Përplasja
Zv.ministri i Mbrojtjes: Ambasadori holandez, “non grata”
Beteja e komunitetit shqiptar LGBT për të dalë publikisht në mënyrë të organizuar ka nxitur tensione të mëtejshme në vend, duke përfshirë, përveç ambasadorëve, edhe organet e larta të gjyqësorit në vend. Debatet kanë nisur që paraditen e djeshme, kur kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, njëkohësisht zëvendësministër i Mbrojtjes, në një konferencë për shtyp kërkoi që ambasadori i Holandës në Shqipëri të konsiderohej si person “non grata”. Sipas Spahiut, këto masa duhet të merreshin për shkak se Henk van den Dool ka fyer deputetët dhe zyrtarët shqiptarë kur i ka quajtur injorantë në lidhje me qëndrimet e tyre të ashpra ndaj komunitetit gej në Shqipëri. “Etiketimi që ambasadori i Holandës u bëri deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë mu në vendin ku shërben, është një incident i rëndë diplomatik dhe fyerje e dinjitetit të shtetit dhe institucioneve që nuk mund të tolerohet. Prandaj, Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon që ambasadori aktual holandez të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) dhe të largohet nga Shqipëria”, deklaroi Spahiu, duke i bërë thirrje Policisë së Shtetit të mos u jepnin leje këtyre shoqatave për të demonstruar në bulevard. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatës PRO LGBT, e cila fillimisht i kërkon Kryeministrit Berisha shkarkimin e Spahiut si zëvendësministër. Por kjo shoqatë deklaron se këtë çështje do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshme PLL-në si parti. Sipas këtyre aktivistëve, materiali është përgatitur dhe ai do të çohet në Kushtetuese në fund të javës, kur personat që i përkasin LGBT-së të përfundojnë aktivitet e javës kundër homofobisë.
F.Mejdini
Reagimi
“Nëse Ekrem Spahia beson se ambasadori i vendeve të ulëta duhet të shpallet person non grata në Shqipëri, atëherë i bie të shpallim non grata edhe ambasadorin e SHBA-së, i cili mbështet publikisht të drejtat e komunitetit LGBT, ambasadorin e BE-së, ambasadorin e Suedisë dhe të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së”