Ditën e sotme është organizuar një konferencë nga ana e USAID lidhur me decentralizimin fiskal. Në fjalën e tij me këtë rast, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu theksoi rëndësinë që ka decentralizmi fiskal në plotësimin e të gjitha nevojave të qytetarëve të vendit nga ana e qeverive vendore.


“Decentralizimi fiskal është i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse do të sigurojë që qeveritë vendore të kenë burimet e nevojshme për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore. Progresi në decentralizimin fiskal kërkon që të ndërtohet besimi, mirëbesimi dhe respekti reciprok. Nxis kryetarët e bashkive dhe këshillat vendorë që të ngrenë diskutime mbi decentralizimin fiskal”, – u shpreh ambasadori Arvizu.


Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi decentralizimi si një nga parimet me themelore për funksionimin e demokracisë, në mënyrë që “qytetarët shqiptarë të kenë qeverisje më të mirë, shërbime më të mira dhe taksat e tyre të përdoren në mënyrën më eficente”.


Berisha theksoi se qeveria ka rritur grantet për pushtetin vendor, por nga ana tjetër bëri thirrje për nevojën e disiplinimit nga ana e pushtetit vendor në mbledhjen e taksave si një nga parimet bazë të mirëfunksionimit të këtij pushteti.


“Në të gjitha hapat dhe përcaktimet tona, të vetmen gjë që nuk duhet të pranojmë është dështimi i disiplinës fiskale dhe mbledhjes së të ardhurave. Nuk është vetëm mungesa e fondeve në buxhet, por në të gjitha rastet është një atak i rëndë për ekonomitë”, theksoi Berisha.


4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)