Edi Rama dhe Ilir Meta kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit mes PS-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 2013-s. Marrëveshja është nënshkruar në qytetin e Shkodrës, në praninë e përfaqësuesve të Partive Socialiste Europiane. Marrëveshje e nenshkruar nga dy forcat e majta në kuadër të bashkëpunimit është pagëzuar sot si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Në fjalën e tij, kryetari Rama theksoi se kjo marrëveshje do t’i kthejë shumicës së popullit shqiptar të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi.
Rama bëri me dije se është rënë dakord për paktin, i cili nis me një kartë parimesh, që në vija të trasha bazohet ne vullnetin për të realizuar reforma të thella në ekonomi, pavarësi të institucioneve, përmirësim të jetës së shqiptarëve e rol aktiv të bashkëpunimit rajonal të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PS-së Edi Rama theksoi “se jeta e re e Ballkanit ku ne jetojmë duhet të dëshmojë atë që ne predikojmë, paqen, stabilitetin, fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal në funksion të jetës së njerëzve dhe mbështetjes së një gjenerate të re të vendeve rajonale”.
“Ne nuk mund të predikojmë paqen e re të kohës së re të rajonit dhe të ushqejmë fantazmën e vjetër të nacionalizmit ballkanik. Pas 23 qershorit, t’ia lëmë arkivave nacionalizmat që ngre krye hera-herës. Ne duam që Shqipëria europiane të mos jetë një slogan propagandistik, por një projekt politik i një rëndësie të veçantë i një bashkëpunimi të frytshëm rajon në funksion të stabilitetit, si bazë për mirëqenien ekonomike dhe sociale të njerëzve që banojnë në këtë zonë të Europës”, tha Rama.
Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit janë një gur prove për të ardhmen e vendit.
“Koalicioni me Partinë Socialiste është një koalicion i natyrashëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë, ndaj dua të falënderoj të gjithë miqtë tanë europiane që na këshilluan të lëmë pas të shkuarën dhe të ecim përpara”, tha Meta.
Meta theksoi se në këto kohë krize, Shqipëria ka nevojë për një model qeverisje që të sigurojë punësim, rritje ekonomike, duke zgjeruar programet e përfshirjes sociale.
“Aleanca jonë progresiste do të dije t’i japë përgjigje sfidave të ardhshme. Shqipëria të lerë pas edhe tranzicionin ekonomik dhe të bazohemi te rigjallërimi ekonomik. Ne do të punojmë për një krijuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, duke i qëndruar besnikë vlerave socialdemokratë për të realizuar aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t’u integruar në BE”, tha Meta, duke shprehur besimin se nga qyteti i Shkodrës ku po zhvillohet kjo konferencë, do të nisë edhe rruga e fitores së të majtës në zgjedhjet e 23 qershorit.
Marrëveshja Rama Meta eshte nenshkruar në prezencë të eurodeputetëve të majtë Tanja Fajon, Kristia Vigenning, Richard Howid dhe Knut Flekenshtein.
Detajet e kartës se parimeve i lexuan Taulant Balla për PS dhe sekretari për marrëdhëniet me jashtë në LSI, Ralf Gjoni.
Një ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjes është edhe ajo e ndarjes së qeverisë nga Parlamenti. Deputetët nuk do të jenë ministra, çka nënkupton që edhe nëse zgjidhen në Kuvend, ata do të japin dorëheqjen pas emërimit në kabinetin qeveritar.
Kjo, sipas burimeve brenda dy partive, bëhet për të forcuar rolin e Parlamentit dhe për të fokusuar qeverinë në punë dhe në raportimin në Kuvend.
Kjo marrëveshje e nënshkruar nga PS dhe LSI është përshëndetur nga eurodeputetja Tanja Fajon dhe ish-presidenti serb Boris Tadiç.
Në një videomesazh nga Brukseli, koalicionin e dy partive më të mëdha të së majtës e ka përshëndetur edhe presidenti i Partive Europiane Socialiste, Sergej Stanishev, ai që bëri i pari apelin për një bashkim mes tyre gati një muaj më parë.
22 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)