Dështon “Tivari”, ai i ngjarjeve të 21 janarit i shtyhet tre herë afati


BLEDAR HOTI


Nëse dëshiron që diçka të mos zbulohet kurrë, ta mbyllësh një çështje, atëherë krijo një komision hetimor. Kjo është një shprehje e famshme e thënë nga Kryeministri britanik Uiston Çurçill, e që për ironi ka zënë vend në Shqipërinë që ka mbi supe një demokraci 20 vjeçare. Në traditën e parlamentarizmit shqiptare krijimi i komisioneve hetimore ka lënë shije të hidhur, pasi ato janë përdorur jo për të zbuluar, por për të qenë si kamxhik ndaj opozitës, kundërshtarëve politikë apo ndaj institucioneve të pavarura. Dështimi më i fundit, i ardhur nga Kuvendi është ai “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit 1945”. I ngritur në korrik të vitit 2010, me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha u mblodh vetëm 2 herë në të gjithë ekzistencën e tij. Afati i këtij komisioni ishte 12 mujor, me kryetar demokratin Fatos Beja. Opozita nuk mori pjesë në këtë komision hetimor. Objekti i punës së komisionit hetimor ishte: a) hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ideatorëve, ekzekutuesve, ndihmësve dhe bashkëpunuesve për masakrën e Tivarit, të ndodhur në fund marsi – fillim prilli të vitit 1945; b) hetimi i plotë i ngjarjeve që paraprinë masakrën e Tivarit dhe roli i individëve të përfshirë në secilën prej tyre; c) zbardhja e plotë e së vërtetës historike për masakrën e Tivarit të vitit 1945 dhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale e personave që, me veprimet apo mosveprimet, e tyre kontribuuan, lejuan dhe ndihmuan në kryerjen e saj; ç) hetimi i plotë i fakteve dhe dokumentacionit të qëndrimit të shtetit shqiptar në vitet 1945-1990 në lidhje me këtë masakër, i përpjekjeve për zbardhjen dhe/ose fshehjen e së vërtetës për të dhe roli i strukturave shtetërore dhe individëve të kohës në raport me të. Fillimisht u duk se një komision i tillë u ndërtua për ndëshkuar ish-diktatorin Ramiz Alia, i cili, asaj kohe, ishte bërë pre e anatemimeve të Kryeministrit Berisha. Pas dështimit 1 vjeçar, Kuvendi propozoi, më 7 korrik të 2011, që afati t’i shtyhej dhe gjashtë muaj. Por kaluan dhe 6 muaj dhe ky komision, që do të hetonte një ngjarje të ndodhur 67 vite me parë, nuk nxori asnjë raport, nuk thirri asnjë dëshmitar. Në tërë vitet e pluralizmit politik Kuvendi ka ngritur 29 komisione hetimore parlamentare. Që nga viti 1991 janë ngritur shumë komisione hetimore, por disa u ngritën për shkarkime prokurorësh. I fundit ishte edhe ai i shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Mazhoranca brenda tri javësh, një rekord për jetëgjatësinë e komisioneve, ndërmori vendimin për shkarkimin e Spahiut. Aktualisht, i vetmi komision hetimor, që funksionon, por që nuk është mbledhur prej muajsh, është ai për ngjarjet e 21 janarit. Ky komision, i cili u ngrit dy ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, nuk arriti të mbyllë hetimin, sipas mandatit të dhënë për tre muaj. Me vendimin e Kuvendit nr. 94, datë 21.4.2011 afati i veprimtarisë së komisionit shtyhet për një periudhë 3 mujore. Më pas, me vendimin nr. 118, datë 21.7.2011 afati shtyhet për një periudhë 6 mujore dhe me vendimin nr. 145, datë 15.12.2011 afati shtyhet për një periudhë tjetër 12 mujore.


 


29 komisione – Që nga viti 1991 Kuvendi ka ngritur 29 komisione hetimore për çështje të ndryshme, si dhe për shkarkim titullarësh të institucioneve


21 janari – Komisioni i ngritur nga mazhoranca aktuale është i vetmi që është në funksion. Hetimet për ngjarjet e 21 janarit i mbaron afati në dhjetor të 2012-s