Kriteret. Vendimi ërkon riparaqitje të dokumenteve të atyre që s’ morën paratë
BLEDAR HOTI
Qeveria hap procesin për mbledhjen e kërkesave për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Brenda një muaji, ish-pronarët duhet të paraqesin sipas VKM-së kërkesën me dokumentacionin përkatës, në të cilën shprehet vullneti për t’u kompensuar. Vendimi “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit pronarëve, në të holla, për vitin 2012” është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Sërish do të ketë kompensim të pronës në mënyrë të shkallëzuar që shkon nga 200 m² deri në 6000 m², kjo sipas kërkesave të paraqitura. Gazeta “Shqip”, boton të plotë kriteret e përcaktuara nga qeveria.
VENDIMI I PLOTË
1. Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse përmbushen këto kritere: a) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është përfundimtar; b) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është i ekzekutueshëm; c) Vendimi, për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim.
Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike, për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.
2. Kompensimi të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit të jetë sipas skemës së mëposhtme: a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 m²; b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 m² deri në 3000 m², masa e kompensimit të jetë 300 m²; c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 m² deri në 5000 m², masa e kompensimit të jetë 400 m²; ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 m² në 10000 m², masa e kompensimit të jetë 500 m²; d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 m², masa e kompensimit të jetë 600 m²; 3. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe 2011 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2012.
4. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm: a) kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi; c) titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore; ç) planvendosjen përkatëse të vendimit, si edhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive të paluajtshme; d) dëshminë e trashëgimisë; dh) nëse disponon, prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, në ato raste kur pjesët takuese nuk janë të përcaktuara në vendimin e KKP-së/ZRAKKP-së; e) vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar; ë) çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ me anë të të cilëve provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar; f) dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë; g) mandatpagesën.
5. Në rastin e kërkesave të paraqitura në AKKP, në mbështetje të vendimeve të Këshillit të Ministrave, nr. 1343, datë 4.6.2008, “Për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2008”, nr. 487, datë 6.5.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”, dhe nr. 192, datë 9.3.2011, “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”, të cilat nuk janë pranuar nga AKKP-ja për pamjaftueshmëri fondi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për kompensimin, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi.
6. Subjektet që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008, 2009 dhe 2011, të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm: a) kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi; b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi; c) dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil; ç) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009 apo 2011 ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.
7. AKKP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim në të holla, duke kryer veprimet e mëposhtme:
a) Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga KKKP ose AKKP-ja; b) Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 ditëve, të konfirmojnë, për: i) regjistrimin e vendimit përkatës në ZVRPP; ii) përcaktimin e gjendjes juridike aktuale të pronës dhe verifikimin nëse ajo ka ndryshuar nga momenti i daljes së vendimit me të cilin aplikohet; iii) verifikimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes.
c) Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës; ç) Përgatit plan-vendosjen e pronës që kompensohet dhe cakton: i) në hartën e vlerës, zonën ku ndodhet prona; ii) në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t’u kompensuar, sipas masës që përcaktohet në pikën 2, të këtij vendimi dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën që kompensohet; d)Llogarit vlerën e sipërfaqes, që kompensohet.
dh) Përgatit vlerësimin ligjor, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues: i) vlefshmërinë e vendimit të paraqitur nga kërkuesi; ii) konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme; iii) vlerësimin e pronës për kompensim.
e) Merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar; ë) U dërgon subjektit të shpronësuar, Avokaturës së Shtetit dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore; f) Shpall listën e subjekteve fituese. g) Kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit, në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.
8. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 1 muaj.
9. Procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor, të përcaktuar në paragrafin 2, të nenit 17, të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
10. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.
11. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, AKKP-ja dhe ZRPP-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare
200-300 m² – Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 m²; për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 m² deri në 3000 m², masa e kompensimit të jetë 300 m²
400-500 m² – c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 m² deri në 5000 m², masa e kompensimit të jetë 400 m²; ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 m² në 10000 m², masa e kompensimit të jetë 500 m²
600 m² – Për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 m², masa e kompensimit të jetë 600 m², kjo është masa më e madhe kompensimit që shteti jep për ish-pronarët