriza është një fjalë greke