Marrëveshjet


Firmosin dhe Aleanca Popullore e Aleanca Demokristiane. Dështojnë bisedimet me AK


Fatjona Mejdini  


Edi Rama & Zef BushatiKreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, firmosi dje grupin e fundit të marrëveshjeve paraelektorale, në koalicionin tashmë të pagëzuar si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, dhe numri i përgjithshëm i forcave politike arrin në 36. Rama ka firmosur marrëveshjet duke përfshirë këtu dy aleatët e tij tradicionalë, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi dhe po kështu me dy parti të reja. Kreu i PS-së nënshkroi marrëveshje edhe me Partinë Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit dhe Partinë Aleanca Popullore, të drejtuar nga Artur Dojaka. Këto marrëveshje u konkretizuan pas takimeve të gjata të zhvilluara në zyrën e kryesocialistit. Por dje PS nuk arriti të konkretizojë dot bashkëpunimin me Aleancën Kuqezi të Kreshnik Spahiut, pavarësisht negociatave intensive të zhvilluara gjatë gjithë ditës së djeshme. Burime nga PS bëjnë të ditur se kjo marrëveshje nuk u krye për shkak se Spahiu kërkonte minimalisht që tre anëtarë të kësaj force politike të ishin në vendet e sigurta për deputetë në listat e PS-së. Por nga ana tjetër, vetë Spahiu përmes një konference për shtyp, të mbajtur mesditën e djeshme, deklaroi se AKZ kishte vetëm gjashtë kushte, ku asnjëra nuk fliste për deputetë në listat e PS-së, por për çështje programore dhe parimore, duke përfshirë këtu dhe arrestimin e Kryeministrit Berisha. Gjatë prezantimeve, Rama nuk kurseu as ironinë për Kryeministrin Berisha, duke theksuar faktin se koalicioni i PD ishte tepër i vogël në numër dhe po konsiderohej si sukses nga Berisha. Ai e cilësoi aleancën e djathtë një grumbullim mbeturinash politike. “Për këdo që ndjek politikën në këto vite nuk është gjëkundi një koalicion i djathtë, por është një qendër grumbullimi mbeturinash politike, pas rrënimit të 8 vjetëve. Mbeturina republikane nga shpërthimi i korrupsionit në Gërdec, mbeturina monarkiste të mbretërisë së zullumeve këtu afër në Ministrinë e Mbrojtjes, mbeturina demokristiane të disa llojeve të mbledhura në rrugën e ateizmit korruptiv, mbeturina balliste, nga koteci i pulave të korruptuara të oborrit të pushtetit të Saliut, mbeturina pseudoçame nga hallva korruptive e Havasë dhe nga ballokumja korruptive e Qifes, mbeturina gjithfarë, ku sigurisht nuk mund të mungonte, o Zot, si mund të mungonte kazani simbol i riciklimit të mbeturinave politike, Lufteri i madh, Xhuveli i përjetshëm, që këtë herë ka përpirë edhe Hamzain tonë Kastriot”, deklaroi Rama.


AD dhe AP


Rama theksoi dje si të rëndësishme marrëveshjen me Partinë Aleanca Demokristiane të Zef Bushatit, parti e cila ka qenë e rreshtuar në koalicionin e djathtë. “Ardhja e PAD i jep një profil më të plotë këtij fronti. Në qendër shtohet edhe një forcë, ndërkohë që përballë kemi atë që kemi, duke qenë se Zefi është aktor m’u kujtua një rol me tespitë e plakut Mere që më 23 qershor do shpërbëhen. Ia thashë edhe Zefit se ai pati rolin e një komunisti që i solli demokristianët te PS”, theksoi Rama, duke e quajtur Bushatin dhe një mik të tij. Ai nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Aleanca Popullore të Artur Dojakës, që ka në program dhe kërkesën për zgjidhjen e çështjes çame. “Për PS çështja çame është një çështje e përfshirë në programin për një Rilindje Shqiptare”, deklaroi Rama.


PDS dhe PSD


Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Rama mbylli marrëveshjen dhe me dy aleatët e tij tradicionalë, Paskal Milon të Partisë Demokracia Sociale dhe Skënder Gjinushin të Partisë Socialdemokrate. Milo i konsideroi negociatat për koalicion si të vështira, por që sollën një produkt të kënaqshëm për palët.


 


Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”



  1. Partia Socialiste

  2. Partia e Bashkimit Republikan Shqiptar

  3. Partia për Prosperitet dhe Demokraci

  4. Partia Socialiste e Moderuar

  5. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare

  6. Partia për Unitet Kombëtar

  7. Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

  8. Partia e Gjelbër

  9. Partia e Çështjeve Shqiptare


10.Partia G99


11.Partia Ardhmëria Shqiptare


12.Partia për të Drejtat e Emigrantëve


13.Partia Rruga e Lirisë


14.Partia Kristiandemokrate


15.Partia Reformatore Demokratike


16.Partia Toleranca e Re e Shqipërisë


17.Partia Demokratike për Integrim e Prosperitet


18.Partia e Punës së Shqipërisë


19.Partia Social Punëtore e Shqipërisë


20.Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar


21.Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara


22.Partia Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane


23.Partia Mendimi i Djathtë Liberal


24.Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim


25.Partia Ambientaliste


26.Partia Shqiptare Atdheu


27.Lëvizja Socialiste për Integrim


28.Partia Ligj dhe Drejtësi


29.Bashkimi për të Drejtat e Njeriut


30.Partia Demokracia Sociale


31.Partia Aleanca Popullore


32.Partia Socialdemokrate


33.Aleanca Demokristiane


34.Partia Komuniste Shqiptare


35.Partia e Punës Shqiptare e Reformuar


36.Partia Komuniste Shqiptare 8 Nëntori