Telepuna – Parashikohen për herë të parë rregullat për telepunën, një dukuri e re në vendin tonë. Nëpunësit mund të çojnë me e-mail punën e kërkuar


Të miturit – Sipas Këshillit Kombëtar të Punës, ndryshimet e miratuara dje të dërguara në qeveri, parashikojnë rritjen e moshës për punë nga 14 në 15 vjeç


Ndryshime në 90 nene 


Penalizime për ngacmimet seksuale, largimet nga detyra. Puna mund të dërgohet edhe nga shtëpia me e-mail


Lorina Mixha


Shqiptarët do të kenë një Kod të ri Pune. Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar dje ndryshime në 90 nene të këtij dokumenti ligjor. Paketa e amendimeve i është dërguar për miratim Këshillit të Ministrave dhe pas aprovimit në qeveri, pritet të dërgohet në Parlament. Në Këshillin Kombëtar të Punës janë paraqitur risitë e përfshira në Kodin e Punës.


Ngacmimet seksuale, por edhe largimet nga detyra do të kenë penalizime. Sipas ekspertëve që hartuan ndryshimet në rastin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës, çështja do t’i kalojë gjykatës duke u shqyrtuar më pas sipas rregullave dhe procedimit që parashikon Kodi Penal.


Sipas ndryshimeve, burrave do t’u jepet leje lindje njësoj si në shtetet perëndimore. Bashkëshortët dhe baballarët e fëmijëve do të kenë mundësi ta kalojnë me vogëlushët e tyre katër muaj pushim me të drejtë rroge, brenda 6 viteve të para të jetës.


Po ashtu, gratë shtatzëna nuk do të lejohen të punojnë në oraret e mbrëmjes, jo vetëm në kohën e “pritjes së ëmbël”, por edhe gjatë kohës kur ushqejnë fëmijën me gji. Amendime të tjera të Kodit të Punës, janë raportuar edhe për pjesën e orëve jashtë orarit në punë. Risia është telepuna, mundësia që kanë nëpunësit për të dërguar me internet, detyrimet e përcaktuara nga eprori.


Ngacmimet seksuale


Nëse dikush të ngacmon seksualisht brenda ambienteve të punës, ai dënohet rëndë. Sanksioni për këtë vepër është vendosur për herë të parë në Kodin e Punës. Rasti dërgohet në gjykatë dhe procedohet më pas për dënimin dhe gjithçka tjetër sipas parashikimeve të ligjit në Kodin Penal.


“Për herë të parë, diskriminimit në punë, ngacmimi seksual i jepet një rëndësi tepër e veçantë dhe ky Kod u jep mbrojtje punëmarrësve në këtë dimension. Kemi garantuar që koha maksimale javore e punës të mos jetë më shumë se 48 orë dhe maksimumi i orëve shtesë të mos jetë më shumë se 200 orë shtesë”, tha ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Sipas tij, koha maksimale javore e punës nuk do të jetë më shumë se 48 orë. Ndryshimet në Kodin e Punës parashikojnë se shqiptarët do të punojnë më shumë, pasi kemi shtesë të orëve të punës, nga 40 në 48 orë punë në javë. Për herë të parë është vendosur që çdo punëmarrës, nëse prish kontratën e punës me punonjësin e tij, duhet të vendosë arsye dhe ta argumentojë atë. Kodi gjithashtu rrit nga 14 në 15 vjeç moshën për punë.


Një mbrojte më të madhe siguron Kodi i Punës për punëmarrësit, duke parashikuar që njoftimin që i bën punëdhënësi për zgjidhjen e kontratës së punës duhet ta shoqërojë edhe me shkaqet e prishjes dhe se barrën e provës për të vërtetuar se shkaqet ekzistojnë e ka punëdhënësi.


Garanci të reja parashikon Kodi edhe për aksionin sindikal, duke përgjysmuar kohëzgjatjen e pajtimit, duke sanksionuar të drejtën për grevën e solidaritetit, të grevës së përgjithshme në nivel kombëtar apo rajonal.


Leja e lindjes


Burrat do të mund të përfitojnë 4 muaj leje për t’u përkujdesur për nevojat e fëmijës brenda 6 viteve të parë të jetës së tij. Ndërsa për gratë nga 42 ditë, leja e paslindjes me rrogë të plotë rritet e shkon në 63 ditë.


Kodi parashikon rritje të mbrojtjes për gratë shtatzëna dhe nënat e reja nëpërmjet ndalimit të punës së natës për gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, mbrojtje nga diskriminimi në punë dhe barazinë në pagesë pa diskriminim.


 


Kosto


E drejta e përfitimit


Paga – Në ditët e festave zyrtare njihet vetëm kur ato bien në ditë pune


Ndryshimi – Lehtëson koston për punëdhënësit, përmirëson klimën e biznesit


Koha – Javore e punës, bashkë me orët shtesë, jo më shumë se 48 orë


Maksimumi – I punës shtesë në vit për punëtorin nuk mund të jetë më shumë se 200 orë